Itali: Giorgia Meloni shpall fitoren, gati për t’u bërë kryeministrja e parë femër e vendit

Itali: Giorgia Meloni shpall fitoren, gati për t’u bërë kryeministrja e parë femër e vendit

07:39, 26/09/2022

Udhëheqësja e partisë "Vëllezërit e Italisë" Giorgia Meloni ka shpallur fitoren në zgjedhjet e Italisë dhe është në rrugën e duhur për t'u bërë kryeministrja e parë femër në vend, njofton BBC.

Zonja Meloni pritet gjerësisht të formojë qeverinë më të djathtë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Duke folur pas votimit, zonja Meloni tha se partia e saj Vëllezërit e Italisë do të "qeveriste për të gjithë" dhe nuk do të tradhtonte besimin e njerëzve.

"Italianët kanë dërguar një mesazh të qartë në favor të një qeverie të krahut të djathtë të udhëhequr nga Vëllezërit e Italisë," u tha ajo gazetarëve në Romë, duke mbajtur lart një tabelë ku shkruhej "Faleminderit Itali".

Ajo parashikohet të marrë deri në 26% të votave, bazuar në rezultatet e përkohshme, përpara rivalit të saj më të afërt Enrico Letta nga qendra e majtë.

Aleanca e krahut të djathtë të zonjës Meloni - e cila përfshin gjithashtu Ligën e ekstremit të djathtë të Matteo Salvinit dhe qendrën e djathtë të ish-Kryeministrit Silvio Berlusconi, Forza Italia - tani duket të ketë kontrollin e Senatit dhe të Dhomës së Deputetëve, me rreth 44% të votave.

Suksesi i partisë së saj në votim maskoi faktin se aleatët e saj performuan dobët, me partinë e Salvinit që ra nën 9%, dhe Forza Italia edhe më poshtë.

Vendimi se kush do të bëhet lideri i ardhshëm i Italisë i takon presidentit Sergio Mattarella dhe kjo do të kërkojë kohë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco