Kina i kundërpërgjigjet SHBA-së/ Vendos sanksione ndaj 11 shtetasve amerikanë

Kina i kundërpërgjigjet SHBA-së/ Vendos sanksione ndaj 11 shtetasve amerikanë

20:20, 10/08/2020

Kina vendosi sanksione ndaj 11 shtetasve të SHBA, përfshirë ligjvënës nga Partia Republikane e Presidentit Donald Trump, si përgjigje për vendosjen nga Uashingtoni të sanksioneve ndaj Hong Kongut dhe ndaj zyrtarëve kinezë të akuzuar për kufizimin e lirive politike në ish-koloninë britanike.

Në shënjestër të sanksioneve të së hënës ishin gjashtë ligjvënës republikanë, Senatorët Ted Cruz, Marco Rubio, Tom Cotton, Josh Hawley dhe Pat Toomey si dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Chris Smith, raporton VOA.

Të tjerët janë individë nga organizata jofitimprurëse dhe ato për të drejtat e njeriut.

"Në përgjigje të asaj sjelljeje të gabuar amerikane, Kina ka vendosur të shpallë sanksione ndaj individëve që kanë vepruar në mënyrë të tepruar për çështje që lidhen me Hong Kongun," tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Zhao Lijian në një konferencë shtypi të hënën.

Ai nuk specifikoi se çfarë pasoja kanë sanksionet në fjalë.

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar ashpër muajt e fundit për çështje që variojnë nga tregtia dhe Hong Kongu e deri te trajtimin nga Kina të koronavirusit.

Të premten, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Shefes Ekzekutive të Hong Kongut Carrie Lam dhe shefave aktualë dhe të mëparshëm të policisë së qytetit.

Ligjvënësit amerikanë të vënë në shënjestër nga Kina të hënën kanë qenë midis kritikëve më të zëshëm të një ligji të ri të sigurisë kombëtare që Pekini ia imponoi Hong Kongut në fund të qershorit.

Anëtarët e Kongresit amerikan zakonisht i marrin si kompliment e jo si problem sanksionet e vëna ndaj tyre nga kundërshtarët e SHBA.

Zyra e ligjvënësit Hawley bëri një deklaratë ku thuhet se senatori nuk do të "tërhiqet" dhe se do të "vazhdojë të mbrojë interesat e Amerikës".

Kjo është hera e dytë që Kina njofton sanksione ndaj republikanëve. Muajin e kaluar, Pekini vuri në shënjestër senatorët Cruz, Rubio dhe Smith pas penalizimit nga Uashingtoni të zyrtarëve kinezë për çështjen e trajtimit nga Kina të myslimanëve ujgurë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco