Rritet presioni kundër pushtetit të Vuçiqit

Rritet presioni kundër pushtetit të Vuçiqit

19:04, 04/12/2021

Këto protesta vijnë pas dekadash të neglizhencës, pasi Serbia përballet me probleme të mëdha mjedisore, siç janë ndotja e ajrit dhe ujit, menaxhimi i dobët i mbeturinave dhe çështje të tjera. Para nisjes së tubimeve, Ministria e Brendshme serbe paralajmëroi se bllokimet e rrugëve janë të jashtëligjshme
Mijëra qytetarë protestuan dhe bllokuan rrugët në Beograd dhe disa qytete të tjera në mbarë Serbinë, për të kundërshtuar ndryshimet ligjore, që sipas tyre favorizojnë kompanitë private në dëm të qytetarëve dhe mjedisit.

Protestuesit më 4 dhjetor bllokuan rrugët kryesore dhe një autostradë në Beograd, ndërkaq protesta të ngjashme u organizuan edhe në Novi-Sad, Zrenjanin, Shabac, Nish, Kragujevc, Suboticë, Uzhicë dhe Rashkë. Gjatë këtyre protestave u raportuan incidente të vogla.

Në Novi-Sad u raportua për një përleshje mes protestuesve dhe një grupi të rinjsh, të cilët hodhën gurë në drejtim të personave që protestonin. Policia nuk ishte e pranishme gjatë protestës që zgjati disa orë.

Kjo është fundjava e dytë me radhë që qytetarët protestuan kundër vendimeve të fundit të autoriteteve për të ulur pragun e referendumit dhe për të lejuar shpronësimin e shpejtë të pronës private, nëse autoritetet e vlerësojnë se është në interes të publikut.

Këto protesta vijnë pas dekadash të neglizhencës, pasi Serbia përballet me probleme të mëdha mjedisore, siç janë ndotja e ajrit dhe ujit, menaxhimi i dobët i mbeturinave dhe çështje të tjera.

Para nisjes së tubimeve, Ministria e Brendshme serbe paralajmëroi se bllokimet e rrugëve janë të jashtëligjshme.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të ndërmerren veprime ndaj protestuesve për aq kohë sa ata nuk vënë në rrezik jetën dhe pronën e qytetarëve dhe të institucioneve.

Më 27 nëntor, mijëra protestues bllokuan rrugë dhe ura në Beograd, Novi-Pazar, Zrenjanin, Shabac, Kragujevc dhe qytete të tjera serbe.

Grupet që kundërshtuan protestat e aktivistëve mjedisorë u përleshën mes vete në disa qytete dhe disa protestues u ndaluan nga autoritetet e rendit.

Protestave, që po organizohen nga organizata joqeveritare, u janë bashkuar edhe përfaqësuesit e disa partive opozitare dhe shoqatave lokale, transmeton REL-i.

Grupet e mjedisit dhe organizatat e shoqërisë civile argumentojnë se ndryshimet e fundit ligjore në Ligjin për shpronësim dhe Ligjin për referendum do të hapin rrugën për kompanitë e huaja për të anashkaluar pakënaqësitë e qytetarëve për projektet, siç është edhe projekti i kompanisë “Rio Tinto” që ka nisur ndërtimin e një miniere të litiumit në perëndim të Serbisë.

Autoritetet serbe kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ligjet e miratuara ishin të nevojshme për shkak të projekteve infrastrukturore.

Vuçiqi është shprehur se do të mbahet referendum lidhur me minierën e “Rio Tintos”.

Ekspertët kanë paralajmëruar se ndërtimi i minierës së litiumit në perëndim të Serbisë do të shkatërronte tokat bujqësore dhe do t’i ndote ujërat.

Kompania “Rio Tinto” ka thënë se do t’i respektojë të gjitha ligjet serbe dhe ka mohuar se projekti për minierën rrezikon mjedisin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco