Senati me shumicë republikane konfirmon Amy Coney Barrett në Gjykatën Supreme

Senati me shumicë republikane konfirmon Amy Coney Barrett në Gjykatën Supreme

11:35, 27/10/2020

Senati amerikan konfirmoi emërimin e Amy Coney Barrett si gjyqtare në Gjykatën Supreme, përmes një votimi më 26 tetor.

Emërimi i saj pritet të ndryshojë ekuilibrin e gjykatës – 6 konservatorë, 3 liberalë – duke e ndryshuar potencialisht edhe drejtimin e saj ideologjik për dekadat që do të vijnë.

Kjo po konsiderohet edhe si fitore politike e presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump e përshëndeti konfirmimin e Barrett duke e quajtur atë një grua me "bujari, besim dhe karakter të shkëlqyeshëm" gjatë një ceremonie betimi në Shtëpinë e Bardhë, menjëherë pas votimit.

"Kjo është një ditë e rëndësishme për Amerikën, për Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe për sundimin e drejtë dhe të paanshëm të ligjit", tha presidenti Trump.

Barrett bëri dy betimet e para që i duhen për t'u bashkuar zyrtarisht në gjykatë. Gjyqtari Clarence Thomas, anëtari më jetëgjatë i gjykatës, lexoi betimin ndërsa Barret mbajti dorën e djathtë lartë dhe e vendosi të majtën në një Bibël.

Betimi i dytë do të administrohet privatisht nga kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, më 27 tetor.

Votimi në Senat kaloi me 52 vota për dhe 48 kundër.

Demokratët e kanë kundërshtuar nominimin, i cili, sipas tyre, është bërë shumë pranë zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Ata thoshin se fituesi i zgjedhjeve duhet të zgjidhte të nominuarin për Gjykatë Supreme.

Trump, po lufton për rizgjedhje kundër rivalit demokrat, Joe Biden.

Gjyqtarja Barrett do të jetë pjesë e seancës më 10 nëntor, në një rast në të cilin Trump dhe shtetet e udhëhequra nga republikanët po kërkojnë të zhvlerësojnë reformën e kujdesit shëndetësor të SHBA-së, të vendosur gjatë administratës së ish-presidentin, Barack Obama. Ligji i vitit 2010 është i njohur gjerësisht si Obamacare.

Demokratët i kanë kërkuar Barrett të heqë dorë nga kjo çështje si dhe çdo rast që përfshin rezultatin e zgjedhjeve.

*Video nga arkivi: Pesë gjëra që duhet t'i dini për gjyqtaren Barrett

Kjo pasi Trump ka thënë që gjykata ka të ngjarë të shqyrtojë çështje për kontestet e mundshme zgjedhore.

Trump ka treguar se ai do të priste që gjykata të vendoste në favor të tij nëse Barrett konfirmohet.

Në komentet e saj Barrett ka deklaruar pavarësinë e saj nga Trump dhe procesi politik.

"Betimi që kam bërë solemnisht sonte do të thotë në thelbin e tij unë do ta bëj punën pa frikë dhe favorizim dhe do ta bëj atë në mënyrë të pavarur nga politika dhe nga preferencat e mia", tha ajo.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, demokrati Chuck Schumer, tha se emërimi i Barrett në Gjykatën Supreme është "pjesë e një përpjekjeje të gjatë për të arritur përmes gjykatave atë që republikanët nuk mund të arrinin kurrë përmes Kongresit".

Por, Trump tha që Barrett do të vendosë një drejtësi të jashtëzakonshme.

Nominimi i Barrett për Gjykatën Supreme, vjen pas vdekjes së gjyqtares liberale, Ruth Bader Ginsburg, e cila ndërroi jetë në shtator.

Trump, i cili më parë ka emëruar konservatorët Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh në Gjykatën Supreme, tha se Barrett e ka mahnitur popullin amerikan gjatë procesit të konfirmimit dhe "e bëri të qartë se ajo do të nxjerrë vendime bazuar vetëm në leximin besnik të ligjit dhe kushtetutës ".

Shumë të pranishëm në ceremoninë e betimit të Barret, që u mbajt në ambient të hapur, kishin maska mbrojtëse dhe vendet ishin të ndara për të siguruar distancën fizike.

 

Një ngjarje e ngjashme një muaj më parë u ndërlidh me përhapjen e koronavirusit. Pak persona kishin veshur maska në atë ngjarje, të cilën Trump e mbajti për të emëruar zyrtarisht Barrett për të zëvendësuar Ginsburg.

Ngjarja më vonë u konsiderua si një ngjarje "superpërhapëse e koronavirusit". Pas pak, një valë e rasteve me koronavirus goditi republikanët e lartë që morën pjesë në atë ceremoni, duke përfshirë presidentin dhe gruan e tij, Zonjën e Parë, Melania Trump. Presidenti kaloi tre net në spital duke marrë trajtim për sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco