Emigracion në Amerikë: rriten tarifat e USCIS-it dhe kërkohen formularë të rinj

Emigracion në Amerikë: rriten tarifat e USCIS-it dhe kërkohen formularë të rinj

14:02, 14/08/2020

Për çështje të emigracionit në SHBA, flet avokati Kieran Both

Më 3 gusht, 2020, USCIS-i nxorri një rregullore të formës së prerë e cila ndryshon ndjeshëm listën e tarifave të USCIS-it duke rritur mesataren e ponderuar të tarifave me 20%, duke shtuar tarifa të reja, duke vendosur tarifa të ndryshme për peticionet e punëtorëve joemigrues si dhe për formularë të caktuar dhe kufizon numrin e përfituesve. Rregullorja e re nuk lejon më përjashtime të caktuara që kanë të bëjnë me pagesën e tarifave, ka ndryshuar kriteret për përjashtim nga pagesa e këtyre tarifave, ka ndryshuar kufijtë kohorë për proçedurat e përshpejtuara si dhe ka modifikuar proçedura të caktuara të adoptimeve ndërvendase. Image

USCIS-i ka ofruar një periudhë 60 ditore gjatë së cilës do të pranojë qoftë versionet e mëparshme qoftë ato të reja të formularëve të caktuar sa kohë që këto formularë shoqërohen me tarifat e reja të sakta. Nga 2 tetori, 2020, aplikantët dhe peticionerët duhet të përdorin formularët e rinj apo ato të rishikuar.

Duke rritur ndjeshëm tarifat për një gamë të gjerë kërkesash për përfitime nga emigracioni, duke reduktuar rastet kur dikujt i lejohet të mos paguajë si dhe duke kufizuar lejet për të mos paguar, DHS-i ka ndryshuar atë praktikë të vendosur pune e cila synonte të mbante tarifa të arsyeshme për aplikime dhe peticione të caktuara në mënyrë që kostoja të mos bëhej pengesë për të siguruar një përfitim nga emigracioni. Duke zbatuar principin “paguan përfituesi” për ata që janë përfituesit e shumicës së përfitimeve që ofron emigracioni, agjencia ka rritur ndjeshëm koston e marrjes dhe mbajtjes së statusit ligjor.

USCIS-i thotë që këto rritje janë të nevojshme. “USCIS-it i kërkohet të shqyrtojë shpenzimet në hyrje dhe dalje dhe në bazë të kësaj analize të bëjë ndreqjet përkatëse,” tha Joseph Edlow, zëvendës drejtori për vendosjen e rregulloreve të USCIS-it. “Këto ndreqje të vonuara të tarifave janë të nevojshme për një administrim të drejtë dhe efikas të sistemit të ligjshëm kombëtar të emigracionit, për sigurinë kombëtare si dhe për mbrojtjen e amerikanëve.”

Aspektet kyçe të rregullores:

Natyralizimi. Tarifa për formularët N-400 do të rritet me 83% nga $640 në $1,170. Rregullorja e re heq alternativën për tarifë të reduktuar për formularin N-400, e cila egzistonte për aplikantë të caktuar.

DACA. Heq tarifën e propozuar prej $275 për formularin I-821D, Consideration of Deferred Action for Childhood Arrivals, që paraqitet me qëllim rinovimin e DACA-s. Mban tarifat e DACA-s në fuqi përpara 5 shtatorit, 2017, $410 për autorizimin për punë dhe $85 për shërbimin për matjet biometrike.

Falja e pagesës së tarifave (fee waiver). Që nga 2 tetori, kufizohen faljet e pagesës së tarifave për kërkesat për përfitime nga emigracioni për të cilat USCIS-it me ligj i kërkohet marrja në konsideratë e këtyre kërkesave ose në rastet ku drejtori i USCIS-it ushtron në mënyrë të favorshme autoritetin diskrecional. Kriteret që kanë të bëjnë me të ardhurat në rastet kur është bërë kërkesë për fee waiver kanë ndryshuar nga 150% e udhëzuesit federal të varfërisë në 125%. Drejtori mund të ushtrojë autoritetin diskrecional dhe të japë autorizimin për këtë waiver, në tërësi ose pjesërisht, nëse është i mendimit që një veprim i tillë lidhet me një rrethanë të jashtëzakonshme, ose në rast se është shpallur një katastrofë e madhe natyrore.

Ndreqja e Statusit (green card). Në rastin e formularit I-485, nuk ka më tarifë të reduktuar për fëmijët nën moshën 14 vjeç që aplikojnë së bashku me prindërit. Për formularin I-485 do të ketë një tarifë standard prej $1,130, pa dallim, për të gjithë aplikantët.

Kërkohen tarifa të veçanta për formularët I-765 ($550) dhe formularët I-131 ($590) që janë paraqitur në kuadrin e aplikimit për green card, duke më shumë se dyfishuar kështu koston totale të paketës së aplikimit për ndreqje statusi në $2,270.

Aplikimi elektronik. Tarifat për formularët që mund t’i dërgohen aktualisht USCIS-it nëpërmjet internetit dhe që i dërgohen në këtë mënyrë do të jenë $10 më të ulëta se tarifat për të njëjtët formularë të paraqitur në formën tradicionale me letër.

Proçedurat e përshpejtuara. Rregullorja e rrit hapësirën kohore në dispozicion të USCIS-it për të marrë vendim mbi peticionet e paraqitura me një kërkesë për proçedurë të përshpejtuar, nga 15 ditë kalendarike në 15 ditë pune. Tarifa për proçedurat e përshpejtuara mund të rritet automatikisht çdo vit pa njoftim paraprak dhe pa koment mbi vendosjen e rregullave atëherë kur rritja e kësaj tarife do të jetë në përputhje me rritjen në indeksin e çmimeve të konsumatorit.

Azil. Është vendosur një tarifë prej $50 për formularin I-589. Do të ketë një ulje prej $50 për formularin I-485 që do të paraqitet në të ardhmen nga aplikantët kryesorë që do të paguajnë $50 tarifë për formularin I-589, kur më pas do t’u aprovohet kërkesa për azil politik.

Shërbimi biometrik. Krijohet një tarifë prej $30 për ata që bëjnë kërkesë për herë të parë për TPS (status mbrojtjeje të përkohshme), për të ri-regjistruarit dhe aplikantët për strehim politik si dhe personat me status rezidenti afatgjatë CNMI që kanë paraqitur formularin I-765.  Hiqet tarifa prej $85 për shumicën e aplikimeve të tjera.

Emigrimi me bazë punësimin. Krijohen formularë dhe tarifa të ndara për secilin klasifikim të vizave të paraqitura përmes formularit I-129, me një rritje të tarifave deri në 75% për një peticion L-1. USCIS-I e ka kufizuar në 25 numrin e përfituesve të emëruar që mund të përfshihen në një peticion të vetëm për H-2A, H-2B, H-3, O-2 P, Q, E, dhe punonjësit TN.

Adoptimet ndërvendore. Vë në dukje që nuk kërkohet tarifë shtesë për formularin I-600 dhe I-800 kur paraqitet një peticion shtesë për motrën ose vëllain.

Formularët. Do të dalin formularë të rinj I-129, formularë të rishikuar I-600/600A, formularë I-765 dhe I-912, 30 ditë përpara se të hyjnë në fuqi tarifat e reja.

Dokumentacion i sigurtë. USCIS-i do t’i dërgojë dokumenta të sigurta identifikimi, si p.sh. Green Card apo EAD (autorizimin për punë), vetëm aplikantit apo peticionerit përveçse kur këta kanë dhënë shprehimisht lejen që këto dokumenta t’i dërgohen një agjenti të caktuar, avokatit apo përfaqësuesit të akredituar dhe agjentit të caktuar, avokatit apo përfaqësuesit të akredituar do t’i kërkohet të paraqesë document identifikimi dhe të firmosë për të konfirmuar që e ka marrë dokumentin./Illyria

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco