Dorëheqje në kabinetin britanik, në shenjë proteste ndaj këshilltarit të kryeministrit

Dorëheqje në kabinetin britanik, në shenjë proteste ndaj këshilltarit të kryeministrit

13:29, 26/05/2020

Douglas Ross, zëvendës-ministër në Zyrën për Skocinë, ka dhënë dorëheqje nga Qeveria e Britanisë të marten, në shenjë pakënaqësie për mënyrën se si është menaxhuar situata në lidhje me këshilltarin e lartë të kryeministrit, që kishte shkelur rregullat e izolimit, shkruan agjencia Reuters.

Dominic Cummings, këshilltari më i afërt i Boris Johnsonit, ka refuzuar të japë dorëheqje të hënën, duke thënë se nuk ka bërë asgjë gabim që ka udhëtuar 400 kilometra për në veri të Anglisë, në kohën kur Britania ishte në masa strikte kufizuese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Mbrojtja që Johnsoni ia ka bërë Cummingsit, i cili ka punuar me kryeministrin në kampanjën për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, ka shkaktuar zemërim në Partinë Konservatore të Johnsonit, ku disa politikanë kanë bërë thirrje që Cummings të jap dorëheqje.

Ross ka thënë nëpërmjet të një letre se ndonëse pranon arsyetimin e Cummingsit se ai kishte vepruar në interesin më të mirë të familjes së tij, për të qenë afër të birit pasi bashkëshortja kishte shfaqur simptome të COVID-19, ai ka shtuar se një mundësi të tillë nuk e kanë pasur të gjithë. “Unë kam anëtarë që nuk kanë mundur t’u thonë lamtumirë të dashurve të tyre, familje që nuk kanë mundur të mbajnë zi së bashku, njerëz që nuk kanë vizituar të afërmit e sëmurë pasi kanë ndjekur direktivat e Qeverisë. Nuk mund t’u them atyre se e kishin gabim dhe se një këshilltar i lartë i Qeverisë e kishte mirë”, ka shkruar Ross. Kryeministri e ka pranuar dorëheqjen e Rossit. “Kryeministri dëshiron ta falënderojë Douglas Rossin për shërbimet e tij në Qeveri dhe shpreh keqardhje për vendimin e tij që të jap dorëheqje si nën-sekretar parlamentar i shtetit për Skocinë”, është thënë nga zyra e kryeministrit Johnson.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco