Imazhet satelitore tregojnë grumbullimin e forcave ruse pranë Ukrainës

Imazhet satelitore tregojnë grumbullimin e forcave ruse pranë Ukrainës

18:34, 27/01/2022

Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa në kufijtë e saj me Ukrainën dhe shtetet perëndimore kanë frikë se Moska po planifikon një sulm të ri ndaj një vendi që e pushtoi në 2014-n.

Tashmë janë publikuar edhe imazhe satelitore që tregojnë se Rusia ka grumbulluar forcat në kufi me Ukraninë.

Pamjet e më poshtme tregojnë forca të shumta përgjatë kufirit.

Ndërkohë, NATO-ja po shikon mundësinë e dërgimit të disa trupave në Sllovaki, sipas ministrit të jashtëm të vendit, Ivan Korçok.

Ai tha se nuk është marrë ende asnjë vendim, por diskutimet janë duke u zhvilluar.

Komentet e tij vijnë pasi SHBA u ka kërkuar aleatëve të tjerë të NATO-s që të konsiderojnë vendosjen e qindra trupave të tjerë në Evropë.

NATO vendosi grupe beteje në Poloni dhe shtetet baltike, pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014. Ndërkohë, SHBA kërkon përforcime të mëtejshme në Rumani dhe Bullgari.

Më herët, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse Alexei Zaitsev tha se “vendi ynë nuk ka ndërmend të sulmojë askënd. Ne e konsiderojmë të papranueshëm edhe mendimin e një lufte mes popullit tonë”.

Varësia e Evropës nga gazi rus është vënë sërish në qendër të vëmendjes ndërsa tensionet mbi Ukrainën janë rritur.

Por SHBA e ka një plan. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë në fillim të kësaj jave se administrata Biden po përgatitet të finalizojë një marrëveshje për të “siguruar që Evropa të jetë në gjendje t’ia kalojë dimrit dhe pranverës” duke ndërmjetësuar një marrëveshje që vendet kryesore prodhuese të gazit të dërgojnë gaz natyror të lëngshëm (LNG) deri cisternë për në Evropë.

Siç raporton “The Guardian” ky nuk është një plan pa sfida.

SHBA-ja ka thënë se bisedat e saj janë “vërtet të gjera, me shumë kompani dhe vende anembanë botës” kështu që nuk do t’i duhet “të kërkojë nga ndonjë kompani apo vend individual të rrisë eksportet me vëllime të konsiderueshme, por me vëllime më të vogla, nga një mori burimesh”.

Ndërkohë, Gjermania ka paralajmëruar sanksione që do të prekin edhe Nord Stream 2 nëse Rusia pushton Ukrainën

Gjermania është zotuar se do të godasë Rusinë me “sanksione të forta” nëse ajo pushton Ukrainën, duke përfshirë tubacionin e diskutueshëm Nord Stream 2, i ndërtuar për të sjellë gazin rus në Evropë, raporton AFP.

“Ne po punojmë për një paketë të fortë sanksionesh me aleatët perëndimorë që mbulon disa aspekte përfshirë Nord Stream 2”, tha Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock në parlament.

Deklarata e saj erdhi menjëherë pasi Departamenti i Shtetit tha se furnizimi me gaz përmes Nord Stream 2 nuk do të ecë përpara nëse Rusia pushton Ukrainën.

Nord Stream 2 do të dyfishojë furnizimet me gaz natyror të lirë nga Rusia në Gjermani.

Megjithëse tubacioni prej 10 miliardë eurosh u përfundua në shtator, ai është ende në pritje të miratimit nga rregullatorët gjermanë dhe të BE-së.

Në të njëjtën kohë, ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck pranoi se nëse do të vendoseshin sanksione kundër Rusisë, ekonomia gjermane gjithashtu do të vuante.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco