Mosmarrveshjet për drejtësinë/ Përjashtimi i Polonisë nga BE, opsion i mundshëm

Mosmarrveshjet për drejtësinë/ Përjashtimi i Polonisë nga BE, opsion i mundshëm

12:15, 19/10/2021

Polonia po rrezikon vlerat e Bashkimit Europian ndaj Komisioni Europian nuk e përjashton marrjen e masave ligjore dhe bllokimin e fondeve për shtetin anëtar.

Në Strasburg u diskutua të martën vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake se legjislacioni i BE-së po shkel ligjin themelor të Polonisë.

Brukseli dhe Varshava po përplasen prej muajsh rreth reformës në drejtësi që qeveria polake thotë se do e çlirojë vendin nga korrupsioni dhe sistemi i vjetër komunist, por është kritikuar se po i heq gjyqtarët pa justifikim dhe po cenon pavarësinë e gjyqësorit.

"Sundimi i ligjit është lënda ngjitëse që e mban bashkë tërë Unionin. Liria, demokracia, barazia dhe respekti për të drejtat e njeriut janë vlerat tona të përbashkëta themelore të cilat nuk do të lejojmë që të vihen në rrezik," u tha eurodeputetëve,  presidentja e Komisionit, Ursula fon der Layen.

Parlamentit Europian iu drejtua edhe kryeministri polak, Mateush Moraviecki.

Ai apeloi vendet anëtare një ditë më parë që të mos e pranojnë transformimin gradual të BE-së nga një aleancë vendesh të lira e sovrane në një organizëm të centralizuar, ku qytetarët europianë nuk ushtrojnë dot kontroll demokratik.

"Të mos përhapim më gënjeshtra se Polonia dashka të largohet nga BE-ja. Kompetencat e BE-së kanë kufij të qartë dhe ne nuk mund të heshtim kur ata kufij kapërcehen. Pra ne i themi po universalizmit europian, por i themi centralizmit europian."

Presidentja Von der Layen i paraqiti Polonisë tri opsione se si mund të dilet nga ngërçi aktual: duke e sfiduar ligjërisht verdiktin e Gjykatës Kushtetuese polake, duke i bllokuar vendit miliarda dollarë fonde për rimëkëmbjen ekonomike, ose duke e përjashtuar vendin nga blloku për shkelje të vlerave themelore të BE-së.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco