E kujt ishte lënda kimike që shpërtheu në Bejrut?

E kujt ishte lënda kimike që shpërtheu në Bejrut?

10:44, 12/08/2020

Në rrëfimin e rëndë që flet sesi një sasi e madhe e nitratit të amonit ka përfunduar në portin e Bejrutit, një gjë është e qartë – askush deri më tani publikisht nuk ka pretenduar se ka pronësi mbi këtë lëndë.

Ka shumë pyetje pa përgjigjje që rrethojnë shpërthimin vdekjeprurës të 4 gushtit në kryeqytetin e Libanit, mirëpo pronësia do të duhej të ishte një prej gjërave më të thjeshta për t’u zgjidhur.

Identifikimi i qartë i pronësisë, sidomos për një sasi aq të rrezikshme që është bartur nga anija Rhosus me flamur të Moldavisë, kur ka arritur në Bejrut shtatë vjet më parë, është proces shumë i rëndësishëm për të zgjidhur mospajtimet që mund të ngriten.

Një minutë heshtje në Bejrut për të përkujtuar viktimat e shpërthimit

Në disa intervista që ka kryera agjencia e lajmeve, Reuters dhe pas disa kërkesave që ka bërë për qasje në dokumente në pothuajse 10 shtete, me qëllim të gjetjes së pronarit origjinal të 2,750 tonëve të nitratit të amonit, është kuptuar se ekziston një zinxhir i dokumenteve që mungojnë dhe një rrjet i vogël i kompanive që janë të shtrira në gjithë globin.

“Mallrat janë transportuar nga një shtet në tjetrin, dhe kanë përfunduar në një vend të tretë, pa pronar. Pse kanë përfunduar aty?”, ka thënë Ghassan Hasbani, ish-zëvendëskryeministër i Libanit dhe figurë opozitare.

Personat e lidhur me bartjen e nitratit të amonit, kur janë intervistuar nga Reuters, kanë mohuar se kanë njohuri për pronarin e kësaj lënde, apo kanë refuzuar të përgjigjen.

Në mesin e atyre që kanë thënë se nuk e dinë kush është pronari kanë qenë edhe kapiteni i anijes, kompania gjeorgjiane që ka prodhuar këtë sasi dhe kompania afrikane që ka porositur atë, por nuk ka kryer kurrë pagesën.

Versioni zyrtar i udhëtimit të fundit të anijes Rhosus vë në pah rrugëtimin e saj me një seri të ngjarjeve fatkeqe.

 

Të dhënat mbi transportin tregojnë se anija ishte ngarkuar me nitrat të amonit në Gjeorgji, në shtator të vitit 2013, dhe ishte besuar se do të nisej drejt një prodhuesi të pajisjeve shpërthyese në Mozambik.

Mirëpo para se të arrinte në Mesdhe, kapiteni dhe dy anëtarë të bordit kanë thënë se janë urdhëruar nga biznismeni rus, që e konsiderojnë si pronarin de fakto të anijes, Igor Grechushkin, që të bëjë një ndalesë të papritur në Bejrut për të marrë një ngarkesë tjetër.

Anija Rhosus ka arritur në Bejrut në muajin nëntor për t’u mos larguar kurrë, duke u kthyer në qendër të mospajtimeve rreth taksave të papaguara në port dhe defekteve tjera të anijes.

Kreditorët kanë akuzuar pronarin ligjor të anijes, një kompani me bazë në Panama, për braktisje të anijes dhe më vonë ngarkesa është bartur në port, është thënë në dokumentet zyrtare.

Një kompani në Bejrut që ka punuar për kreditorët, Baroudi & Associates, nuk u është përgjigjur kërkesave për të identifikuar pronarin ligjor të ngarkesës.

Reuters po ashtu nuk ka arritur ta kontaktojë biznismenin, Grechushkin.

Më 2018, anija e zbrazur ishte fundosur aty ku ishte ankoruar, sipas zyrtarëve të doganave në Liban.

Mirëpo lëvizjet e fundit të anijes Rhosus janë vënë në qendër të vëmendjes, pas ndezjes së nitratit të amonit më 4 gusht në portin e Bejrutit, duke lënë të vdekur më shumë se 200 persona, duke plagosur mijëra tjerë, ndërkohë që besohet se mbi 250,000 të tjerë tani janë të pastrehë.

[Brenda shtëpive të shkatërruara në Bejrut]
Fotogaleri

Brenda shtëpive të shkatërruara në Bejrut

Në mesin e pyetjeve pa përgjigje janë edhe ato se kush ka paguar për këtë sasi të nitratit të amonit dhe a ka pasur përpjekje për ta siguruar këtë lëndë kur Rhosus është konfiskuar? Nëse jo, atëherë pse?

Ngarkesa, e paketuar në thasë të bardhë, ka qenë në vlerë të rreth 700,000 dollarëve me çmimet e vitit 2013, ka thënë një burim nga kjo industri.

Pa sigurim

Hetimet e Reutersit kanë ngritur shumë flamuj të kuq.

Sipas konventave detare ndërkombëtare dhe disa ligjeve të brendshme, anijet komerciale duhet të kenë sigurim që mbulon ngjarje të tilla si, dëmi i ambientit, humbja e jetës, plagë të shkaktuara nga fundosja, apo në rast të ndonjë përplasjeje të anijes.

Megjithatë, anija Rhosus nuk ka pasur sigurim, sipas dy burimeve të afërta me këtë çështje.

Kapiteni rus i anijes, Boris Prokoshev, ka thënë përmes telefonit nga shtëpia e tij në Soçi, Rusi, se ai ka parë një numër certifikatash të sigurimit, mirëpo nuk mund të flasë për autenticitetin e tyre.

Reuters në anën tjetër nuk ka arritur të sigurojë një kopje të këtyre dokumenteve.

umanitare në Liban

Kompania në Mozambik, që ka porositur këtë sasi të nitratit të amonit, Fábrica de Explosivos Moçambique (FEM), atëbotë nuk ka qenë pronare e dërgesës, pasi ishte pajtuar për të kryer pagesën kur ta pranojë të njëjtën, ka thënë zëdhënësi i saj, Antonio Cunha Vaz.

Prodhues i kësaj lënde ka qenë kompania gjeorgjiane, Rustavi Azot LLC, e cila tani nuk ekziston më.

Pronari i saj atë kohë, biznismeni, Roman Pipia, i ka thënë agjencisë së lajmeve, Reuters se ka humbur kontrollin e nitratit të amonit të kompanisë Rustavi më 2016.

Disa dokumente të gjykatës në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se kjo kompani ishte detyruar nga një kreditor që të shesë aksionet e saj në një ankand në po atë vit.

Fabrika, që tani drejtohet nga kompania tjetër, JSC Rustavi Azot, po ashtu ka thënë se nuk mund të ndihmojë në gjetjen e pronarit të ngarkesës, sipas zëvendësdrejtorit të parë të saj, Levan Burdiladze.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco