Rritja e rasteve me Covid-19, Los Anxhelos në izolim tre-javor

Rritja e rasteve me Covid-19, Los Anxhelos në izolim tre-javor

20:06, 28/11/2020

Në SHBA numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur në mbi 13 milionë që prej fillimit të pandemisë ndërsa ai i viktimave në 264 mijë.

Një rritje e infektimeve me koronavirus ka bërë që qarku i Los Anxhelosit në Kaliforni të lëshojë një urdhër të ri tre-javor, për qëndrim në shtëpi, i cili do të hyjë në fuqi të hënën. Zyrtarët lokalë kishin njoftuar më parë se do të lëshonin një urdhër kufizues kur rastet e reja me COVID-19 të arrinin në mesatarisht 4,500 të prekur në ditë për një periudhë pesë-ditore. Të premten, mesatarja e pesë ditëve të fundit ishte 4,751.

Urdhri ndalon grumbullimet publike apo private të njerëzve që nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi. Dyqanet që konsiderohen thelbësore do të lejohen të qëndrojnë të hapura, duke operuar me gjysmë kapaciteti. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë në ditët në vijim, numri i rasteve të reja COVID-19 mund të duket çorientues, si rezultat i kryerjes të më pak testeve gjatë festës së Falënderimeve dhe orareve të reduktuara të qendrave ku kryen ato.

Numri i rasteve të reja mund të duket më i ulët se zakonisht për shkak të festës, por numrat, thonë ekspertët, nuk do të japin një panoramë të qartë sesi paraqitet situata në vend.

Të premten numri i pacientëve me COVID-19 që po trajtohen në spitalet në të gjithë Shtetet e Bashkuara arriti në 90,000 pas gati dyfishimit në muajin e fundit, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Shtrimet në spital vijnë pas disa javësh rritjeje të normave të infeksionit në Shtetet e Bashkuara./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco