‘Ata kanë nevojë për ndihmë tani’/ Biden, urdhra për të shpejtuar shpërndarjen e çeqeve

‘Ata kanë nevojë për ndihmë tani’/ Biden, urdhra për të shpejtuar shpërndarjen e çeqeve

22:54, 22/01/2021

Presidenti Joe Biden pritet të nënshkruajë dy urdhra ekzekutivë që synojnë të shpejtojnë lëshimin e pagesave stimuluese në formë çeqesh për familjet amerikane në nevojë si dhe për të rritur ndihmën ushqimore për fëmijët të cilët marrin vakte ushqimore nga shkolla.

Kjo është një përpjekje e zotit Biden për të lehtësuar barrën e njerëzve në këtë kohë pandemie ndërsa Kongresi po negocion rreth fatit të paketës së ndihmës, të propozuar nga ana e tij prej 1.9 trilionë dollarësh.

"Populli amerikan po vuan dhe nuk ka mundësi të presë. Ata kanë nevojë për ndihmë, tani", tha drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, Brian Deese në një konferencë shtypi.

"Ne jemi në një moment të pasigurt lidhur me virusin dhe ekonominë. Pa veprime vendimtare, rrezikojmë të biem në një krizë shumë serioze ekonomike, madje edhe më serioze krahasuar me krizën në të cilën ndodhemi aktualisht", tha zoti Deese. Ai tha se do të bisedonte me ligjvënësit të dielën mbi këtë çështje.

Vendimet e Presidentit Biden nuk zëvendësojnë paketën e ndihmës që pritet të miratojë organi legjislativ tha zoti Deese.

Rreth 16 milionë njerëz marrin aktualisht një ndihmë financiare në formë kompesimi në rast papunësie ndërsa rreth 29 milionë rezultojnë se nuk kanë mjaftueshëm të ardhura për të siguruar ushqim. Gratë, pakicat dhe punonjësit e shërbimeve me të ardhura të ulëta janë dëmtuar më rëndë krahasuar me kategori të tjera. Komuniteti afro-amerikan dhe hispanik përballet me nivele më të larta të papunësisë krahasuar me punonjësit e bardhë.

Si një tregues prove se cili mund të jetë qëndrimi i republikanëve në raport me planet e Presidentit Biden për të miratuar paketën e ndihmës mbi koronavirusin, investimet në infrastrukturë dhe rritjen e taksave, Komisioni i Senatit për Financat votoi unanimisht të premten pro kandidaturës së Janet Yellen për postin e sekretares së Thesarit, duke i hapur rrugë konfirmimit të saj në Senat.

Ligjvënësit republikan kanë vënë në pikëpyetje shumën e ndihmës për pandeminë dhe propozimin e Presidentit Biden prej 2 trilionë dollarësh për infrastrukturën, projektet e energjisë së gjelbër, arsimin dhe kërkimin shkencor.

Shpresat e Presidentit Biden për të bërë përpara me shpejtësi me axhendën e tij legjislative dhe emërimet në kabinet pritet të ndërlikohen nga nisja e gjyqit në Senat ndaj ish-Presidentit Donald Trump në fillim të javës së ardhshme dhe mosmarrëveshjet dypartiake për çështje të ndryshme në një Senat të ndarë në mënyrë të barabartë./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco