Trump: S'kam tundur 'flamurin e bardhë' kundër pandemisë, Biden duhet të dalë nga qilari

Trump: S'kam tundur 'flamurin e bardhë' kundër pandemisë, Biden duhet të dalë nga qilari

06:30, 27/10/2020

Presidenti Donald Trump thotë se nuk ka hequr dorë nga lufta kundër koronavirusit, duke iu kundërvënë kritikave të rivalit demokrat Joe Biden se administrata e tij “ka ngritur flamurin e bardhë të dorëzimit”.

Në komentet për gazetarët kur mbërriti në qytetin Allentaun për tubimin e parë ndër tre aktivitete të planifikuara për të hënën në shtetin e lëkundur të Pensilvanisë, presidenti tha se zoti Biden “ka ngritur flamurin e bardhë përballë jetës. Ai duhet të dalë nga qilari. Ky njeri nuk del nga qilari ndonjëherë”, njofton Zëri i Amerikës.

Zoti Biden të shtunën zhvilloi dy aktivitete në Pensilvani, ku njerëzit e ndoqën nga makinat e tyre duke respektuar protokollin për mbrojtje nga koronavirusi.

Të hënën zoti Biden u kthye në Pensilvani, duke e akuzuar presidentin se po zhvillon aktivitete fushate që kthehen në vatra infeksioni. Pensilvania është një ndër shtetet e lëkundura me një numër të konsiderueshëm votash elektorale dhe me rëndësi kritike për palët në këto zgjedhje.

Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows tha për televizionit CNN të dielën se Shtetet e Bashkuara “nuk do ta vënë nën kontroll” pandeminë e koronavirusit, duke i dalë në mbrojtje vendimit të administratës dhe Presidentit Trump për të zhvilluar tubime me pjesëmarrje të lartë, ku njerëzit rrallë herë vënë maska, si dhe aktivitete të tjera megjithëse janë intensifikuar ritmet e përhapjes së virusit.

Zoti Meadows i tha gjithashtu televizionit CNN, "Ne do të kontrollojmë faktin që do të bëjmë vaksina, terapi dhe masa lehtësuese në aspekte të tjera".

Zoti Biden, i cili është më përpara se Presidenti Trump në shumicën e sondazheve në shkallë vendi si dhe në shtetet fushë-betejë, u kundërpërgjigj menjëherë, duke thënë se Presidenti Trump ka provuar që është i paaftë për të kontrolluar shpërthimin e virusit.

"Nuk është se zoti Meadows u shpreh gabim", tha kandidati Biden në një deklaratë. “Ishte një pohim i sinqertë i strategjisë që ka ndjekur që në fillim administrata Trump: duke ngritur flamurin e bardhë të humbjes me shpresën se duke e injoruar pandeminë, virusi thjesht do të zhduket. Kjo nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë.”

Zoti Biden shtoi se, "Presidenti Trump dhe administrata e tij duhet t’i kishin dëgjuar me kohë shkencëtarët, të kishin marrë masa dhe ta kishin marrë seriozisht kërcënimin e një virusi që merr mijëra jetë çdo javë, duke mbyllur shkollat ? dhe duke detyruar miliona amerikanë të mbeten pa punë.”

Presidenti Trump mban tubime të përditshme fushate, ku pak nga mbështetësit e tij mbajnë maska, shpesh vetëm ata që ulen në radhët prapa tij dhe që kapen nga kamerat televizive, por jo ata të cilët qëndrojnë grumbull përpara presidentit.

Zoti Meadows tha se fushata e presidentit shpërndan maska nëpër tubime por nuk i detyron njerëzit t’i mbajnë ato.

"Është shoqëri e lirë," tha zoti Meadows, duke e lënë në dorë të secilit përdorimin e maskës. Presidenti Trump rrallë shihet në publik me maskë, ndërkohë që rivali i tij demokrat e përdor vazhdimisht atë kur bën fushatë para grupeve të vogla të mbështetësve ose virtualisht.

Zyrtarë të shumtë të administratës Trump nuk i kanë ndjekur me rreptësi këshillat e ekspertëve të qeverisë për shëndetësinë për të mbajtur maska dhe për distancim fizik nga njerëzit e tjerë. Zyrtarët njoftuan se pesë ndihmës të afërt të nënpresidentit, përfshirë shefin e kabinetit të zotit Pence, Marc Short, kanë rezutuar të infektuar me koronavirus.

Megjithëse ka qenë në kontakt nga afër me ndihmësin Short dhe të tjerë, nënpresidenti tha se ka në plan të vazhdojë sipas kalendarit të aktiviteteve, duke e cilësuar punën e tij “thelbësore”.

Të hënën zoti Pence ishte në Minesota ndërsa të martën do të shkojë në Karolinën e Veriut dhe atë të Jugut. Sipas një ndihmësi të nënpresidentit, zoti Pence nuk ka më në plan të kryesojë seancën në Senat kur të votohet për të konfirmuar gjykatësen Amy Coney Barrett si anëtare e Gjykatës së Lartë, për sa kohë që vota e tij nuk është e domosdoshme.

Udhëheqës demokratë në Senat i dërguan një letër nënpresidentit ku i thonin se pjesëmarrja e tij do të ishte “shkelje e qartë e udhëzimeve të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve dhe gjithashtu dhunon rregullat bazë të mirësjelljes dhe përgjegjësisë civile”.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar deri tani një rekord botëror prej më shumë se 225'000 vdekjesh dhe mbi 8.6 milion infektimesh, sipas Universitetit Johns Hopkins.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco