Nga viti 2023, Venecia bëhet edhe më e kushtueshme

Nga viti 2023, Venecia bëhet edhe më e kushtueshme

17:39, 04/07/2022

Duke filluar nga viti i ardhshëm, vizitorët në udhëtimet njëditore do të duhet të paguajnë një tarifë deri në dhjetë euro për të hyrë në qytetin italian të Venecias, një nga mrekullitë e botës që prej kohësh është rënduar nga turizmi i tepërt.

Masa, e shpallur të premten nga Këshilli Bashkiak i Venecias, do të hyjë në fuqi më 16 janar 2023.

Turistët që qëndrojnë gjatë natës, fëmijët nën moshën gjashtë vjeç, pronarët e shtëpive të pushimit, njerëzit që qëndrojnë me vendasit, studentët, njerëzit e biznesit dhe disa kategori të tjera do të përjashtohen.

Simone Venturini, këshilltarja e qytetit për turizmin, e quajti sistemin e ri "mënyrën e vetme" për të kontrolluar turizmin masiv.

“Është një hap i rëndësishëm, është një fazë kyçe dhe ne jemi të parët në botë që e bëjmë këtë”, tha ai.

Biletat për Venecia do të variojnë nga tre deri në 10 euro, varësisht se sa i ngarkuar është qyteti.

Venturini njoftoi gjithashtu rritje të çmimit të transportit publik dhe atraksioneve turistike. Nga 1 shtatori, bileta e vetme për tragetin e ujit do të rritet nga 7.50 në 9.50 euro, ndërsa hyrja në muzetë e Shën Markut do të rritet nga 25 në 30 euro.

Ai nënvizoi se nuk bëhet fjalë për një mbyllje të plotë të qytetit në një sezon jashtëzakonisht të ngarkuar, siç është karnavali i shkurtit.

“Qyteti mbetet gjithmonë i hapur, por nëse e arrijmë pragun… ju mund të vini nëse dëshironi, por paguani pak më shumë”, tha ai.

Rezervimet do të bëhen online dhe një ekip prej 15 deri në 20 inspektorësh do të patrullojnë rrugicat, urat dhe sheshet e qytetit në kërkim të shkelësve, të cilët do të përballen me gjoba nga 50 deri në 300 euro.

Turizmi është dega kryesore e Venecias, por fluksi i vazhdueshëm i vizitorëve e bën qytetin gjithnjë e më të shtrenjtë dhe më pak mikpritës për popullsinë vendase, gjë që reflektohet në rënien e numrit të vendasve, të cilët tani janë rreth 50,000.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco