Instituti i Vjenës parashikon rritje ekonomike 3,5% sivjet, ul pritshmëritë për vitet që vijnë

Instituti i Vjenës parashikon rritje ekonomike 3,5% sivjet, ul pritshmëritë për vitet që vijnë

12:51, 07/07/2022

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.5% në vitin 2022, sipas raportit të fundit të Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare (WIIW).

Vlerësimi ka mbetur i pandryshuar në raport me pritshmëritë fillestare, ndërkohë që është ulur për vitet në vijim.

Për vitin 2023, ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet po me 3.5%, nga 3.7% që ishte vlerësimi fillestar. Në 2024, ritmet pritet të përshpejtohen lehtë në 3.7%, por sërish 0.2 pikë përqindje më pak sesa vlerësimi i mëparshëm.

Për vitin 2022, Shqipëria pritet të ketë rritjen e tretë më të lartë në rajon, pas Serbisë (3.6%), dhe Malit të Zi (po me 3.6%) ndërsa më e ulëta parashikohet për Bosnjë Hercegovinën me 1.4% dhe Maqedoninë e Veriut me 1%. Ekonomia e Kosovës pritet të zgjerohet me 3.3%

Instituti i Vjenës parashikon që inflacioni të mbetet i lartë në Shqipëri, në 6.1% për vitin 2022 dhe të ulet përkatësisht në 3.5 dhe 2.5% në dy vitet në vijim. Pavarësisht rritjes së lartë të çmimeve ajo mbetet më e ulët se vendet e tjera të rajonit, ku ky tregues për vitin 2022 pritet të luhatet nga 8.5% në Kosovë, në 11% në Maqedoninë e Veriut.

Sipas raportit, Lufta në Ukrainë po jep qartë efekte negative në ekonomitë e 23 vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ), por deri më tani shkalla e ndikimit ndryshon gjerësisht në të gjithë rajonin. Inflacioni i lartë dhe kriza energjetike po zbehin perspektivat e rritjes.

Në muajin maj inflacioni u rrit në nivele dy shifrore për pjesën më të madhe të vendeve të rajonit të EQLJ-së.

Kryesuesi i qartë është Turqia, e cila përballet me inflacion prej rreth 68% këtë vit, i nxitur nga normat e saj reale ultra-negative të interesit si dhe nga inflacioni bazë i çmimeve të mallrave. Megjithatë, edhe anëtarët e BE-së të rajonit ka të ngjarë të shohin inflacion mesatar rreth 11% në 2022. Çmimet e ushqimeve po rriten me ritme dyshifrore pavarësisht përpjekjeve për rregullimin e çmimeve në disa vende.

Një arsye kryesore për këtë është mungesa e furnizimeve në tregjet botërore për shkak të humbjes së eksporteve bujqësore ukrainase dhe ruse. Furnizimi më i ulët i plehrave si rezultat i luftës mund të kufizojë prodhimin e të korrave në shumë vende dhe të përkeqësojë më tej krizën ushqimore.

Në mënyrë shqetësuese, inflacioni bazë (duke përjashtuar ushqimin dhe energjinë) po rritet gjithashtu në rajonin e EQLJ. Kjo sugjeron që inflacioni tani po bëhet gjithnjë e më i gjerë. Në terma makroekonomikë, inflacioni gjithnjë e më i lartë po redukton perspektivat e rritjes së rajonit duke gërryer të ardhurat reale të njerëzve. Nëse nafta dhe gazi duhet të racionalizohen në dimër, Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore mund të shkojnë në recesion, paralajmëron raporti./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco