Zgjedhjet/ ‘Nën presion të madh’, Republikanët tërhiqen nga çertifikimi i rezultatit në Miçigan

Zgjedhjet/ ‘Nën presion të madh’, Republikanët tërhiqen nga çertifikimi i rezultatit në Miçigan

18:31, 19/11/2020

Dy anëtarët republikanë të Bordit të Zgjedhjeve të Qarkut Wayne në shtetin e Miçiganit njoftuan se duan të tërhiqen nga çertifikimi i rezultatit për këtë zonë zgjedhore.

Kjo është hera e tretë që ata ndryshojnë qëndrim. Monica Palmer dhe William Hartmann votuan fillimisht të martën kundër çertifikimit të rezultatit, duke krijuar një situatë ngërçi, pasi bordi i zgjedhjeve përbëhet nga 4 anëtarë, dy republikanë dhe dy demokratë.

Zonja Palmer u ankua se në disa zona të Detroitit lista e personave që kishin votuar me postë, në mungesë, nuk përputhej me numrin e votave të hedhura.

Veprimi i tyre nxiti kritika të menjëhershëm nga publiku dhe një qasje politike në një komision që supozohet të konfirmojë vullnetin e votuesve. Pas kritikave, bordi votoi sërish dhe dy anëtarët republikanë u shprehën për çertifikimin e zgjedhjeve.

Më pas, ata ndryshuan sërish qëndrim përmes një deklarate, ku shprehen se votuan për ta çertifikuar rezultatin pas "disa orësh presioni të vazhdueshëm" si dhe pas premtimit për të hetuar lidhur me disa pasaktësi.

Zoti Biden shënoi një fitore të thellë në Wayne, një bastion i demokratëve, duke siguruar dyfishin e votave që mori Presidenti Trump. Sipas rezultateve ende jozyrtare, zoti Biden ka fituar në Miçigan me një diferencë prej 146 mijë votash.

Zyrtarët federalë dhe shtetërorë të të dyja forcave politike i kanë shpallur zgjedhjet e vitit 2020 të sigurta. Të dhënat tregojnë se nuk ka patur prova për manipulime të përhapura në Miçigan, apo në ndonjë shtet tjetër. Por zoti Trump dhe aleatët e tij kanë shpenzuar dy javë duke ngritur pretendime të pabazuara në prova, për manipulime duke mos pranuar të njohin fitoren e zotit Biden./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco