Mafia shqiptare bën ligjin në trafikun ndërkombëtar të drogës

Mafia shqiptare bën ligjin në trafikun ndërkombëtar të drogës

15:22, 19/01/2022

Nga Vincenzo Musacchio

Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit (UNODC) ka konfirmuar atë çka është zbuluar prej kohësh nga studiuesit e kriminalitetit të organizuar: mafiet shqiptare luajnë në Evropë një rol primar në trafikun dhe tregtinë e lëndëve të ndaluara.

Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian tani përjetojnë dominimin mafioz shqiptar. Gjendemi përballë një fenomeni kriminal që vazhdon të rritet e të zhvillohet. Shqiptarët fillimisht punonin për grupe të krimit të organizuar të kombësive të tjera, si italiane, turke, ruse e të tjera.

Sot nuk kanë më një rol plotësues por të barabartë me klanet e tjerë që operojnë në Evropë. Kjo ka ardhur pasi liderët mafiozë shqiptarë janë mjaft të mprehtë e inteligjentë dhe i kanë mësuar shpejt strategjitë e mënyrat për të marrë trafikun e drogës nga grupet e ndryshme kriminale me të cilët kanë bashkëpunuar. Në këtë mënyrë kanë zhvilluar një aftësi operative dhe potencial investimi ekonomik për t’u bërë të pavarur. Reputacioni që kanë për besueshmëri dhe përpikmëri në trafikun dhe tregtimin e drogës së cilësisë së lartë me çmim mjaft konkurrues e ka përshpejtuar rritjen e statusit të tyre si narkotrafikues të nivelit të parë.

Shqiptarët garantojnë dërgesat e drogës deri në pikën e dorëzimit, nuk kanë të penduar në radhët e tyre, nuk u besojnë kurrë të tretëve dhe kjo përbën siguri për blerësit. Ofrojnë kokainë, heroinë e kanabinoidë të cilësisë së lartë me çmime të leverdishme. Pas rikthimit të Afganistanit nën sundimin e talibanëve, Shqipëria do të ketë një rol edhe më të rëndësishëm në rrugën e drogave nga Orienti drejt Evropës. Klanet shqiptare, edhe përmes ndërmjetësimit të ’ndranghetas, kanë marrëdhënie të mira në Amerikën Latine (Brazil, Kolumbi, Ekuador e Venezuela), dhe kontakte në portet e Anversës (Belgjikë) e Roterdamit (Holandë), drejt të cilëve vijnë dërgesat nga Amerika Latine.

E gjitha kjo i bën gjithnjë e më të fortë dhe u rrit dukshëm mundësitë për fitime e rrjedhimisht edhe për të korruptim në vend të dhunës, nga e cila nuk kanë hequr dorë. Në pesë vitet e fundit, 2016-2021, organizatat kriminale shqiptar e kanë zgjeruar perimetrin e pikave të hyrjes, me prani të vazhdueshme në vende si Hamburgu (Gjermani), Valencia e Algeciras (Spanjë), bashkë me praninë e ndikimin në rritje në Britaninë e Madhe.

Image

Kanë nisur të zgjerojnë edhe tregjet, me shpërndarjen e drogave të raportuara në Gjermani, Suedi, Australi e Zelandën e Re. Grupet kriminale të organizuara shqiptare kanë raporte të ngushtë me mafiet italiane, duke bashkëpunuar në trafikun ndërkombëtar të drogës (Holandë, Spanjë, Portugali, Britani). Brezi i ri i mafias shqiptare ka interesa në pjesë të ndryshme të botës. Në Dubai riciklojnë një pjesë të parave të pista. Në Greqi kanë kompani guackë që i shfrytëzojnë për fshehjen e fitimeve në pará e mallra.

Në Britaninë e Madhe e në Itali luajnë në bursë. Shumë nga fitimet e drogës ri-investohen në projekte ndërtimi e turizmi në Shqipëri dhe përdoren për të ndikuar te politika e për të financuar korrupsionin.

Aktualisht, mafiet shqiptare planifikojnë të pushtojnë edhe vendet nordike, ku çmimet e drogave, kokaina e para, mbeten të larta dhe aksesi është më i kufizuar në krahasim me Evropën perëndimore. Australia është një shembull gjeografie që nuk përbën pengesa për trafikun dhe tregtimin e drogave, ndërsa portet e bregut perëndimor të Amerikës Latine përdoren për dërgesa direkt atje.

Rruga ballkanike vazhdon të jetë një kanal strategjik për drogën, në veçanti për heroinën dhe droga të tjera në transit nga Afganistani në Evropën perëndimore. Pjesa më e madhe e drogës transportohet në rrugë. I vlen të përmendet që shkalla e interceptimit për heroinën në Ballkanin perëndimor është relativisht e ulët. Sasi të mëdha heroine kanë sekuestruar edhe në Turqi e Iran para se të mbërrijnë Ballkanin. Ka sekuestrime të shumta heroine edhe në Evropën perëndimore. Grupet shqiptare megjithatë nuk pësojnë dëme të mëdha dhe duket se kontrollojnë pjesën më të madhe të rrugëve (pasi kanë mbushur boshllëkun e lënë nga grupet kurde e turke).

Sipas UNODC, shqiptarët janë të përfshirë jo vetëm në tregtim, por edhe në transport e logjistikë. Ndërsa heroina zhvendoset nga Afganistani në Evropë përmes Ballkanit, shqiptarët tashmë e kanë nisur punën për prodhimin e heroinës nga opiumi dhe po lëvizin edhe në drejtim të drogave sintetike. Faktori që e zbulon këtë tendencë të re është një substancë kimike që tregtohet përgjatë rrugës ballkanike: anhidridi acetik, i cili shërben për të krijuar heroinë përmes një reaksioni kimik. Klanet shqiptare kontrollojnë edhe portet e tyre, ato kroate, malazeze e sllovene në Adriatik dhe i përdorin për trafikun drejt Evropës perëndimore.

Bregu i Adriatikut tashmë është një nyje e drogës, ku ndërthuren grupe kriminale shqiptare, ballkanike e italiane. Lufta mes bandave të lidhura me drogën sot është zëvendësuar nga paqja mafioze dhe marrëveshjet për ndarjen e mundësive të mëdha për fitime. BE duhet të rritë vigjilencën, ndryshe për një kohë të shkurtër rrezikon nokautin përfundimtar në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.

Marr nga HuffingtonPost-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco