Samiti i NATO-s në Spanjë fokusohet mbi Rusinë dhe Kinën

Samiti i NATO-s në Spanjë fokusohet mbi Rusinë dhe Kinën

08:28, 29/06/2022

Aleanca ushtarake e NATO-s pritet të njoftojë shtimin e numrit të trupave në kufijtë e saj lindorë, si dhe më shumë ndihmë për Ukrainën. Udhëheqësit nga Azia dhe Oqeania u ftuan gjithashtu për të adresuar shqetësimet në lidhje me ndikimin në rritje të Kinës.

Udhëheqësit e vendeve të NATO-s dhe aleatëve u mblodhën në Madrid të martën, me tema kryesore të diskutimit që ka të ngjarë të jenë pushtimi i Rusisë në Ukrainë dhe ambiciet ndërkombëtare në rritje të Kinës.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të jemi gati të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje sepse Ukraina tani përballet me një brutalitet që nuk e kemi parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përpara mbledhjes.

Anëtarët pritet të bien dakord të grumbullojnë armë dhe pajisje në Evropën Lindore dhe në shtetet baltike dhe të rrisin në mënyrë dramatike numrin e trupave të vendosura në ato rajone. Do të ketë gjithashtu më shumë mbështetje për Ukrainën për të përmirësuar ushtrinë e saj, e cila ende përdor kryesisht pajisje të epokës sovjetike.

Duke folur përpara samitit të martën, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se SHBA po planifikon të shpallë vendosje të reja ushtarake "tokësore, detare dhe ajrore" "për një afat të gjatë".

"Forcat do të përqendrohen në Balltik, Ballkan dhe në krahun lindor të NATO-s në kufi me Rusinë," tha ai.

Aleanca po kërkon gjithashtu të ndihmojë Kievin pa pasur një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë, që është një nga arsyet pse Ukraina nuk është ende pjesë e grupit, pavarësisht se është në rrugën e anëtarësimit që nga viti 2008.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është planifikuar të flasë në samit me video-telefonatë. Ai ka pranuar se anëtarësimi në NATO në të ardhmen e afërt nuk ka gjasa, dhe në vend të kësaj po fokusohet në kërkimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Biden dhe Sanchez njoftojnë bashkëpunimin për mbrojtjen dhe migrimin e parregullt

Presidenti i SHBA Joe Biden u mirëprit në Madrid nga Mbreti i Spanjës Felipe VI para takimit me kryeministrin Pedro Sanchez.

Biden dhe Sanchez diskutuan luftën kundër asaj që Sanchez e quajti "kërcënimi hibrid" i imigrimit të parregullt nga Afrika –i nxitur, tha ai, nga rritja e çmimeve të ushqimeve si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë - si dhe një prani  zgjeruar ushtarake të SHBA në gadishullin Iberik.

Bisedimet erdhën vetëm disa ditë pasi emigrantët afrikano-veriorë sulmuan një enklavë spanjolle në Marok në një përpjekje për të arritur në Evropë. Të paktën 23 emigrantë u vranë në atë ngjarje dhe shumë të tjerë u plagosën në tentativën e kalimit masiv.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimit të tyre, Sanchez u tha gazetarëve se të dy kishin diskutuar "sfidat gjithnjë e më të rëndësishme" me të cilat përballet rajoni i Sahelit Perëndimor të Afrikës, të përkeqësuara, tha ai, nga prania në rritje e Rusisë dhe kultivimi i saj i përfaqësuesve në krahun jugor të Evropës.

Biden tha se SHBA synon të forcojë praninë e NATO-s në krahun e saj jugor duke zgjeruar numrin e destrojerëve të marinës të vendosur në portin jugor spanjoll Rota nga katër, në gjashtë.

Presidenti amerikan tha se ky ishte vetëm i pari nga disa njoftime që ai do të bënte në samit.

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar pas takimit thoshte se pushtimi i Presidentit Vladimir Putin në Ukrainën fqinje kishte "ndryshuar rrënjësisht mjedisin strategjik global, duke vënë në dukje se "agresioni i Rusisë përbën kërcënimin më të drejtpërdrejtë për sigurinë transatlantike dhe stabilitetin global që nga fundi i Luftës së Ftohtë".

“Presidenti tha përpara fillimit të luftës se nëse Putin do të pushtonte Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe NATO do të rrisnin pozicionin e forcës në krahun lindor, jo vetëm për kohëzgjatjen e krizës, por për të adresuar ndryshimin afatgjatë në realitetin strategjik që do të paraqitej”, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Sullivan.

SHBA filloi të rrisë praninë e trupave të saj në Evropë pak para pushtimit të 24 shkurtit, duke shtuar 20,000 ushtarë të tjerë në kontigjentin e saj të dislokimit prej 80,000 në kontinent.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco