Udhëheqësja e opozitës së Bjellorusisë arratiset në Lituani

Udhëheqësja e opozitës së Bjellorusisë arratiset në Lituani

10:23, 12/08/2020

Kandidatja për Presidente e opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya të martën u arratis në Lituaninë fqinje, pas një nate të dytë protestash pas zgjedhjeve në Bjellorusi që janë shoqëruar me përleshje mes protestuesve dhe policisë.

Zonja Tsikhanouskaya, e cila nuk pranoi rezultatet zyrtare që treguan se ajo kishte humbur garën ndaj Presidentit Aleksandër Lukashenko, tha se largimi nga Bjellorusia ishte një "vendim i vështirë", por që ajo e mori për hir të fëmijëve të saj.

"Unë e di që shumë njerëz do të më kuptojnë, shumë të tjerë do të më gjykojnë dhe do të ketë edhe shumë të tjerë që do të fillojnë të më urrejnë", tha zonja Tsikhanouskaya. "Por i lutem Zotit që askush të mos përballet me zgjedhjen që pata."

"Ju lutem kujdesuni për veten tuaj", tha ajo. "Nuk ia vlen të humbet asnjë jetë e vetme për atë që po ndodh tani." Të martën herët, Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkevicius postoi në Twitter një mesazh ku thoshte se Tsikhanouskaya ishte në vendin e tij dhe e sigurt.

Zonja Tsikhanouskaya u fsheh një ditë përpara zgjedhjeve të së dielës pasi policia arrestoi dy ndihmës të saj të lartë dhe shtatë anëtarë të tjerë të fushatës së saj. Ajo u rishfaq dhe votoi në ditën e zgjedhjeve.

Presidenti Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet për 26 vjet, tha të hënën se protestuesit e opozitës do të përballen me një goditje të ashpër. Ai i përshkroi ato si dele të manipuluara nga shërbëtorët e huaj.

"Respektoni ligjin dhe pastaj të gjitha këto biseda rreth shtypjes zhduken," tha ai. Pamjet filmike të përleshjeve tregojnë se si policia përdori shkopinjë gome për të rrahur protestuesit të hënën natën. Policia gjithashtu përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve.

[A Belarusian law enforcement officer gestures next to an injured protester Yevgeny Zaichkin, who lies on the ground during clashes after presidential election polls closed in Minsk, Belarus, August 9, 2020.]
A Belarusian law enforcement officer gestures next to an injured protester Yevgeny Zaichkin, who lies on the ground during clashes after presidential election polls closed in Minsk, Belarus, August 9, 2020.

Policia tha të hënën se një protestues vdiq në kryeqytetin e vendit, Minsk, kur u përpoq të hidhte një pajisje shpërthyese, e cila shpërtheu në dorën e tij.

Grupet e të drejtave të njeriut thanë se një protestues vdiq pasi u shtyp nga një kamion policie. Autoritetet mohuan përfshirjen në këtë incident. Grupet e të drejtave të njeriut gjithashtu thanë se dhjetra njerëz janë plagosur në përplasjet me policinë. Disa qindra protestues janë arrestuar.

Fotografitë dhe videot e protestave qarkulluan në internet, pavarësisht mbylljes në nivel të gjërë të shërbimeve të internetit që kufizoi qasjen në mediat sociale.

[Protesters carry a wounded man during clashes with police after the presidential election in Minsk, Belarus, early Monday, Aug. 10, 2020.]
Protesters carry a wounded man during clashes with police after the presidential election in Minsk, Belarus, early Monday, Aug. 10, 2020.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bjellorusi tha të hënën se pas numërimit të të gjitha fletëvotimeve, Lukashenko mori 80.23 për qind të votave, dhe kandidatja kryesore e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya 9.9 për qind.

Duke folur nga selia e saj, zonja Tsikhanouskaya tha se ajo nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve.

"Ne kemi fituar tashmë sepse kemi kapërcyer frikën, apatinë dhe indiferencën tonë", tha ajo. Zonja Tsikhanouskaya paraqiti një kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave.

Zyrtarët ndërkombëtarë gjithashtu vunë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve dhe kritikuan shtypjen e protestuesve. Vëzhguesit e huaj nuk i kanë vlerësuar zgjedhjet në Bjellorusi si të lira dhe të ndershme që nga viti 1995, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha në një deklaratë të hënën se ishte "thellësisht i shqetësuar" nga situata në Bjellorusi, duke përmendur kërcënimet dhe mungesën e qasjes në vendvotime për kandidatët e opozitës, si dhe mungesën e vëzhguesve të pavarur në vendvotime.

"Ne i bëjmë thirrje qeverisë bjelloruse që të respektojë të drejtat e të gjithë bjellorusëve për të marrë pjesë në tubime paqësore, të përmbahen nga përdorimi i forcës dhe të lirojnë ata që janë arrestuar gabimisht", tha Sekretari Pompeo. "Ne e dënojmë me forcë dhunën e vazhdueshme kundër protestuesve dhe ndalimin e mbështetësve të opozitës, si dhe përdorimin e mbylljeve të internetit për të penguar aftësinë e popullit bjellorus për të shkëmbyer informacione rreth zgjedhjeve dhe protestave".

"Ngacmimi dhe shtypja e dhunshme e protestuesve paqësorë nuk ka vend në Evropë", tha në një postim në Twitter Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian. "Unë u bëj thirrje autoriteteve bjelloruse që të sigurohen që votat në zgjedhjet e djeshme (së dielës) të numërohen dhe publikohen saktësisht."

Në një deklaratë të përbashkët, presidentët e Polonisë dhe Lituanisë fqinje i bënë thirrje Bjellorusisë që të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe "të respektojë standardet themelore demokratike".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se organizata që ai drejton "dënon dhunën kundër protestuesve paqësorë".

"Të drejtat themelore duhet të respektohen," tha ai.

Presidenti rus Vladimir Putin uroi të hënën zotin Lukashenko për fitoren e tij.

Ka patur protestat edhe në qytete të tjera të Bjellorusisë, përfshirë në Gomel, Grodno, Vitebsk dhe Brest, ku ndaj protestuesve u përdor gazi lotsjellës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco