Shqetësimet e NATO-s/ Rusia përqëndron ushtrinë në kufirin me Ukrainën

Shqetësimet e NATO-s/ Rusia përqëndron ushtrinë në kufirin me Ukrainën

12:19, 30/11/2021

Zhvendosja e forcave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën ka sjellë shqetësim për aleancën veriatlantike.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë nisur këtë të martë një diskutim në Riga të Letonisë për qëllimin e mundshëm të presidentit Vladimir Putin për grumbullimin e trupave ruse në kufijtë e Ukrainës dhe se cila duhet të jetë përgjigja e aleancës. Këto bisedime vijnë pak ditë pasi edhe Bjellorusia njoftoi stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të ndajë me homologët informacione të inteligjencës amerikane sa i përket infrastrukturës dhe qëllimet e ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën.

“Ne nuk jemi të qartë në lidhje me qëllimet e Rusisë, por ajo që dimë është se ka një përqendrim të pazakontë të forcave ushtarake ruse pranë Ukrainës”, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Rusët kanë zhvendosur në kufi me Ukrainën arsenal të rëndë ushtarak, njësi të blinduara, drone, sisteme të luftës elektronike dhe dhjetëra mijëra trupa të gatshme për luftim," tha Stoltenberg pasi vizitoi trupat e NATO-s në Riga të Letonisë.

Në maj, trupat ruse numëronin 100,000 efektivë në kufirin me Ukrainën, numri më i madh që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, thonë zyrtarët perëndimorë.

Javën e kaluar, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka reaguar për deklaratat duke thënë se "lëvizja e forcave tona të armatosura në territorin tonë nuk duhet të shqetësojë askënd". 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco