Ish-zëvendëspresidenti Biden përshëndet rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi

Ish-zëvendëspresidenti Biden përshëndet rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi

13:50, 11/07/2020

Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka përshëndetur vendimin e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një deklaratë të publikuar të premten, kandidati i pritshëm i demokratëve në zgjedhjet presidenciale thotë se ky vendim është një hap i rëndësishëm përpara në rajon.

“Një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çonte në njohjen e ndërsjelltë, ruajtjen e sovranitetin dhe integritetit territorial të dy vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, është kritike që Kosova dhe Serbia të avancojnë përpara,” shkruan zoti Biden. Kjo zgjidhje, shprehet më tej ish-nënpresidenti amerikan, do të forconte sigurinë dhe begatinë e të dy vendeve dhe çonte përpara aspiratat e tyre për antarësim në Bashkimin Evropian dhe institucionet ndërkombëtare.

Arritja e këtij synimi, vazhdon zoti Biden, kërkon bashkëpunim transatlantik.

Partneriteti mes SHBA-së dhe Evropës kërkon angazhimin e të gjitha palëve, si dhe përfshirjen dhe udhëheqjen e Amerikës, tha ai.

Ish-zëvendëspresidenti amerikan kritikon administratën Trump se “nuk ka arritur të bashkërendojë me emisarët evropianë, të cilët kanë ndërmjetësuar dialogun mes dy vendeve për afro një dekadë” gjatë planifikimit të takimit të qershorit në Shtëpinë e Bardhë.

“Megjithëse takimi u anulua, partnerët tanë evropianë dëgjuan një mesazh të qartë. Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me partnerët evropianë, jo t’u kthejnë atyre shpinën. Kjo është shpresa më e mirë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që do të hapte një të ardhme më të paqtë, më të begatë dhe evropiane për të dy vendet,” shkruan zoti Biden.

Joe Biden, i cili pritet të marrë emërimin e demokratëve si kandidat presidencial në kuvendin e partisë në gusht, shkruan se nëse zgjidhet president, “administrata ime do të punojë për paqen dhe sigurinë në Evropën juglindore dhe do të bashkëpunojë me partnerët e BE-së për ta bërë këtë ëndërr realitet”.

Ai u bën thirrje udhëheqësve të të dyja vendeve të përqafojnë “shpirtin e kompromisit dhe ripajtimit në këto bisedime, duke ditur se kanë mbështetjen e plotë të popullit amerikan”.

Përfaqësuesi i Presidentit Trump në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell reagoi menjëherë ndaj deklaratës duke e akuzuar zotin Biden se po e politizon procesin e dialogut mes dy vendeve.

Me këtë akt, shkruan Ambasadori Grenell në një seri postimesh në Twitter, garanton “se asgjë nuk do të avancojë para zgjedhjeve të nëntorit dhe se populli i Kosovës dhe Serbisë do të detyrohen të presin përsëri që të mos përdoren nga politikanët”.

“Në dallim nga taktika e llafeve pa vepra e Biden-it,” shprehet më tej zoti Grenell, “administrata Trump është e përqëndruar tek hedhja e hapave të parë të rëndësishëm të normalizimit ekonomik mes dy vendeve”.

“Populli i Kosovës dhe ai i Serbisë e dinë se nuk ka krahasim mes tetë vjet premtimesh boshe të administratës Obama-Biden dhe veprave të administratës Trump.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco