SHBA reagon pasi Erdogani kundërshtoi anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO

SHBA reagon pasi Erdogani kundërshtoi anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO

12:26, 14/05/2022

Shtetet e Bashkuara thanë se po punojnë për të sqaruar qëndrimin e Turqisë lidhur me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, pas deklaratave të sotme nga Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan se nuk do të mbështeste planet e vendeve nordike për t’u bashkuar me aleancën.

Presidenti Erdogan tha se në ato vende ka “shumë organizata terroriste”.

“Përsa u takon komenteve të Presidentit Erdogan ne po punojmë për të për të qartësuar qëndrimin e Turqisë”, u tha gazetarëve ndihmës Sekretarja për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Karen Donfried.

Ajo shtoi se kjo temë do të diskutohet në takimin ministror të NATO-s gjatë fundjavës në Berlin.

Në takimin e NATO-s në Berlin do të marrë pjesë edhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken. Por ende nuk është e qartë nëse ai do të ketë një takim dypalësh me homologun e tij turk Mevlut Cavusoglu.

Edhe Pentagoni tha SHBA po punon për të sqaruar komentet e presidentit Erdogan, por se pozita e Ankarasë në aleancën e NATO-s nuk ka ndryshuar për shkak të tyre.

“Asgjë nuk ndryshon në lidhje me pozitën e tyre në aleancën e NATO-s. Ne po punojmë për të qartësuar më mirë pozicionin (e tyre),” u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Donfried tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin rrugën e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO.

Ajo shtoi se SHBA mbetet e bindur se aleanca është më e bashkuar se kurrë më parë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Ndërkohë Presidenti Biden pati sot një telefonatë me kryeministren e Suedisë Magdalena Andersson të Suedisë dhe Presidentin e Finlandës Sauli Niinistö.

Zyra e presidentit Niinistö tha se tre udhëheqësit “ndanë shqetësimin e thellë për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.”

“Presidenti Niinistö detajoi hapat e ardhshëm të Finlandës drejt anëtarësimit në NATO. Dhe i tha zotit Biden se Finlanda e vlerëson thellësisht mbështetjen e nevojshme nga Shtetet e Bashkuara,” tha zyra në një deklaratë të shkurtër.

Megjithëse Turqia, ka mbështetur zyrtarisht zgjerimin që kur hyri në NATO, 70 vite më parë, kundërshtimi i saj mund të përbëjë një problem për Suedinë dhe Finlandën duke qenë se anëtarësimi bëhet me consensus mes vendeve të aleancës.

Synimi i Finlandës për të kërkuar anëtarësim në NATO, i bërë publik të enjten, që pritet të pasohet nga Suedia, do të sillte zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore që presidenti rus Vladimir Putin deshi ta parandalonte duke nisur agresionin në Ukrainë.

“Ne po ndjekim zhvillimet në lidhje me Suedinë dhe Finlandën, por nuk kemi pikëpamje pozitive,” u tha presidenti Erdogan gazetarëve në Stamboll, duke shtuar se NATO kishte gabuar kur pranoi si anëtare Greqinë.

“Ne nuk duam të përsërisim gabime të ngjashme. Për më tepër, vendet skandinave janë streha për organizatat terroriste,” tha zoti Erdogan pa dhënë detaje të mëtejshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kishte thënë se finlandezët do të “mirëpriteshin ngrohtësisht” dhe premtoi një proces “të qetë dhe të shpejtë” të pranimit, i cili mbështetet gjithashtu nga Uashingtoni.

Por Turqia ka kritikuar vazhdimisht Suedinë dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore për trajtimin e organizatave të konsideruara terroriste nga Ankaraja, përfshirë grupet militante kurde PKK dhe YPG, dhe përkrahësit e klerikut islamik me bazë në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen.

Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto bëri thirrje për një qasje të matur në përgjigje të qëndrimit turk ndaj anëtarësimit të Finlandës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco