Biden: Rreziku për 'Armagedon' bërthamor, më i larti që pas krizës së raketave kubane

Biden: Rreziku për 'Armagedon' bërthamor, më i larti që pas krizës së raketave kubane

07:53, 07/10/2022

Rreziku i një “Armagedoni” bërthamor është në nivelin e tij më të lartë që nga kriza e raketave kubane e vitit 1962, ka thënë presidenti amerikan Joe Biden. Zoti Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin "nuk po bënte shaka" kur foli për përdorimin e armëve taktike bërthamore pasi ndeshi pengesa në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara "po përpiqeshin të kuptonin" mënyrën se do të dilte Putin nga lufta, shtoi ai.

SHBA dhe BE kanë thënë më parë se sulmi bërthamor i Putinit duhet të merret seriozisht.

Megjithatë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, javën e kaluar tha se, pavarësisht nga kërcënimet bërthamore të Moskës, SHBA nuk kishte parë asnjë shenjë se Rusia po përgatitej së shpejti të përdorte një armë bërthamore.

Ukraina e ka rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia gjatë pushtimit të saj që filloi më 24 shkurt, duke përfshirë katër rajonet që Rusia aneksoi ilegalisht kohët e fundit.

Për disa muaj zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Rusia mund të përdorë armët e shkatërrimit në masë, nëse pëson pengesa në fushën e betejës.

Gjatë një fjalimi të premten e kaluar, udhëheqësi rus tha se SHBA kishte krijuar një "precedent" duke përdorur armë bërthamore kundër Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore - një koment që nuk mund të kishte kaluar pa u vënë re nga qeveritë perëndimore, vë në dukje redaktori i BBC për Rusinë, Steve Rosenberg.

Putin ka kërcënuar gjithashtu se do të përdorë çdo mjet që ka në dispozicion për të mbrojtur territorin rus.

Presidenti Biden tha se arsyeja pse lideri rus nuk kishte bërë "shaka" kur ai foli për përdorimin e armëve taktike bërthamore, biologjike ose kimike - "sepse ushtria e tij, mund ta thoni, është shumë e dobët".

“Për herë të parë që nga kriza e raketave kubane, ne kemi një kërcënim të drejtpërdrejtë për përdorimin e armëve bërthamore, nëse në fakt gjërat vazhdojnë rrugën e nisur”, u tha Biden kolegëve demokratë.

"Ne nuk jemi përballur me mundësinë e Armagedonit që nga koha e Kennedy dhe krizës së raketave kubane."

Në vitin 1962, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik - nën Presidentin John F Kennedy dhe Nikita Hrushov - iu afruan një përballjeje bërthamore për shkak të dërgimit të armëve bërthamore ruse në Kubë.

Konfrontimi konsiderohet nga shumë ekspertë si më i afërti që bota i ka shkuar pranë ndonjëherë një lufte bërthamore në shkallë të plotë.

Biden u tha kolegëve demokratë se përdorimi i armëve taktike bërthamore, biologjike ose kimike mund të dalë shpejt jashtë kontrollit.

Ai foli në shtëpinë e James Murdoch në Nju Jork, djalit të manjatit të medias Rupert Murdoch, në aktivitetin për mbledhjen e fondeve nga demokratët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco