Në pushtet deri në vitin 2036/ Putin nënshkruan dekretin për ndryshimet kushtetuese

Në pushtet deri në vitin 2036/ Putin nënshkruan dekretin për ndryshimet kushtetuese

19:59, 03/07/2020

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi dekretin për ndryshimet kushtetuese, të cilat, mes tjerash, i hapin rrugë atij të mbetet në pushtet deri në vitin 2036, nëse vendos të marrë pjesë edhe në dy palë zgjedhje presidenciale.

Sipas dekretit të nënshkruar të premten, ndryshimet do të hyjnë në fuqi të shtunën, më 4 korrik, raporton Rel.

"Qytetarët e Rusisë kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe, në përputhje me këtë vendim, unë kam nënshkruar një dekret për publikimin zyrtar të kushtetutës me ndryshime", tha Putin.

Ai e nënshkroi dekretin disa orë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi shpalli rezultatet përfundimtare të referendumit për ndryshimet kushtetuese, të mbajtur nga data 25 qershor deri më 1 korrik.

Sipas rezultateve, gati 78 për qind e pjesëmarrësve në votime e kanë miratuar paketën e mbi 200 ndryshimeve kushtetuese.

Kremlini e cilësoi atë si “referendum triumfues ndaj besimit te presidenti Vladmir Putin”.

Por, raportet për parregullsi në disa vendvotime dhe frikësim të aktivistëve dhe gazetarëve, kanë nxitur thirrjet e Perëndimit për hetime të menjëhershme.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë shqetësimet e Perëndimit për votimin, duke thënë se Rusia "ka qenë dhe do të mbetet e angazhuar, para së gjithash, për sovranitetin kombëtar”.

Putin ka qenë në krye të Rusisë, herë si president, herë si kryeministër, qysh në vitin 2000.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco