Pse vendet e Azisë Qendrore qëndrojnë të heshtura për ujgurët e Kinës?

Pse vendet e Azisë Qendrore qëndrojnë të heshtura për ujgurët e Kinës?

21:37, 23/09/2020

Qeveritë e Azisë Qendrore janë përpjekur të qëndrojnë larg fushatës së pamëshirshme të Pekinit kundër ujgurëve dhe pakicave të tjera në rajonin Ksiniang në pjesën perëndimore të Kinës, i njohur zyrtarisht si Rajoni Autonom i Ujgurëve.

Por, mospërfshirja është dëshmuar si e pamundur për Kazakistanin dhe Kirgizinë dhe mbase do të vazhdojë të jetë kështu.

Rajoni, të cilin tani Kina e quan Ksiniang, dhe dy vendet tjera përtej maleve Tien-Shan të njohura si Kazakistani dhe Kirgizia, kanë lidhje tregtare dhe kulturore për shumë vite.

Nuk ka ngjarje që ndodhë në njërën anë, pa ndikuar në tjetrën.
Këtë e dëshmon fakti se menjëherë pas shuarjes së Bashkimit Sovjetik në fund të vitit 1991, pesë republikat e Azisë Qendrore u bënë vende të pavarura.

Më 29 korrik 1992, e përditshmja ruse Nezavisimaya raportoi në lidhje me një takim të partisë “Për një Ujguristan të Lirë” në kryeqytetin e Kirgizisë, Bishkek.

Aty u mblodhën rreth 270 delegatë, shumica nga Kirgizia, por edhe disa nga Kazakistani, Uzbekistani dhe Turqia.

 

Qëllimi i kësaj partie ishte të krijonte një shtet të pavarur - Ujguristan - në territorin e Provincës Ksiniang.

Delegatët u zotuan se kishin për qëllim që këtë ta bënin ekskluzivisht brenda normave të së drejtës ndërkombëtare, megjithëse nuk kishin dhënë shumë detaje se cilat mund të ishin ato “norma”.

Në atë kohë, kishin kaluar rreth gjashtë muaj që kur Kina kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me vendet e Azisë Qendrore.
Për më tepër, Bashkimi Sovjetik e kishte portretizuar Kinën si një armik për më shumë se 20 vjet dhe aziatikët qendrorë nuk i rikujtonin me shumë përzemërsi marrëdhëniet e të tyre me Kinën, para ardhjes së rusëve.

Expose: "Kampe përqendrimi" për myslimanët në Kinë

Në atë kohë, kishte rreth një çerek milion ujgurë që jetonin në Kazakistan dhe rreth 50,000 të tjerë në Kirgizi.

Partia “Për një Ujguristan të Lirë” nuk ishte organizata e vetme ujgure aktive në Kirgizi. Aktivitetin e saj e ushtronte edhe Shoqata e Ujgurëve të Kirgizisë “Ittipak”.

Në Kazakistan gjithashtu ekzistonte Shoqata e Ujgurëve si dhe grupe të tjera ujgure.

Kur shënoheshin keqtrajtime të ujgurëve në Ksiniang, këto shoqata rregullisht protestuan dhe thirrën konferenca për media në Bishkek dhe në Almati.



Në muajin korrik të vitit 1996, grupet ujgure në Kazakistan raportuan për luftime midis forcave kineze të sigurisë dhe një grupi të quajtur Fronti Revolucionar i Bashkuar i Turkestanit Lindor (URFET), një grup separatist ujgur.

Ata pretenduan se kanë vrarë rreth 450 trupa kineze dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë gjatë atyre përleshjeve.
Udhëheqësi i URFET, Yusupbek Mukhlisi, kishte jetuar në Almati, që kur kishte ikur atje në vitin 1960.

Në muajin shkurt të vitit 1997, trupat kineze hapën zjarr ndaj protestuesve ujgurë në qytetin Gulja (Yining në kinezisht) të cilët po demonstronin kundër ekzekutimit të 30 aktivistëve ujgurë që kishin kërkuar pavarësi nga Kina.

Zyrtarisht, nëntë ujgurë u vranë, por disa aktivistë thonë se numri i të vdekurve ishte më shumë se 100.
Kjo ngjarje nxiti protesta para ambasadave kineze në Bishkek dhe Almati në mars të vitit 1997.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco