Kubanezët po presin në radhë 12 orë për të blerë ushqimet bazë

Kubanezët po presin në radhë 12 orë për të blerë ushqimet bazë

20:22, 15/01/2022

Kriza ekonomike e Kubës është përkeqësuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kjo ka sjellë situatën që banorët e shtetit komunist duhet të presin 12 orë në radhë për ushqimet bazë.

Sipas Daily Mail, kubanezët janë mësuar me kufizime të ndryshme gjatë sundimit 60-vjeçar të regjimit, sepse shpesh nuk kishin akses në gjërat elementare si uji i pijshëm apo tualetet. Por pandemia i ka bërë gjërat edhe më keq.

 

"Kam kaluar pothuajse gjithë natën këtu për të blerë diçka. Nuk është e lehtë. Është një problem i madh të blesh diçka për të ngrënë", deklaroi Edelvis Miranda, e cila u gjet nga gazetarët para një supermarketi ku ajo kaloi 11 orë duke pritur. Ajo thotë se nuk i vjen keq për pritjen sepse ka arritur të gjejë dy litra vaj, dy pako pulë, pak mish të grirë dhe detergjent. Megjithatë, ajo do të duhet të rreshtohet sërish në radhe për nesër.

Kuba ka një normë rekord inflacioni prej 70 për qind në vitin 2021. Ekonomia filloi të rimëkëmbet pak në vitin 2020, por tani po zhytet sërish në kaos. Mungesa e ushqimeve bazë është shkaktuar nga pandemia dhe një reduktim drastik i importeve në një vend me më shumë se 11 milionë banorë dhe kriza e re është tashmë më e rënda në tre dekadat e fundit.

Importet janë thelbësore për këtë vend, pasi 80 për qind e furnizimeve vijnë në ishull nga importet dhe importet ishin në nivelin më të ulët që nga viti 2009 vitin e kaluar. Mungesa prek të gjithë, madje edhe shtresat më të pasura të shoqërisë, të cilët shpesh paguajnë të tjerët të qëndrojnë në radhë para dyqanit për t'u blerë ushqime.

Konfuzion krijon edhe fakti se disa dyqane pranojnë vetëm valutë, por dollari amerikan nuk është më një mënyrë e ligjshme pagese dhe është e vështirë të arrihet. Megjithatë, dyqanet që pranojnë monedha të huaja janë përgjithësisht të pajisura shumë më mirë. Një problem shtesë është se njerëzit ndonjëherë qëndrojnë para dyqanit me orë të tëra në mënyrë që, sapo të hyjnë, të kuptojnë se nuk e gjejnë atë për të cilën kanë ardhur.

Në disa dyqane nuk ka as qumësht. Kur produkte të tilla rishfaqen në rafte, ato shiten brenda pak orësh. Megjithëse mungesat e këtij lloji janë të zakonshme në Kubë, e përditshmja britanike thekson se gjërat u përkeqësuan ndjeshëm edhe para pandemisë, pasi ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shtrëngoi sanksionet.

Situata u ndërlikua më tej nga reforma monetare e nisur vitin e kaluar, e cila rriti pagat në një vend ku shumica e njerëzve punojnë në sektorin publik, por gjithashtu rriti në mënyrë dramatike inflacionin. Në përpjekje për t'i dhënë fund kësaj krize të vështirë, autoritetet kubane po kontrollojnë çdo klient për t'i dhënë çdo kubani akses në sendet ushqimore bazë. Megjithatë, ka individë që e përdorin këtë situatë për përfitimin e tyre.

Autoritetet në Havanë thonë se mënyra më e mirë është rritja e prodhimit vendas dhe ngadalë kanë filluar të hapin ekonominë ndaj sipërmarrësve privatë. Por është një proces që do të marrë kohë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco