Përplasja Francë-Britani për të drejtat e peshkimit, Boris Johnson largon anijet luftarake

Përplasja Francë-Britani për të drejtat e peshkimit, Boris Johnson largon anijet luftarake

19:43, 07/05/2021

Tensionet midis Britanisë dhe Francës në lidhje me të drejtat e peshkimit u ulën të enjten, pasi Britania tërhoqi dy luftanije nga ujërat përreth ishullit britanik të Jersey.

Rreth 20 peshkarexhe franceze lundruan drejt Xhersit të enjten herët, duke hedhur raketa ndriçuese dhe duke shfaqur parulla me thirrje për hyrje në ujërat e Xhersit.

Peshkatarët francezë thanë se po u ndalohej hyrja në ujërat përreth territorit britanik që shtrihet deri afër bregdetit verior të Francës.

Britania dislokoi dy luftanije në këtë zonë për të "monitoruar situatën", ndërsa Franca dërgoi dy anije patrulluese në ujërat franceze përreth Xhersit.

Dimitri Rogoff, president i shoqatës së peshkimit në rajonin e Normandisë Franceze, tha se "demonstrimi i forcës ka mbaruar. Tani, politika duhet të udhëheqë përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje."

Ian Gorst, Ministër për Marrëdhëniet me Jashtë i qeverisë së Xhersit, këmbëngul se ka një zbatim të duhur të rregullave në lidhje me peshkimin rreth ishullit.

“Marrëveshja e re e tregtisë e arritur pas Brexitit është e qartë se duhet të ofrohen prova mbi natyrën dhe historinë e të drejtave të peshkimit”, tha ai të ejten për kanalin Sky News.

Duke folur para ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare, Ministrja franceze për Çështjet Detare, Annick Girardin kërcënoi të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për Jerseyn.

“Ne jemi gati të përdorim këto masa hakmarrëse. Evropa, Franca i ka mundësitë e parashikuara në marrëveshje. Pra, do të doja t'ua kujtoja, për shembull, se ne furnizojmë me energji elektrike Xhersin përmes kabllove të vendosura nën sipërfaqen e detit", tha Ministrja franceze të martën.

Ministri britanik Nadhim Zahawi tha të enjten se qeveria britanike do të kërkonte gjetjen e një zgjidhje për këtë çështje.

"Do të punojmë së bashku për të zgjidhur çdo çështje, çdo problem në mënyrë që kjo marrëveshje historike midis Britanisë dhe BE-së, një nga marrëveshjet më të rëndësishme që kemi arritur, të jetë në funksion të njerëzve, komuniteteve, dhe komunitetit të peshkatarëve”, tha ai për kanalin Sky News.

Peshkimi përbën vetëm 1% të ekonomive britanike dhe evropiane. Por ai është një forcë e fuqishme kulturore dhe politike, thotë eksperti i peshkimit James Kane.

Analistët thonë se tensionet mbi peshkimin ka të ngjarë të vazhdojnë ndërsa Britania kërkon të përmbushë premtimin e saj për Brexitin, për të "rimarrë kontrollin" e kufijve të saj ujor dhe tokësor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco