Biden kërkon që të ulet çmimi i karburanteve, prodhuesit tallen me të

Biden kërkon që të ulet çmimi i karburanteve, prodhuesit tallen me të

12:25, 04/07/2022

Nga Adam Sabes, FOX Business

Shoqata e Naftës dhe Gazit në SHBA u tall me presidentin Biden pasi ai postoi një mesazh të shtunën ndaj kompanive të karburanteve duke u kërkuar që të ulin çmimet te pompa.

Kjo shoqatë i bëri thirrje presidentit që ‘të sigurohet se stazhieri i Shtëpisë së Bardhë që i ka postuar mesazhin, të regjistrohet në semestrin e vjeshtës për lëndën ‘Ekonomia për fillestarët’.

“Po punojmë për këtë gjë zoti president. Ndërkohë, gëzuar 4 Korrikun dhe ju lutemi sigurohuni që stazhieri i Shtëpisë së Bardhë që ka postuar këtë mesazh, të regjistrohet për vjeshtë për lëndën ‘Ekonomia për fillestarët”," thuhet në mesazh.

Të shtunën, Biden u kërkoi kompanive që drejtojnë pikat e karburanteve që të kenë parasysh se kjo është një kohë lufte dhe rreziku global.

“Mesazhi im për kompanitë që drejtojnë stacionet e karburantit dhe vendosin çmimet në pompë është i thjeshtë: kjo është një kohë lufte dhe rreziku global. Ulni çmimet që vendosni te pompat për të pasqyruar koston që paguani për produktin. Dhe bëjeni tani”, shkroi Biden.

Mesazhi i Biden vjen pasi çmimet e mesazhit janë mesatarisht në 4.8 dollarë në mbarë vendin, me një rritje prej 5 cent nga një muaj më parë. Megjithatë në disa shtete, çmimet janë shumë më të larta.

Në Kaliforni, çmimi mesatar për gallon është 6.2 dollarë dhe në Ilinois është 5.3 dollarë.

Biden është përpjekur të kalojë fajin te presidenti rus Vladimir Putin për çmimin e karburanteve, duke përdorur vazhdimisht termin ‘rritja e çmimeve e Putinit’, pavarësisht se gjatë fushatës së tij ishte zotuar për të marrë gjithmonë përgjegjësinë dhe për të mos fajësuar të tjerët.

Thirrja për veprim nga Biden pason një propozim të dështuar nga Zyra Ovale për të zbatuar një pushim 90-ditor për taksat ndaj karburanteve, që u hodh poshtë nga ligjvënësit demokratë si i çuditshëm.

Gjatë fushatës presidenciale, Biden u zotua se do sakrifikojë burimin e energjisë, çmimet e ulëta dhe madje edhe vendet e punës për hir të agjendës së tij të gjelbër.

Në debatin e demokratëve në dhjetor të vitit 2019, moderatori Tim Alberta e pyeti: “Tre presidentë të njëpasnjëshëm kanë gëzuar periudha të rritjes ekonomike shpërthyese për shkak të një bumi në prodhimin e naftës dhe gazit natyror. Si president, a do jeni i gatshëm që të sakrifikoni pjesë të kësaj rritje, madje edhe duke e ditur se mund të sakrifikoni qindra e mijëra punëtorë, për hir të kalimit në ekonominë e gjelbër?”

“Përgjigja është po”, tha ish-zëvendëspresidenti.

Biden anuloi gazsjellësin Keystone XL, që do dërgonte rreth 870 mijë fuçi nafte në ditë nga Kanadaja në rafineritë e Teksasit dhe pezulloi edhe qiratë e naftës dhe gazit në tokat federale gjatë ditëve të para në detyrë.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott paralajmëroi kohët e fundit se një rregull diskrecional nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit do të rrisë edhe më tej çmimet e gazit.

Biden ka kaluar nga ‘përqafimi’ i çmimeve të larta të gazit si çmimi për kalimin te një ekonomi e gjelbër në fajësimin e Vladimir Putinit, fajësimin e prodhuesve të energjisë dhe tani në fajësimin e pronarëve të stacioneve të benzinës, që fitojnë vetëm disa cent për gallon.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco