Finlanda vigjilon ujërat territoriale, pas shpërthimeve në tubacionet nënujore të gazit rus

Finlanda vigjilon ujërat territoriale, pas shpërthimeve në tubacionet nënujore të gazit rus

07:43, 29/09/2022

Finlanda po vigjilon ujërat e saj territoriale pas shpërthimeve të dy tubacioneve të gazit Nord Stream, tha të mërkurën kryeministrja Sanna Marin.

Marin u tha gazetarëve se Finlanda, e cila ndan kufirin më të gjatë tokësor të Bashkimit Evropian me Rusinë, i konsideron shpërthimet "lajm të rëndë" dhe "jashtëzakonisht shqetësues". Tubacionet u ndërtuan nga Rusia dhe partnerët evropianë, njofton Reuters.

Bashkimi Evropian premtoi të mërkurën një kundërpërgjigje "të fuqishme" ndaj çdo ndërprerjeje të qëllimshme të infrastrukturës së vet energjetike, pasi tha se dyshonte se pas rrjedhjeve të gazit nën detin Baltik qëndronte sabotimi. Rusia ka thënë gjithashtu se sabotimi ishte një mundësi.

“Autoritetet finlandeze dhe qeveria po e shikojnë situatën nga afër. Ne po e monitorojmë situatën në zonën ekonomike finlandeze dhe ujërat tona territoriale”, tha Marin.

Ministri i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen tha se Finlanda nuk kishte zbuluar rritje të aktivitetit ushtarak në afërsi të saj në ditët e fundit, por po mbante kontakte të ngushta me fqinjët nordikë dhe aleatët e NATO-s për të shkëmbyer informacion.

Qeveria tha se do të marra masa për të kufizuar tranzitin e qytetarëve rusë që kanë viza turistike për në vendet e tjera të rajonit Shengen nëpërmjet Finlandës, duke refuzuar të japë një datë zbatimi përpara se të marrë një vendimi zyrtar mbi këtë çështje që pritet të enjten.

Kalimet kufitare tokësore finlandeze kanë mbetur ndër pikat e pakta të hyrjes në Evropë për rusët pasi një sërë vendesh perëndimore mbyllën kufijtë fizikë dhe hapësirën e tyre ajrore ndaj avionëve rusë në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës shtatë muaj më parë.

Finlanda do të shqyrtojë gjithashtu ndërtimin e një gardhi në pjesë të kufirit të saj 1,300 km me Rusinë, me një kosto të vlerësuar prej disa qindra milionë euro, tha Ministrja e Brendshme Krista Mikkonen. Gardhi do të merrte tre deri në katër vjet për t'u ndërtuar, tha ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco