Pensilvani, më shumë se 3 milionë aplikime për fletëvotimi me postë

Pensilvani, më shumë se 3 milionë aplikime për fletëvotimi me postë

22:02, 28/10/2020

Ndërsa ka mbetur edhe një javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit, aplikimet në shtetin e Pensilvanisë për fletëvotime me postë i kanë kaluar të 3 milionët. E marta është dita e fundit për të kërkuar një të tillë dhe mosmarrëveshjet ligjore kanë krijuar pasiguri mbi afatin për t'i marrë ato. Pensilvania konsiderohet si një nga shtetet që mund të vendosë fatin e zgjedhjeve.

Të dhënat e shtetit tregojnë se nga të gjitha aplikimet, rreth 1.9 milionë, ose më shumë se 62 për qind janë dorëzuar tek njësitë e qeverisjes vendore. Më shumë se 9 milionë vetë në Pensilvani janë regjistruar për të votuar, një shifër kjo rekord. Nëse pjesëmarrja do të jetë 70 për qind, gjë që u vu re në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në këtë shtet, kjo do të thotë se do të votojnë 6.3 milionë njerëz.

Sipas të dhënave të shtetit, shumica e njerëzve, 1.9 milionë, që kanë aplikuar për të votuar me postë janë demokratë. Rreth 760 mijë janë republikanë dhe 350 mijë janë regjistruar si të pavarur apo votues për një palë të tretë.

Abby Leafe, demokrate e regjistruar e cila jeton në rrethinat e Filadelfias, kontrolloi të martën më kot kutinë postare ku priste të gjente fletëvotimin e saj.

"Jam duke pritur me dëshpërim që fleta ime e votimit të vijë", thotë zonja Leafe, një 46-vjeçare nga Njutauni, me profesion studiuese e të dhënave mbi tregun. Ajo është një prej miliona nënave që jetojnë në periferi, për mbështetjen e të cilave po luftojnë të dyja palët politike. Zonja Leafe shpreson të votojë me postë, por nëse do të jetë e nevojshme do të shkojë në qendrat e votimit.

"Ia vlen të prekesh nga COVID-19 për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme", thotë ajo.

Shifra e votave të hedhura me postë ka shënuar një rekord, më shumë se 10-fishi i atyre të marra nga qarqet në këtë shtet në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, kur Presidenti Donald Trump mundi demokraten Hillary Clinton në Pensilvani, që që e ndihmoi atë të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

Këtë vit, presidenti Trump dhe ish-Nënpresidenti Joe Biden garojnë për të fituar 20 votat elektorale të Pensilvanisë. Zoti Trump ka pohuar se e vetmja mënyrë që ai ta humbasë këtë shtet është nëse demokratët mashtrojnë.

Demokratët janë kundërpërgjigjur duke thënë se zoti Trump po zhvillon një fushatë masive frikësimi e ndrydhje të votuesve në Pensilvani.

Njësitë e qeverisjes vendore kanë punësuar njerëz e kanë blerë pajisje të reja për përpunimin me shpejtësi të fletëve të votimit ndërsa përgatiten për të mbajtur një proces zgjedhor në kushtet kur shifrat e të infektuarve me koronavirus po rriten. Ndërkohë Gjykata e Lartë pritet të vendosë mbi afatin e pranimit të fletëve të votimit që vijnë me postë.

Lidhur me këtë proçes gjyqësor, të martën konteja Luzerne i kërkoi gjykatëses Amy Coney Barrett të hiqte dorë nga shqyrtimi i çështjes lidhur me një ankim të Partisë Republikane të këtij shteti, që i kërkon Gjykatës së Lartë ta bllokojë kontenë të numërojë ato fletë votimi të dërguara me postë deri tre ditë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Ankimi nga konteja Luzerne erdhi menjëherë pasi zonja Barrett u betua zyrtarisht si anëtarja e nëntë e Gjykatës së Lartë.

Javën e kaluar gjyqtarët u ndanë 4 me 4 mbi kërkesën e Partisë Republikane për të penguar zgjatjen e afateve për votat me postë, duke e lënë atë në fuqi deri në një vendim të gjykatës. Ndërkohë nuk ka ndonjë afat kohor brenda të cilit gjykatësit duhet të votojnë apo ta marrin çështjen në shqyrtim.

Gjykata e Lartë e shtetit të Pensilvanisë vendosi në shtator që zyrtarët e zgjedhjeve të kontesë të numërojnë fletëvotimet me postë që mbërrijnë deri në 6 nëntor, edhe nëse ato nuk kanë një vulë postare të qartë, për sa kohë që nuk ka asnjë provë se ato ishin postuar pas mbylljes së procesit të votimit.

Ndërkohë administrata e guvernatorit Tom Wolf kundërshtoi disa prej pohimeve të zotit Trump të bëra gjatë tre tubimeve të tij të hënën në Pensilvani.

Zoti Trump deklaroi se administrata e zotit Wolf u përpoq ta ndalonte atë që të zhvillonte tubimeve, por zyrtarët e administratës thanë se nuk kishte pasur asnjë kontakt me zyrtarët e fushatës së zotit Trump lidhur me tubimet e saj të hënën.

Zoti Trump gjithashtu u ankua, por pa dhënë prova, gjatë një tubimi në Allentown një ditë më parë si dhe në një postim në Twitter, se Filadelfia po bllokon zyrtarët e fushatës së tij që të vendosnin vëzhgues në qendrat e votimit.

"Nuk mund të kemi vëzhgues në votime ka thënë gjykatësi", u tha zoti Trump pjesëmarrësve në tubime. "Ata na sfiduan mbi këtë çështje sepse nuk duan që ketë njerëz që t'i shohin ndërsa numërojnë", shtoi ai.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump nuk janë bllokuar që të ketë vëzhgues në votime.

Fushata e zotit Trump ka paditur bordin zgjedhor të Filadelfias për ta detyruar atë të lejojë përfaqësuesit e fushatës të monitorojnë zyrat zgjedhore atje ku njerëzit mund të regjistrohen për të votuar, atje ku aplikojnë për të marrë një fletë votimi me postë, e më pas duke e plotësuar e postuar.

Një gjykatës i Filadelfias dhe një gjykatës i apelit për shtetin, arritën në të njëjtin përfundim, se ligji i Pensilvanisë nuk lejon monitorimin e këtyre veprimtarive.

Zyrtarja më e lartë për zgjedhjet e zotit Wolf, Kathy Boockvar, tha se zoti Trump po përhap dezinformacion duke shtuar se çdo qark do të emërojë vëzhgues për votimet para ditës së zgjedhjeve.

"Filadelfia dhe çdo qark tjetër në shtet mund të ketë vëzhgues në zgjedhje. Kjo nuk ka ndryshuar. Votuesit duhet të injorojnë dezinformimin. Ka keqinformim në shkallë të gjerë dhe njerëzit nuk duhet t'i shpërndajnë postimet në twitter kur informacioni është i pasaktë. Pensilvania ka ligje shumë të qarta", tha zonja Boockvar në një konferencë për shtyp të martën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco