‘Prokurorë me kompetenca ekstra’/ Rusia miraton projekt-ligjin me masa të reja kundër mediave të huaja

‘Prokurorë me kompetenca ekstra’/ Rusia miraton projekt-ligjin me masa të reja kundër mediave të huaja

18:19, 25/05/2022

Parlamenti rus miratoi të martën një projekt-ligj që u jep prokurorëve kompetenca që të mbyllin zyrat e mediave të huaja në Moskë, nëse vendi perëndimor të cilit ato i përkasin ka qenë "jomiqësor" ndaj medias ruse. Lëvizja vjen pas mbylljes së disa organeve shtetërore ruse të lajmeve në Perëndim.

Projekt-ligji, i miratuar në raundin e parë të votimit nga Duma, dhoma e ulët e parlamentit rus, ndalon gjithashtu shpërndarjen e artikujve, ose botimeve të tjera të medias së ndaluar nga prokuroria. Projekt-ligji duhet të miratohet nga dhoma e lartë e parlamentit dhe të nënshkruhet nga Presidenti Vladimir Putin për të hyrë në fuqi.

Gazetarëve të një organi mediak, që konsiderohet se shkel ligjin, do t'u hiqet akreditimi i ministrisë së jashtme - që do të thotë se ata nuk mund të punojnë në Rusi.

Ligji i ri shton sfidat me të cilat përballen mediat e huaja, pasi Rusia miratoi në mars një ligj, që penalizon atë që Moska e konsideron si përhapje të lajmeve "të rreme" për ushtrinë e saj.

"Në situatën aktuale gjeopolitike, media është kthyer në një instrument ndikimi në shoqëri," thanë ligjvënësit në një shënim zyrtar shpjegues mbi projektligjin.

Në shënimin, të cilin e ka siguruar agjencia Reuters, thuhej gjithashtu se "në bazë të projektligjit, gazetarët dhe një korrespondentët e huaj mund të humbasin akreditimin, nëse vërtetohet se vendi të cilit ata I përkasin, ka vendosur kufizime në shpërndarjen informacioneve të mediave ruse."

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka kritikuar në mënyrë të përsëritur Perëndimin për masat ndaj mediave pro-Kremlinit si ndaj agjencisë së lajmeve Sputnik dhe kanalit televiziv RT, përfshirë heqjen e lejeve të tyre të transmetimit dhe sanksionimin e tyre, hapa që ai thotë se tregojnë shkelje të lirisë së medias.

Në mars, Presidenti Vladimir Putin nënshkroi një ligj që parashikon një dënim deri në 15 vjet burg për përhapjen e qëllimshme të lajmeve "të rreme" rreth ushtrisë, duke nxitur disa media perëndimore të tërheqin gazetarët e tyre nga Rusia. Organizata të tjera perëndimore, përfshirë agjencinë Reuters, kanë qëndruar në Rusi dhe vazhdojnë të raportojnë.

Zyrtarët rusë nuk e përdorin fjalën "invazion" dhe thonë se mediat perëndimore, në mbulimin e tyre, merren vetëm me një aspekt gjithnjë e më të pjesshëm, të asaj që Moska e quan "operacion special" në Ukrainë, duke shpërfillur, sipas tyre, shqetësimet e Rusisë për zgjerimin e NATO-s dhe persekutimin e rusishtfolësve, siç shprehen ata./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco