Amerika gati të presë më shumë se 50 mijë refugjatë afganë

Amerika gati të presë më shumë se 50 mijë refugjatë afganë

16:27, 22/10/2021

Më shumë se 50,000 refugjatë afganë të cilët ndodhen aktualisht në bazat ushtarake amerikane, do të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara gjatë muajve të ardhshëm. Pjesa më e madhe e tyre do të vendoset në Kaliforni dhe Teksas. Sikurse njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Mike O’Sullivan, komuniteti afgano-amerikan dhe zyrtarët lokalë, po bëhen gati.

Në San Diego dhe Los Angelos të Kalifornisë, komuniteti afgano-amerikan zhvilloi protesta të veçanta në muajt gusht e shtator rreth asaj që ata e quajnë, sjellje shtypëse e mizore të qeverisë talebane.

Tashmë ata po përgatiten për ardhjen e refugjatëve afganë. Një punonjës që merret me çështje të ndihmave thotë se refugjatët ndihen të lehtësuar që kanë ikur nga një vend që udhëhiqet nga talebanët.

"Ata janë gjithashtu shumë mirënjohës që Amerika ishte në gjendje t'i pranonte dhe që komuniteti AMEMSA, që përfshin komunitetin arab, të Lindjes së Mesme, myslimanët, si dhe komunitetin e Azisë së Jugut, punoi shumë për të siguruar burime për t'i ndihmuar ata që të gjejnë strehim, si dhe për të siguruar nevojat bazë të tyre”, thotë Fayaz Naëabi, i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike në Kaliforni.

Një afgano-amerikan i cili ka punuar si përkthyes për forcat amerikane, ka ardhur në SHBA me një Vizë Speciale Emigrimi në fund të vitit 2012. Ai po ndihmon në magazinimin e furnizimeve për të sapoardhurit, por gjithashtu shqetësohet për afganët e lënë pas.

“Njerëzit po vdesin, talibanët janë në kërkim të tyre, ata thonë një gjë, por bëjnë një gjë tjetër”, thotë Lutfullah Saadet, emigrant afgan.

Zoti Saadet thotë se dhjetëra anëtarë të familjes së tij po jetojnë me frikë në Afganistan, mes tyre një nga vëllezërit e tij, që dikur punonte për forcat amerikane.

Miliona afganë janë larguar nga lufta gjatë 40 viteve të fundit. Sipas Agjencisë së OKB-së për refugjatët, 90 për qind e atyre që janë larguar nga vendi jetojnë në Iran dhe Pakistan.

Zoti Saadet thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet t’i ndihmojnë ata që i kanë ndihmuar, si dhe të ushtrojnë trysni ndaj talebanëve që të respektojnë të drejtat e njeriut.

"Zgjidhja duhet të jetë që të sigurohemi që talebanët të kenë një qeveri të mirë, një qeveri gjithëpërfshirëse e cila përfaqëson të gjitha racat dhe etnitë në Afganistan, jo vetëm një fis, jo vetëm një parti politike", thotë Lutfullah Saadet, emigrant afgan.

Në Kaliforni do të vendosen më shumë se 5,000 refugjatë afganë, që përbëjnë vetëm grupin e parë të refugjatëve. Disa komunitete po u bëjnë thirrje për ndihmë qeverisë federale dhe banorëve të zonës.

"Të gjithë këta njerëz kanë nevojë të strehohen dhe është e kuptueshme që ata të vendosen me njerëzit që flasin të njëjtën gjuhë e që mund t'i ndihmojë ata të emigrojnë", thotë Joel Anderson përfaqësues i qarkut të San Diegos.

Afgano-amerikanët nuk janë optimistë për të ardhmen e vendit të tyre, por ende shpresojnë për ndryshim.

"Ne duam të shohim një Afganistan të lirë, një Afganistan që është paqësor e që beson se të gjithë njerëzit duhet të gëzojnë të drejta", thotë Fayaz Naëabi, i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike në Kaliforni.

Ndërkohë, dhjetëra mijëra refugjatë afganë do t'u bashkohen shumë të tjerëve që kanë ndërtuar një jetë më të mirë në Amerikë. /Voa/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco