Vrasja në filmin ‘Rust’, prokurorja e Santa Fe nuk përjashton akuzën penale

Vrasja në filmin ‘Rust’, prokurorja e Santa Fe nuk përjashton akuzën penale

12:21, 27/10/2021

Një prokurore në shtetin New Mexico nuk e ka përjashtuar mundësinë e akuzave penale për vdekjen e Halyna Hutchins në sheshin e xhirimeve të filmit ‘Rust’, bëri të ditur një zëdhënës sot, duke thënë se incidenti është ende nën hetim.

Lajmet për mundësinë e akuzave penale u raportuan fillimisht të martën nga New York Times, pas një interviste telefonike me Mary Carmack-Altwies, prokurore e kontesë Santa Fe.

‘Nuk kemi përjashtuar asgjë’, tha prokurorja. ‘Gjithçka është mbi tavolinë aktualisht, përfshirë akuzën penale’.

Carmack-Altwies sqaroi për gazetën se termi ‘armë skenike’ është çorientues dhe se arma që vrau Hutchins ishte ‘armë e mirëfilltë’, duke e përshkruar si një ‘armë e vërtetë e erës antike’.

Sipas raportit, Carmack-Altwies tha se hetimi po përqendrohet te balistika për të përcaktuar se çfarë fishekësh u përdorën dhe kush i futi në pistoletën me të cilën qëlloi aktori Alec Baldwin.

Ajo sqaroi edhe se raportimet e gazetave se anëtarët e ekipit të filmit i kishin përdorur armët me municion të vërtetë për praktikë qitjeje pak orë para ngjarjes ishin ‘të pakonfirmuar’.

Prokurorja i referohej pjesërisht themeluese dhe CEO-s së The Wrap, Sharon Waxman, e cila tha për CNN të hënën se anëtarët e ekipit të ‘Rust’ i kishin përdorur armët me municion të vërtetë disa orë para vrasjes së Hutchins. Një nga ato armë më pas iu dha aktorit Baldwin, i cili shtiu dhe vrau 42-vjeçaren dhe plagosi regjisorin Joel Souza, shkruante The Wrap.

‘Ata shkojnë në zona rurale dhe bëjnë qitje me kanaçe birre, me fishekë të vërtetë. Kemi mësuar se kjo ndodhi mëngjesin e ditës kur u vra Halyna Hutchins’, tha Waxman.

Souza, i cili u plagos në shpatull, iu tha hetuesve se arma u shkrep teksa Baldwin po praktikonte nxjerrjen e shpejtë nga këllëfi. Ai shpjegoi se Baldwin ‘ishte ulur në një bankë në kishë dhe po praktikonte nxjerrjen tërthorazi të armës’. Nxjerrja tërthorazi është kur qitësi nxjerr armën në anën e kundërt të trupit me dorën me të cilën e kap atë.

Souza konfirmoi edhe se kishte dëgjuar termin ‘armë e ftohtë’ në xhirim, që do të se arma e zjarrit duhet të kishte qenë bosh.

Ai tha se tre persona iu jepnin armët aktorëve për skenat, pasi ato kontrolloheshin nga armëtari dhe asistent regjisori i parë.

Ndërkaq, rezultati përfundimtar i autopsisë së Hutchins mund të kërkojë disa javë. Autopsia do të përcaktojë përfundimisht se çfarë plumbi ishte ai që vrau Hutchins. Autoritetet mjekoligjore nuk japin detaje në lidhje me plumbat e përdorur në raste fatale pa dalë ende rezultati përfundimtar i autopsisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco