Erdogan po saboton NATO-n: A mund të përjashtohet nga aleanca?

Erdogan po saboton NATO-n: A mund të përjashtohet nga aleanca?

20:08, 18/05/2022

BILD

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka bllokuar fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO!

Të mërkurën në mëngjes, DPA mësoi nga qarqet e aleancës se Këshilli i NATO-s nuk mundi të marrë – ashtu siç ishte planifikuar fillimisht- vendimin e nevojshëm për të nisur procesin e pranimit. Dhe kjo për shkak të bllokadës së Erdoganit.

Supozohet se ai dëshiron që PO-ja e tij të paguhet shtrenjtë. Turqia po përdor kërcënimin e saj për të vënë veton e përhershme ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO si një mjet presioni për të zbatuar interesat e sigurisë kombëtare.

Kështu tha për DPA të mërkurën Sonar Cagaptay nga Instituti i Uashingtonit.

Qëllimet e Turqisë janë:

-Klasifikimi i milicisë kurdo-siriane YPG si organizatë terroriste nga partnerët e NATO-s.

-Veprime më të ashpra kundër Partisë së ndaluar të Punëtorëve Kurdë (PKK) në Suedi dhe vende të tjera.

“Ankarasë i mungon solidariteti mes partnerëve të NATO-s kur bëhet fjalë për PKK-në dhe YPG-në, të cilat ajo i sheh si një kërcënim ekzistencial,” thotë Mustafa Aydin, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has në Stamboll.

-Garancitë e sigurisë dhe heqja e ndalimit të eksportit të armëve. Turqia kërkon avionët luftarakë F-16 nga SHBA dhe një sistem të mbrojtjes raketore.

Manfred Weber, kryetar i grupit të PPE në Parlamentin Europian, tha për BILD: “Akuzat dhe kërcënimet turke janë krejtësisht të papërshtatshme. Është skandaloze që Erdogan po përpiqet që të përfitojë nga ky anëtarësim. Nëse presidenti Erdogan këmbëngul për të bllokuar anëtarësimin, Turqia definitivisht po e vendos veten jashtë komunitetit global për liri dhe demokraci”.

Erdogan tha të mërkurën se Suedia dhe Finlanda dëshirojnë të vazhdojnë të mbështesin ‘organizatat terroriste’, por në të njëjtën kohë kërkojnë miratimin e Turqisë për anëtarësimin në NATO. “Kjo është një kontradiktë, për të thënë më të paktën”.

Erdogan akuzoi qeverinë suedeze për refuzimin e ekstradimit të 30 ‘terroristëve’. “NATO është një bashkësi sigurie, një organizatë sigurie. Në këtë aspekt, ne nuk mund të themi po, për ta bërë këtë organ të sigurisë, të pasigurt,” tha Erdogan.

A mundet NATO-ja që ta dëbojë Erdoganin?

Fakt është se Erdogan e di se anëtarësimi në NATO kërkon miratimin e të gjitha vendeve anëtare.

Status-quoja është e qartë: 29 nga 30 vendet anëtare të NATO-s duan që Finlanda dhe Suedia t’i bashkohen aleancës së mbrojtjes sa më shpejt të jetë e mundur- të dy vendet dorëzuan zyrtarisht kërkesat e tyre për anëtarësim të mërkurën.

Por çfarë ndodh nëse asgjë nuk ndryshon në bllokadën bazë të  Turqisë? Dy mënyra janë të qarta, një tjetër është më shumë se e diskutueshme:

1-Perëndimi i përgjigjet shantazhit të Erdoganit, i jep atë që kërkon ose gjen një kompromis. Atëherë Suedia dhe Finlanda së shpejti mund të pranohen në NATO.

2-Perëndimi dhe Turqia qëndrojnë të vendosura, nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre. Si rezultat, Suedia dhe Finlanda nuk do të anëtarësohen në NATO.

Opsioni i tretë mbart një pikëpyetje të madhe: A mundet NATO ta largojë Erdoganin nga aleanca?

Përgjigja është e thjeshtë: Jo! Traktati i Atlantikut të Veriut thjesht nuk parashikon skenarin e përjashtimit të një anëtari. E vetmja mënyrë për të dalë nga aleanca është tërheqja vullnetare.

Neni 13 i traktatit thotë: “Pas afatit 20-vjeçar të traktatit, secila palë mund ta përfundojë traktatin një vit pasi ka njoftuar qeverinë e Shteteve të Bashkuara për këtë gjë; ndërsa kjo e fundit njofton qeveritë e tjera për depozitimin e njoftimit për përfundimin e traktatit”.

Turqia u bashkua me NATO-n në vitin 1952- tërheqja vullnetare do të ishte e mundur. Por kjo nuk është aspak në interesin e Turqisë. Dhe NATO gjithashtu do të hezitonte të hiqte dorë nga anëtarësia e Turqisë- ky vend ndodhet në ndërfaqen vendimtare mes Evropës dhe Lindjes së Mesme.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tashmë ka bërë thirrje për një qasje ndaj Turqisë.

“Turqia është një aleat i çmuar dhe të gjitha shqetësimet e sigurisë duhet të adresohen,” tha ai pasi foli me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu. “Në këtë moment historik, ne duhet të qëndrojmë së bashku”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco