Sulmi rus në Ukrainë po transformon Europën

Sulmi rus në Ukrainë po transformon Europën

16:43, 14/05/2022

Nga Andrew A. Michta

Lufta në Ukrainë është një nga ato ngjarje madhore që ndodhin pikërisht kur shumica besojnë se trajektoret historike janë vendosur dhe rezultatet kryesisht janë paracaktuar. Luftëra të tilla shkaktojnë çarje të reja që tronditin qeveritë deri në themel, duke i detyruar të rishqyrtojnë parimet kryesore në politikën e jashtme dhe siguri. Ato vijnë jo aq nga një llogaritje e gabuar e papritur, por më tepër nga një keqkuptim themelor i ndryshimeve strukturore të fuqive që kanë qenë në proces prej vitesh.

Dhe kur e përfundojnë rrugëtimin e tyre, peizazhi gjeopolitik që lënë pas ka pak ose aspak lidhje me atë që ekzistonte më parë – mendoni për periudhën pas luftërave të Napoleonit, dy Luftërat Botërore në shekullin e 20-të, fundin e Luftës së Ftohtë. Më e rëndësishmja, luftërat që transformojnë sisteme nxjerrin lakuriq shpërndarjen aktuale të fuqisë në skenat kryesore dhe rivendosin kronometrin e garës së fuqive të mëdha, me azimutet e reja, që ishin të vështira për t'u kuptuar vetëm disa muaj më parë, tashmë të dukshme. Sot, pushtimi i Ukrainës nga Putin ka vënë në lëvizje forcat që do të riformojnë Evropën për dekadat e ardhshme.

Së pari, rezistenca kokëfortë e Ukrainës ka nxitur rëndësinë e frontit dhe qendrës së sovranitetit kombëtar. Pas tri dekadash institucionalizimi dhe globalizmi post-Luftës së Ftohtë jemi kthyer te bazat e sigurisë kombëtare: vetëm një Ukrainë sovrane mund t'u sigurojë qytetarëve të saj një atdhe të sigurt. Institucionet ndërkombëtare nuk mundën ta ndalonin Putinin të sulmonte Ukrainën. Së dyti, nuk ka asnjë zëvendësues për fuqinë bruto dhe asnjë vend nuk mund të jetë i sigurt nëse i mungon një ushtri e fortë, pavarësisht nëse i përket apo jo një aleance ushtarake, pasi NATO sërish i ka sytë te SHBA për të siguruar Evropën.

Së treti, paqja nuk duhet të jetë gjithmonë prioriteti i parë në një konflikt. Siç na kanë treguar ukrainasit kur u sulmuan, qëllimi nuk duhet të jetë arritja e një kompromisi sa më shpejt të jetë e mundur, por mposhtja e agresorit dhe çlirimi i territorit të pushtuar. Së katërti, Gjermania dhe Franca, dy fuqitë më të mëdha në kontinentin evropian, kanë dështuar në udhëheqje, duke vërtetuar sërish të jesh i madh e të jesh i fortë nuk është e njëjta gjë.

Ka pasur hezitim të dukshëm në Gjermani dhe Francë përballë pushtimit rus të Ukrainës, pavarësisht garancive të përsëritura publikisht për solidaritet me Kievin. Lufta ka shtrënguar Berlinin dhe Parisin të heqin dorë nga tri dekada të politikës karshi Rusisë që synonte "menaxhimin" e marrëdhënieve të tyre me Moskën përmes një kombinimi të mjeteve ekonomike dhe politike. Gjatë fjalimit të tij kryesor në Bundestag më 27 shkurt, kancelari Olaf Scholz pranoi hapur se politika gjermane ishte e gabuar ndaj Rusisë. Presidenti Macron që atëherë i ka ndalur përpjekjet për të bindur Putinin.

Më e rëndësishmja për politikën gjermane, lufta e ka hedhur në erë besimin bazë në qasjen ndaj “energjisë së pastër” si pa lidhje me sigurinë kombëtare dhe ka zhvlerësuar maksimën naive “Wandel durch Handel” (Ndryshim përmes tregtisë), pra që shkëmbimet tregtare do ta shtynin Rusinë (edhe Kinën) drejt një sistemi politik më të lirë e më të hapur. Në fakt, vendimi i Berlinit për të udhëhequr BE-në për të kaluar nga qymyri dhe energjia bërthamore te gazi rus si një portë për burimet e rinovueshme, mishëruar në projektet e gazsjellësve Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, vetëm sa e ka lënë Evropën të varur rrezikshëm nga Putini për energji. Ajo nuk ka bërë asgjë për të demokratizuar apo kufizuar Rusinë.

Më e rëndësishmja, lufta ka tronditur themelet e shpërndarjes së vendosur të energjisë në Evropë dhe – në pritje të fitores së Ukrainës – mund ta riorganizojë atë për dekadat e ardhshme, duke zhvendosur thelbin e Evropës nga Perëndimi në Qendrën e Kontinentit. Një Ukrainë e rindërtuar dhe e suksesshme, me popullsinë e saj prej rreth 44 milionë banorësh dhe pasuritë natyrore dhe tokën pjellore do të zhvendoste qendrën e gravitetit të Evropës – pavarësisht nëse ajo do të anëtarësohet apo jo në BE. Një Ukrainë e lirë dhe e suksesshme do të siguronte vetëm një shpërbërje të shpejtë të diktaturës së Lukashenkos në Bjellorusi dhe, në linjë me Poloninë, Rumaninë, Finlandën dhe shtetet baltike, do t'i jepte brezit midis detit Baltik dhe Detit të Zi ndikim të paprecedentë ekonomik dhe politik. Me një popullsi të kombinuar rreth 120 milion në këtë zonë, ky konfigurim i ri do të ndryshonte rrënjësisht balancën e përgjithshme të fuqisë në Evropë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, do ta detyronte Rusinë të pajtohej me realitetin e statusit të saj post-perandorak. Kjo do ta detyronte t’i adresohej pyetjes themelore se si duhet të duket shteti "normal" rus.

Kjo luftë po rifarkëton edhe rreshtimet ekzistuese në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke krijuar të reja. Ndryshimi më i rëndësishëm është në marrëdhëniet midis Polonisë dhe Ukrainës. Shpërthimi i mbështetjes për refugjatët ukrainas dhe ndihma spontane e ofruar nga polakët po ndërton një marrëdhënie cilësisht të re midis dy vendeve. Ndërkohë, krimet e kryera nga ushtria e Putinit kundër popullsisë ukrainase e kanë transformuar qëndrimin dikur miqësor të Ukrainës ndaj Rusisë në një armiqësi të pamëshirshme. Më pas, vendimi i Finlandës dhe Suedisë për të kërkuar anëtarësimin në NATO do të rikonfigurojë rrënjësisht rajonin baltik-skandinav, duke sjellë thellësi të konsiderueshme gjeostrategjike në mbrojtjen e aleancës atje.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, Polonia është shfaqur si vendi kyç i NATO-s në krahun lindor, por edhe si kolonë mbështetëse përgjatë kufirit, njësoj si Gjermania Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë. Megjithëse debati në Washington mbi mbrojtjen agresive (strategjia e mbajtjes së e armikut sa më pranë pikës origjinale të konfliktit) dhe natyrën e vendosjeve të ardhshme të SHBA në Evropë nuk është zgjidhur ende, është logjike të pritet që asetet ushtarake të SHBA përgjatë krahut të rriten gjatë dekadës së ardhshme. Potenciali ushtarak i Polonisë, i nxitur nga blerja e raketave të reja me rreze të gjatë dhe sistemeve të artilerisë, mbrojtjes ajrore, 32 avionë F-35, kombinuar me blerjen nga Polonia të 250 tankeve më moderne M1A2 SEPv3, do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në Lindje. Ky transformim po arrihet nga një bashkëpunim edhe më i ngushtë politik e ushtarak SHBA-Poloni, teksa Amerika planifikon dekadën e ardhshme në Evropë dhe NATO riarmatoset.

Lufta në Ukrainë po hedh themelet për një shpërndarje të re të fuqive në Evropë. Dështimi i politikës për Rusinë, ndjekur për tri dekada nga Gjermania dhe Franca, ka lënë një boshllëk lidershipi në Evropë. Që Gjermania ta rimarrë atë, pavarësisht pozitës dominuese ekonomike të vendit në BE, ajo tani do të duhet të fitojë të drejtën për të udhëhequr. Pyetja kryesore me të cilën përballet Evropa në të ardhmen është se çfarë roli do të luajë Britania në NATO, dhe veçanërisht çfarë roli do të luajë Polonia, si në NATO ashtu dhe në BE.

Flota detare do të mbetet arma e fortë e Britanisë, veçanërisht pasi gara e fuqive të mëdha në Indo-Paqësor po nxehet. Për Poloninë, forcat tokësore do të jenë pjesa qendrore e fuqisë së saj ushtarake. Por asnjë prej tyre, në mënyrë të pavarur apo së bashku, nuk mund të marrë pozicionin udhëheqës në Evropë pa një vendim të qartë nga Washingtoni për të miratuar dhe mbështetur materialisht një rikonfigurim të tillë në kontinent. Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara iu drejtuan dy herë Gjermanisë për të udhëhequr në kontinent, fillimisht në fund të Luftës së Ftohtë, më pas kur administrata Biden ra dakord të hiqte sanksionet mbi Nord Stream 2.

Në secilin prej rasteve, Gjermania ia doli që në vend që të udhëhiqte, duke u fokusuar në mjetet politike dhe ekonomike, e vetëm duke hezituar, të lejonte që dimensioni ushtarak të hynte në llogaritjen e përgjithshme të fuqisë. Washingtoni mund të mendojë e treta e vërteta dhe të zgjedhë sërish Gjermaninë, por realitetet e luftës në Ukrainë, më brutalja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe kërkesat ushtarake shoqëruese, bëjnë që shanset të jenë kundër këtij përfundimi. Atëherë pyetja është se si do të duket Evropa sapo të shtënat në Ukrainë të ndalojnë. Kjo pyetje nuk ka të bëjë me atë se kush dëshiron të udhëheqë Evropën, pasi ka aspirantë të vjetër dhe të rinj; më tepër është se kush është i zoti të udhëheqë. Përgjigjen do ta marrim së shpejti./ Përgatiti Syri.net

* Andrew A. Michta është Dekan i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë në Qendrën Evropiane për Studime Sigurie “George C. Marshall” në Garmisch, Gjermani. Ai është edhe ish-Profesor i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare në Kolegjin Amerikan të Luftërave Detare dhe në Qendrën për Analiza Politike Evropiane në Washington.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco