Arrestohen ish-ushtarë gjermanë, dyshohen për plane terroriste në një shtet të huaj

Arrestohen ish-ushtarë gjermanë, dyshohen për plane terroriste në një shtet të huaj

13:00, 20/10/2021

Dy ish ushtarë gjermanë janë arrestuar nën dyshimin se janë përpjekur që të formojnë një forcë mercenare terroriste për të luftuar në luftën civile të Jemenit, thanë prokurorët gjermanë.

Arend-Adolf G. Dhe Achim A. përballen me akuza për terrorizëm pas bastisjeve të policisë në jug të Gjermanisë të mërkurën, shkruan BBC.

Dyshohet se këta dy ish-ushtarë e kishin planifikuar rekrutimin e 150 burrave për një ushtri private të përbërë nga ish-policë dhe ish-ushtarë.

 

Ata donin që shërbimet t’ia ofronin qeverisë së Arabisë Saudite për misionet e paligjshme në Jemen, thanë prokurorët.

Sipas prokurorëve, ish-ushtarët e akuzuar donin që Arabia Saudite t’ua financonte operacionet private në Jemen. Të dyshuarit u munduan që t’i kontaktojnë agjencitë e qeverisë së Arabisë Saudite, por nuk morën përgjigje dhe përpjekjet e tyre ishin të pasuksesshme.

Prokurorët pretendojnë se Arend-Adolf G. Dhe Achim A. kishin vendosur që të formojnë një forcë mercenare nën komandën e tyre ekskluzive në fillim të këtij viti. Sipas prokurorëve, dy të akuzuarit planifikonin që secilit anëtar të grupit t’i jepnin rrogë prej rreth 40.000 eurosh në muaj.

Arend-Adolf G. Dyshohet se tashmë është përpjekur që të rekrutojë të paktën shtatë persona.

Revista gjermane “Spiegel”, e cila e para raportoi për arrestimet, tha se forca mercenare ishte e planifikuar për të sulmuar dhe kapur zona që janë nën kontrollin e rebelëve Houthi në Jemen.

Prokurorët gjithashtu dyshojnë se burrat e akuzuar donin që ta reklamonin shërbimin e tyre ushtarak për t’u angazhuar në konflikte tjera.

Duke cituar burime, revista “Spiegel” tha se një informatë nga Shërbimi Ushtarak i Kundërzbulimit (MAD) bëri që hetuesit t’u bien në gjurmë dy burrave të dyshuar.

Njëri nga të akuzuarit u arrestua në Mynih dhe tjetri në distriktin jugperëndimor, Breisgau-Hochschwarzwald. Banesat e tyre në Bavari dhe Baden-Wurttemberg janë bastisur.

Të dy të arrestuarit pritet që të dalin në gjykatë të mërkurën në një seancë për caktimin e paraburgimit

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco