Bullgaria vë veton, bllokon hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE Flamujt e VMRO valëviten mbi kokat e Kryeministrit bullgar Boyko Borissov dhe Kryeministrit maqedonas Zoran Zaev

Bullgaria vë veton, bllokon hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE

07:12, 18/11/2020

Bullgaria ka bllokuar hapjen e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të një mosmarrëveshjeje dypalëshe mbi çështjet historike, konfirmoi të martën Ministri gjerman i Çështjeve të BE, Michael Roth.

"Ata [Shkupi] kanë bërë tashmë shumë dhe ata kanë pretendimet e tyre. Ata duan të jenë pjesë e këtij komuniteti evropian. Ishte një rrugë e gjatë, e vështirë," tha Roth, duke iu referuar faktit që Maqedonia e Veriut më parë ndryshoi emrin e vendit të saj për të përmbushur kërkesat e Greqisë.

Dje u tha shprehimisht se "Bullgaria ka në plan të kundërshtojë fillimin e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë Veriore, shtetin fqinje, pasi të dy vendet ende nuk kanë zgjidhur mosmarrëveshjet mbi historinë dhe gjuhën", sipas një deklarate nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë Ekaterina Zaharieva

"Bullgaria i thotë" Jo " fillimit të negociatave, por nuk jemi duke thënë"Jo" pranimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian," i tha Zaharieva.

Ajo tha se Maqedonia e Veriut nuk po sillet sipas Marrëveshjes së Miqësisë midis dy fqinjëve ballkanikë të nënshkruar në 2017 dhe se ka politika të bazuara në urrejtje ndaj Bullgarisë.

Sofja dëshiron që fqinji i saj të pranojë se kombi dhe gjuha e saj kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron t'i japë fund retorikës anti-bullgare.

Mirëpo Shkupi thotë se identiteti dhe gjuha e tyre as nuk vihen në diskutim.

Megjithë bisedimet në muajin e kaluar që përfshiu edhe Gjermaninë, e cila shpreson që negociatat me Maqedoninë e Veriut mund të fillojnë ndërkohë që Berlini ka presidencën e rradhës të BE deri në fund të vitit, fqinjët e Ballkanit ende nuk kanë arritur një marrëveshje.

“Askush nuk po e konteston të drejtën e tyre për të vetëpërcaktuar kombin e tyre dhe ta quajnë gjuhën e tyre siç iu pëlqen. Por nuk mund të pajtohemi se kjo e drejtë do të bazohet në urrejtje, vjedhje të historisë dhe mohim të Bullgarisë, ”tha Zaharieva.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, tha se ai ishte përgatitur për një veprim të tillë dhe kishte ende kohë deri në fund të dhjetorit për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare për të filluar bisedimet e pranimit.

"Unë pres përgjegjësi, një shenjë miqësie nga pala bullgare," tha Zaev.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani i tha se Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë alternativë tjetër veç agjendës evropiane, duke shtuar se ata do të vazhdojnë të flasin jo vetëm me Bullgarinë, por me të gjitha vendet anëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco