28 vjet më parë/ Dy prokurorët miq që sfiduan Mafian! Kush ishin Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino

28 vjet më parë/ Dy prokurorët miq që sfiduan Mafian! Kush ishin Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino

18:07, 23/05/2020

Giovvanni Falcone dhe Paolo Borsellino ishin lindur në Siçili, aty ku integroheshin kasaphanat e luftës. Të dy jetët e tyre gërshetoheshin shpejt, si të ishin manjetike, që as tritoli i mafies nuk arriti t’i ndante dot. Padurim i tyre për t’u ndeshur me gjithçka që ishte e pa drejtë, çdo ditë sa vinte e rritej. Padurim për t’u ndeshur me gjithçka që cenohet, me këtë përbindësh që quhet “Mafie”. E ndërkohë, Xhovani, më 23 maj 1992, vdes në duart e Paolos. Pranë trupit të mikut, Paolo kishte pasur vetëm një impresion, por tepër të fortë: “Duke e mbajtur me fytyrë të kthyer ndaj meje Xhovani Falkonen, në frymëmarrjen e fundit, mendova se bëhej fjalë për një takim të mëvonshëm me të”. E në fakt kështu ndodhi. 56 ditë pas vrasjes së Falkones, ekzekutohet edhe Borselino.

A u tradhtuan ata nga shërbimet sekrete të lidhura me mafian? Cila ishte jeta e tyre e jashtëzakonshme dhe si e tronditën mafian. Në këtë suplement do të gjeni edhe kodin e plotë të nderit të Cosa NoStrës.

 L’Espresso

Asnjë nuk e njeh emrin e tij. Por të gjithë thonë se ka një fytyrë monster. Është një agjent i shërbimeve të sigurisë. E kërkojnë për të zbuluar se çfarë roli ka ai dhe njerëz të tjerë të aparatit të shtetit në masakrat e famshme të Palermos.

Shumë vite më vonë po rishkruhet historia e atentateve mafioze që kanë bërë të dridhet Italia. Ka dëshmitarë të cilët flasin për të dërguar të tjerë , ka të dhëna që të çojnë në bindjen e arsyeshme se nuk ka qenë vetëm mafia ajo që vrau Falkonen dhe  Borselinon. Është rihapur zyrtarisht hetimi mbi tragjedinë e e rrugës Mariano D’Amelio. Është hapur zyrtarisht hetimin për Capaci. Është rihapur zyrtarisht edhe hetimi për Addaura, për 58 kallëpet e dinamitit të vendosura në qershor të vitit 89 në kodrën përballë shtëpisë së Xhovani Falkones. Një dramë. Një lloj strategjie tensioni-është hipoteza që prokurorët e Kaltanissettas, përgjegjës për hetimet mbi tragjeditë e ndodhura në Palermo- që nis me vdekjen e Georgofilëve në Firence dhe përfshin edhe ato të rrugës  Palestro në Milano. Elementët e mbledhur në këto muajtë e fundit por bëjnë që ngjarja të mos përqëndrohet vetëm tek Totò Riina  dhe Korleonezët e tij, të gjithë të dënuar me burg të përjetshëm si ekzekutorë të këtyre tragjedive. Ka diçka më shumë të thellë dhe të errët, hetim pas hetimi, ka gjithmonë e më shumë të pranishëm agjentë sekretë gjithmonë në kontakte me bossët palermitanë.  Të gjithë që herë pas herë shkëmbejnë informacione duke bërë ndere reciproke, të gjithë bashkë ne vendet e tragjedive apo të vrasjeve, të gjithë duke mbrojtur njëri-tjetrin si në një pakt gjaku. Prokurorët e Caltanissettas – janë pesë që hetojnë, shefi Sergio Lari, ndihmësit Domenico Gozzo dhe Amedeo Bertone,  zëvendësuesit Nicolò Marino dhe Stefano Luciani –kanë dëgjuar tashmë Vincenzo Scottin (ministër i Brendshëm  në vitet 1990-  1992) dhe kryeministrin e asaj kohe Xhuliano Amaton për të pasur edhe informacione për të cilat askush nuk ka pyetur kurrë. Mbi disa 007. Mbi të gjitha për atë agjentin me “fytyrë mostre”. Është një prej protagonistëve të intrigës. Një hije, një figurë gjithmonë afër dhe përreth shumë episodeve të ghakut.  Emri i tij është akoma i panjohur. Për të dihet vetëm se ka një fytyrë të deformuar. Shumë kanë folur për të, por pavarësisht faktit se për shkak të fytyrës është shumë e lehtë ta identifikosh, askush nuk e ka identifikuar asnjëherë. Kush është? Po e kërkojnë. Duket se mund të jetë njeriu kyç i shumë mistereve në Palermo. I pari: atentati i 21 qershorit më 1989, në Addaura. Është dëshmia e një gruaje e cila thotë se ka parë një burrë me “ një fytyrë kaq të shëmtuar” afër vilës së gjykatësit Falkone, pak përpara sesa dikush të vendoste një çantë me dinamit në shkurret. Dikush? Mbi çështjen Addaura ekziston dhe procesverbali i Angelo Fontana, një i penduar i “familjes” së Acquasantas, pra të asaj familjeje që komandonte atë territor. Fontana zbulon se atë ditë mafiozët e familjes thjeshtë kanë bërë survejimin e zonës, ndërsa në bordin e gomones nuk ishin fare mafiozët. Një peshk i vogël , një farë Francesco Paolo Gaeta – asistent ka pohuar të njëjtën gjë. U vra nga plumbat e një pistolete pak kohë më pas : çështja u arkivua si një larje hesapesh mes spaçatorëve. Pas atentatit të shkuar dëm, natyrisht që filluan të qarkullojnë fjalët e famshme “Ishte vetë Falkone që e vuri eksplozivin”. Gjykatësi, shumë i shqetësuar, tha vetëm “Kanë qenë mendje shumë të rafinuara”. Që në atë kohë vetë Falkone kishte dyshimin se dikush, pas aparatit shtetëror, donta ta vriste. Por burri me “fytyrë monster” u pa dhe në një tjetër qoshe të Palermos, pak muaj më pas. Një tjetër dëshmi. Mafiozi Luigi Ilardo për komandatin e karabinierëve Michele Riçio: “Ne e dinim se ishte një agjent në Palermo që bënte gjëra të çuditshme dhe që gjendej gjithmonë në vende të çuditshme. Kishte një fytyrë monster. Arritëm të mësonim se ai ishte edhe në afërsi të Villagrazias kur u vra polici Agostino”. Nino Agostino, zyrtarisht agjent në komisariatin e San Lorenzos, por në të vërtetë gjuetar latitantësh, u vra bashkë me të shoqen me 5 gusht të vitit 1989. Kurrë nuk u zbuluan vrasësit e tij. Si nuk u zbulua kurrë sesi një mik i Agostinos, bashkëpunëtori i Sisde, Emanuele Piazza (edhe ai një gjuetar latitantësh) u mbyt nga bosët e San Lorenzos. Ndoshta një rrjedhe e çuditshme informacioni. Bashkëpunëtori Ilardo  ka folur edhe për të. Dhe më pas ka rrëfyer: Unë nuk e di se për çfarë arsyeje shërbimet sekrete kanë marrë pjesë në këto operacione..ndoshta për të mbuluar persona politikë që kishin interes në zbulimin e fakteve të caktuara, duke nxjerrë jashtë loje magjistratët apo dhe njerëz të tjerë politikë me qëllime të vërteta për zbulimin e këtyre”. Një tjetër dëshmi vjen edhe nga Vincenzo Agostino, babai i policit të vrarë: “Pak përpara vrasjes së tim biri erdhën në shtëpinë time në Villagrazia di Carini dy kolegë të cilët m’u prezantuan si kolegë të Ninos, njëri kishte një fytyrë të tmerrshme…”.

I fundit që foli për agjentin “me fytyrë monster” ka qenë Massimo Ciancimino, djali i don Vitos, bashkiakut mafioz të Palermos në vitet ’70.  Prokurorëve siçilianë ai u ka shpjeguar se ai burri kishte vite në kontakt me të atin. Deri në “paktin” e famshëm , pra marrëveshjen që Totò Riina donte të arrinte me shtetin Italian për të “ndalur masakrat”. Por Massimo Ciancimino nuk ka folur vetëm për takimet, që babai i tij ka pasur me agjentin me fytyrë të shformuar. Ka folur edhe për një farë “zoti Franko” dhe një farë ‘Karlo”. Ndoshta nuk janë dy njerëz, por një njeri: një tjetër agjent sekret. Një me të cilin plaku don Vito kishte një raport intensive prej vitesh. “Ishte ai-thotë Ciancimino jr –që garantoi tim atë, duke e siguruar se pas tratativave, që në fillim u nisën nga koloneli i karabinierëve Mario Mori dhe nga kapiteni Giuseppe De Donno, ishte një personazh politik “. Për këtë “zotin Franco” apo “Carlo”, Massimo Ciancimino u ka dhënë prokurorëve të dhëna të sakta. Madje edhe një axhendë të të atit me referimet e tyre telefonike. Një tjetër kapitull i këtij gërshetimi të mafias me aparatin shtetëror del nga hetimet e vrasjes së Borselinos. Një i penduar (Gaspare Spatuzza) ka përgënjeshtruar të penduarin (Vincenzo Scarantino) që 17 vjet më parë ishte vetakuzuar se kishte çuar në rrugën D’Amelio autobombën dhe kishte vrarë prokurorin me pesë policët e eskortës së tij. “Isha unë dhe jo ai”, ka shpjeguar Spatuzza, duke konfirmuar deri në detaj dinamikën e ngjarjes dhe duke zbuluar se Falcone –përpara Capacit – duhej të kishte vdekur në Romë në një atentat. Armët i kishte çuar në Romë ai vetë. Pas një vit hetimet prokurorët ishin bindur se Gaspare Spatuzza ka thënë të vërtetën dhe Vincenzo Scarantino kishte gënjyer. Kishte shpikur të gjithë atë gënjeshtër vetë?  Apo dikush e ka detyruar ta bëjë këtë për të hequr dyshimet nga të tjerët, mbase njerëz jo mafiozë.

Pra, tragjeditë e Palermos tashmë duken se nuk janë romani i zi vetëm i Totò Riinas dhe Korleonezëve të tij.

Po kush ishte Paolo Borsellino?

Lindur në Palermo në vitin 1940 nga një familje në gjendje të mirë, në vitin 1959 regjistrohet në fakultetin e drejtësisë në universitetin e qytetit të tij dhe diplomohet në vitin 1962 me maksimumin e notave (110 e lode); në vitin e pasrendës, në moshën 23-vjeçare, fiton konkursin për gjyqtar. Vitet e para i kalon në prokurori të ndryshme siciliane; në vitin 1975 vendoset në Palermo dhe nis të punojë përkrah Rocco Chinnici-t, një nga gjyqtarët e shumtë që do të shohë të bjerë viktimë e mafies; fillon të merret me mafien dhe në vitin 1980 pas arrestimeve të para i jepen agjentë truproje.

Nën udhëheqjen dhe falë intuitës së Chinnici-t lind pool-i, grupi antimafie që do të koordinojë të gjitha hetimet dhe që do të ndryshojë me rrënjë mënyrën e luftimit të dukurisë kriminale; në të do të punojnë gjyqtarë si Borsellino, Falcone, Di Lello e Ajala; do të jenë vite fitoresh të mëdha dhe zhgënjimesh e vuajtjesh, veçanërisht kur, e do të ndodhë shpesh, do t’u duhet të qajnë miq e kolegë, por edhe kur do t’u duhet të ndeshen me murin e gomës që duket se përshkon një pjesë të institucioneve. Ndër të parët që bien nën goditjet e mafies do të jenë gjykatësi Cesare Terranova dhe truproja e tij, marshalli i policisë Lenin Mancuso, vrarë më 25 shtator 1979; kapiteni i karabinierëve Emanuele Basile, që bashkëpunon me Borsellinon nga viti 1975, vrarë më 4 maj 1980.

Lista e vrasjeve të atyre viteve do të ishte tepër e gjatë: politikanë, njerëz të forcave të rendit, përfaqësues të drejtësisë, kushdo që u pret rrugën mafiozëve vë në rrezik jetën. Më 30 prill të vitit 1982 vritet kryetari i PCI për Sicilian, Pio La Torre; vendoset të dërgohet si i plotfuqishëm në Sicili gjenerali Carlo Alberto Dalla Chiesa, që sapo kishte arritur suksese të shkëlqyera kundër terrorizmit; gjenerali shpresonte të sillte në Sicili sisteme dhe metoda të përdorura kundër Brigadave të kuqe (Brigate Rosse); do ta kuptojë shumë shpejt që është i vetëm dhe më 2 shtator të të njëjtit vit, vetëm pas tre muajsh nga ardhja e tij, do të masakrohet bashkë të shoqen e re, Setti Carraro, ndërsa ktheheshin në shtëpi pa truprojë.

Për Paolo Borsellinon dhe Giovanni Falconen janë çaste shumë të vështira: më 29 korrik 1983 një autobombë vret Rocco Chinnici-n, dy nga agjentët e truprojës së tij dhe portierin e një godine. Po të provohet të shfletohet një kronologji e atyre viteve mbetesh pa frymë nga numri i vrasjeve që pasojnë njëra-tjetrën në Sicili.

Por puna vazhdon për Borsellinon dhe pool-in e tij: në vend të Chinnici-t vihet Antonino Caponnetto dhe rezultatet e para fillojnë të duken: më 1984 arrestohet Vito Ciancimino, ish kryebashkiak demokristian i Palermos; por viti 1984 është mbi të gjitha viti i të penduarit të parë të rëndësishëm të mafies: Tommaso Buscetta u tregon gjyqtarëve strukturën dhe lidhjet politike e institucionale të Cosa Nostra-s. Mbi fjalët e tij përfaqësuesit e drejtësisë do të ndërtojnë të parin maksiproces gjyqësor kundër bandave mafioze; por klima vazhdon të jetë e rëndë, vazhdojnë vrasjet e vdekjet, vihen në qarkullim fjalë kundër përfaqësuesve të drejtësisë sikur këta abuzojnë me truprojën duke vënë në rrezik jetë të pafajshmish. Paolo Borsellino kërkon dhe ia arrin të shkojë të drejtojë prokurorinë e Marsalës, ku do të qëndrojë nga 1986 deri më 1991 dhe ku, së bashku me Falconen që qëndron në Palermo, do të arrijë rezultate të mëdha.

Më 1987 Caponnetto largohet nga pool-i për arsye shëndeti; zgjedhja më e mirë për t’i dhënë vazhdimësi punës do të ishte zëvendësimi i tij me Giovanni Falconen, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën presione politike dhe me pretekstin e vjetërsisë më të madhe në punë, vendos të emërojë Antonino Mele.

Fillon një erë e re: gjyqtarët që ishin dhënë me mish e me shpirt pas punës ndjehen të izoluar, sulmet personale vazhdojnë me ritme frenetike, përhapen fjalë pa asnjë bazë për qëllime të supozuara politike të Falcones e Borsellinos. Ndërkohë, i pari vendos të pranojë një detyrë të re në Romë, si drejtor i çështjeve penale: është i bindur se, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me politikanët, fjala e tij mund të ketë vlerë për një projekt që ka shumë për zemër: krijimin e një superprokure antimafie; edhe Borsellino merr zemër dhe vendos të kthehet në Palermo: me të vijnë në prokurori zëvendës-prokurori Ingroia dhe marshalli Canale.

Në Romë vendoset të ngrihet Superprokuroria dhe kandidaturat e forta për drejtimin e saj janë dy: ajo e Falcones dhe ajo e Agostino Cordova. Borsellino, edhe pse nuk kishte qenë shumë dakord me zgjedhjen e mikut për t’u transferuar në kryeqytet, e mbështet atë plotësisht, në të gjitha mënyrat, me ndërhyrje dhe deklarata publike. Në maj duket se Falcone i ka të gjitha shanset të bëhet super prokuror, por më 23 të të njëjtit muaj, ndërsa ishte në Palermo, një bombë mbi autostradën e Capaci-t i jep fund karrierës dhe jetës së tij.

Borsellino është i drobitur por jo i mundur. I ofrojnë kandidaturën e mikut, por refuzon. Dëshiron të qëndrojë në Palermo dhe të japë kontributin e tij me të gjitha mënyrat për të zbuluar vrasësit e Falcones. Një muaj pas atentatit, duke marrë pjesë në një debat për mikun e tij do të thotë: “|Pse nuk iku, pse e pranoi këtë situatë të tmerrshme? Nga dashuria. Jeta e tij ka qenë një akt dashurie ndaj këtij qyteti, ndaj kësaj toke që e lindi dhe e rriti. Sepse, nëse dashuri do të thotë, mbi të gjitha dhe kryesisht, të japësh, për Falconen, dashuria për Palermon dhe njerëzit e saj ka nënkuptuar gjithnjë të japësh diçka, gjithçka ishte e mundur të jepje nga forcat tona morale, intelektuale dhe profesionale për ta përmirësuar këtë qytet dhe atdheun të cilit i takon… Kanë vdekur të gjithë për ne, për të padrejtët, u kemi atyre një borxh të madh dhe duhet t’ua shlyejmë, duke vazhduar veprën e tyre… duke i treguar vetës dhe botës që Falcone është gjallë”.

Fatkeqësisht nuk do ta ketë të mundur: më 19 korrik në Palermo, në rrugën D’Amelio një autobombë vret gjykatësin Paolo Borsellino dhe njerëzit e truprojës së tij: Agostino Catalano, Ëalter Cusina, Emanuela Loi, Vincenzo Li Muli, Claudio Traina.

Lidhja me vdekjen ka qenë gjithnjë e pranishme në jetën e këtij shërbyesi të jashtëzakonshëm të shtetit: ka parë të bien një nga një shumë miq e kolegë, por megjithatë, apo ndoshta pikërisht për këtë arsye, shpesh bënte shaka me Falconen me atë çka duhet t’u shkruanin në nekrologji në rast se njëri prej tyre binte nën goditjet e mafies.

Por Borsellino është i vetëdijshëm, dhe me të drejtë, që ka kryer gjithnjë, deri në fund, detyrën e tij; e vetmja gjë që e shqetëson vërtet, i fut ankthin, është dëshpërimi që do të binte mbi familjarët e tij. Përpara atentatit që i mori jetën kishte shkruar: “Nuk jam as hero as kamikaz, vetëm një person si shumë të tjerë. I trembem fundit sepse e shoh si një gjë të mistershme, nuk di ç’do të ndodhë në botën e përtejme. Por e rëndësishme është që guximi të fitojë mbi të tjera ndjenja… Po të mos ishte për dhimbjen që më jep largimi nga familja ime, mund edhe të vdisja i qetë”.

Vetëm pesë muaj pas vrasjes së Paolo Borsellinos duket sikur gjërat më në fund ndryshojnë: rinisin hetimet dhe arrestimet. Më i bujshmi, më 15 janar 1993, është arrestimi i kreut të Korleonezëve, familjes mafioze më në zë të asaj periudhe, Toto Riinës, që ishte edhe njeriu i atentateve më mizore të viteve pararendëse.

Por mafia nuk dorëzohet: një seri atentatesh mes majit dhe korrikut të të njëjtit vit të lënë të kuptosh që rruga do të jetë ende e gjatë: më 15 maj një bombë shpërthen në Romë, në rrugën Fauro, teksa kalon makina e Maurizio Costanzos, që duhet të ishte edhe viktima pasi gazetari, pas atentateve të Capaci-t dhe rrugës D’Amelio, ishte përpjekur shumë, me aq sa mundej, në luftën kundër mafies. Më 27 maj në Firenze, një autobombë në rrugën Georgofili shkaktoi vdekjen e pesë personave, Dino Capolicchio, Angela Fiume, Fabrizio Nencioni dhe të dy fëmijëve të këtyre të fundit, Nadia 9-vjeçare dhe Caterina 50-ditëshe, dhe mëse 40 të plagosur. Natën mes 27 dhe 28 korrikut shpërthejnë njëkohësisht dy autobomba, një në Romë (shkakton 20 të plagosur) dhe një në Milano (5 të vdekur), ndërsa në pallatin Chigi të qeverisë verifikohet një black out telefonik (teksa zhvillohet mbledhja e Komitetit për rendin dhe sigurinë) që bllokon komunikimin mes Kryeministrit dhe Komandës së përgjithshme të Karabinierëve. Në Milano vdesin zjarrfikësit Carlo Lacatena, Stefano Picerno, Sergio Pasotto, polici bashkiak Alessandro Ferrari dhe emigranti maroken Driss Moussafir. Në Romë dëmtohet rëndë kisha e San Giorgio in Velabro, dhe me një bombë të dytë, Bazilika e San Giovanni in Laterano. Të gjithë këto atentate duken si një paralajmërim që mafia u çon institucioneve.

Që atëherë kanë kaluar vite; mafia si një lumë karstik ka zënë pozita më të ulëta. Tashmë ka mbyllur epokën e atentateve të bujshme dhe ka rimarrë punën e saj nën rrogoz, por, pa dyshim, ajo ende nuk është mundur.

Giovanni Falcone, simbol i luftëtarit pa kompromis kundër mafies

Giovanni Falcone lindi në Palermo më 18 maj 1939, nga Arturo, drejtor i Laboratorit kimik provincial, e nga Luisa Bentivegna. Pasi kreu Liceun (gjimnazin) klasik “Umberto” pati një përvojë të shkurtër pranë Akademisë Detare të Livornos. Vendosi të kthehet në qytetin e lindjes për të vazhduar Fakultetin Juridik, ku u diplomua më 1961.

Pas praktikës së kryer në gjykatë, më 1964 u bë gjykatës i shkallës së parë në Lentini. Më vonë transferohet si nënprokuror në Trapani, ku qëndron rreth dymbëdhjetë vjet. Në këtë post thellohet vazhdimisht prirja e tij drejt fushës penale: siç e thoshte ai vetë, “ishte vlerësimi objektiv i fakteve ai që më magjepste”, në kundërvënie me mekanizma të tillë “të ngatërruar e bizantinë” veçanërisht të theksuar në fushën e krimeve civile.

Të nesërmen e atentatit tragjik ndaj gjykatësit Cesare Terranova, ndodhur më 25 shtator 1979, Falcone nis të punojë në Palermo pranë Zyrës së Instruksionit. Kryeinstruktori Rocco Chinnici ia beson në maj 1980 hetimet kundër Rosario Spatola-s, një proces që hetonte edhe kriminalitetin amerikan, dhe që kishte prokuror prokuror Gaetano Costa-n, vrarë në qershorin e mëvonshëm, i penguar nga disa zëvendës të tij, në momentin kur po firmoste një numër të madh urdhërash për arrestime.

Pikërisht në këtë përvojë të parë Giovanni Falcone mëson se po të hetojë krimet dhe veprimtaritë e strukturave mafioze, duhet të kryejë hetime edhe në pasuritë e mirëfillta dhe në ato të depozituara në banka (edhe përtej oqeanit), dhe se – sidomos – duhet krijuar një kuadër tërëso, një vizion organik lidhjesh, mungesa e të cilave në të shkuarën kishte sjellë një “varg pafajësish”.

Më 29 korrik 1983 kryeinstruktori Chinnici, në krye të një ekipi hetuesish ku bëjnë pjesë Falcone, Barrile e Paolo Borsellinor, vritet bashkë me eksortën e tij në rrugën Pipitone; e zëvendëson Antonino Caponnetto, i cili synon të kriojë siguri më të plotë për hetuesit gjatë hetimeve të krimeve të mafias.

Ndërtohet kështu ai që quhet “pool antimafia”, mbi modelin e ekipeve aktive të viteve 1970 kundër dukurisë së terrorizmit politik. Përveç Falcone-s në grup bënin pjesë gjykatësit Di Lello, Guarnotta, e Paolo Borsellino, i cili kishte prirë hetimin mbi vrasjen e kapitenit të karabinierëve Emanuele Basile, më 1980.

Hetimi i filluar në Roma në korrik 1984 në praninë e nënprokurorët Vincenzo Geraci e Gianni De Gennaro, të Bërthamës Operative të Criminalpol, dhe të “penduarit” Tommaso Buscetta, është konsideruar një kthesë e vërtetë dhe e mirëfilltë për njohjen e fakteve përcaktuese të mafies dhe veçanërisht të strukturës së organizatës “Cosa nostra”.

Funksionarët e Policisë, Giuseppe Montana e Ninni Cassarà, bashkëpunëtorë të ngushtë të Falcone-s dhe të Borsellino-s, u vranë në verën e vitit 1985. Lind droja se të njëjtin fat do të kishin edhe dy hetuesit në fjalë, të cilët, për arsye sigurie, do të transferoheshin me familjet pranë burgut të Asinara-s.

Nëpërmjet këtij vargu ngjarjesh dramatike arrihet në dhënien e dënimit ndaj Cosa nostra-s në të parin maxiproces (16 dhjetor 1987) vendosur nga Gjykata e Assise-s të Palermos, nga kryetari Alfonso Giordano, pas njëzet e dy muajsh seanca pas seancash dhe tridhjetë gjashtë ditësh të mbledhjeve të zyrën e instruktimit. Urdhëri për shtyrjen e gjykimit ndaj 475 të pandehurve ishte depozituar në Zyrën e Instruksionit nga fillimi i nëntorit të dy viteve më parë.

Zhvillimet e mëvonshme ndikojnë negativisht kundër këtij suksesi. Në janar Këshilli Epror i Hetimeve parapëlqen Antonino Meli-n e jo Falcone-n, në krye të Zyrës së Instruksionit, i cili zëvendësonte Caponnetto-n që kishte dëshiruar ta linte detyrën. Ndërkohë në vijim të rrëfimit nga ana e “të penduarit” katanez Antonino Calderone, që kishte çuar në një varg të gjatë arrestimesh (të njohura si “blitz delle Madonie”), hetuesi i Termini-t, konsiderohet i paaftë dhe ia kalon dosjet Zyrës palermitan. Meli, në kundërvënie ndaj hetuesve të pool, i rikthen dosjet në Termini, përderisa veprat e kryera ishin nën juridiksionin e atjeshëm. Kasacioni, në mbarim të 1988, i jep të drejtë kryeinstruktorit, duke mohuar strukturën e centralizuar dhe vertikale të organizatave kriminale dhe duke i konsderuar ato të pavarura nga njëra tjetra në veprimet dhe në vendimet. Ky vendim do të godiste rëndë hetimet e kryera në Palermo kundër mafies.

Më 30 korrik Giovanni Falcone kërkon përsëri të transferohet në një tjetër zyrë. Në vjeshtë Meli e akuzon se ka favorizuar në njëfarë mënyre Carmelo Costanzo-n, Catania, dhe prandaj e shpërbën strukturën e pool, siç e kishte parandjerë Paolo Borsellino në një deklaratë publike, e cila iu censurua. Hetuesit Di Lello e Conte dorëhiqen në shenjë proteste.

Lidhur me tërë këtë zhvillim, në qershor 1992, gjatë një debati në Palermo, organizuar nga revista “Micromega”, Borsellinor kishte paralajmëruar: “Masat që janë marrë nga Meli, miratuar nga Kasacioni, filluar atëherë dhe vazhduar deri tani, nuk do ta pengojnë Falcone-n ta vazhdojë punën me përkushtim.” Pavarësisht zhvillimeve të tilla, gjithnjë në rrjedhën e vitit

1988, Falcone kishte realizuar një operacion të rëndësishëm në bashkëpunim me Rudolph Giuliani, prokuror rajonal i Neë York-ut, emërtuar “Iron Toëer”, falë të cilit u goditën familjet Gambino e Inzerillo, përfshirë në trafikun e heroinës.

Më 20 qershor 1989 ndodhi atentati i dështuar dhe i errët i Addaura-s, pranë Mondello, për të cilin Falcone pohoi: “Gjendemi përballë mendjesh tejet të regjura që orvaten të orientojnë aksione të tilla të mafies. Ekzistojnë ndoshta pika lidhjeje midis krerëve të Cosa nostra-s dhe qendrave të errëta të pushtetit të cilat kanë të tjera interesa. Kam përshtypjen se ky është skenari më i pranueshëm nëse duhen kuptuar vërtetë arsyet që e kanë shtyrë dikë për të më vrarë.” Periudha e mëvonshme vijoi menjëherë me episodin tronditës të të ashtuquajturit “korbi”: disa letra anonime të cilat akuzojnë tërë mllef Falcone- dhe të tjerë.

Një javë më vonë instanca eprore vendos ta emërojë Giovanni Falcone-n ndihmësprokuror në Prokurorinë e Republikës në Palermo. Në janarin e vitit 1990 bashkërendon një hetim që çon në arrestimin e katërmbëdhjetë trafikantëve kolombianë e sicilianë, hetim që kishte zënë fill nga rrëfimet e “të penduarit” Joe Cuffaro’ i cili kishte shpalosur se anija tregtare Big John, me flamur kilian, kishte shkarkuar në janar 1988, 596 kilogramë kokainë në zonën e brigjeve të Castellammare del Golfo.

Atë vit ndodhi “përplasja” me Leoluca Orlando-n, i cili bënte akuza sidomos ndaj europarlamentarit Salvo Lima. Polemika vazhdon me argumentin e mirënjohur të “kartave në kaseta”, të cilat Falcone i konsideron frut të “cinizmit politik” të mirëfilltë të kulluar.

Më 1990 në zgjedhjet e anëtarëve me uniforma të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Falcone është kandidat për listat “Lëvizja për drejtësinë” dhe “Propozimi 88” (në rrethana të lidhura): por rezultati do të ishte negativ. Ndërkohë ashpërsohen moskuptimet me prokurorin e atëhershëm Giammanco, në rrafshin vlerësues dhe etik, në kryerjen e hetimeve.

Falcone merr ftesë nga nënkryeministri Claudio Martelli, përkohësisht ministër i Drejtësisë, për të drejtuar Çështjet Penale të ministrisë, ku të merrte rolin e bashkërendimit të një serie çështjesh, nga propozimet për reforma ligjore tek bashkëpunimi ndërkombëtar. Do të hapej kështu në mars 1991 një periudhë e karakterizuar nga një veprimtari e ngjeshur, që do t’i bënte më të frutshme aksionet e drejtësisë në luftën kundër krimit.

Falcone përkushtohet të realizojë atë që e quan kusht të pazëvendësueshëm të rinovimit:

Në nëntor 1991 u krijua Drejtoria Kombëtare Antimafia, për funksionet e së cilës Falcone kishte folur në Palazzo dei Marescialli më 22 mars 1992. “Unë besoj se prokurori antimafia i Italisë duhet të ketë detyrë kryesore ta bëjë të frutshëm bashkërendimin e hetimeve, të garantojë funksionalitetin e policisë gjyqësore dhe të sigurojë plotshmërinë e shpejtësinë e hetimeve. Ritheksoj se ky duhet të jetë një organizëm përkrahjeje dhe mbështetje për veprimtarinë hetimore që duhet kryer ekskluzivisht nga prokuroritë rajonale antimafia.” Kandidatura e Falcone-s për një detyrë të tillë u pengua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, plenumi i të cilit nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar para se të ndodhte vdekja tragjike e Falcone-s.

Është 23 maji 1992 kur në orën 17 e 56 minuta, në shpatet e fshatit sicilian Capaci, 572 kilogramë tritol e bëjnë të fluturojë në ajër veturën me të cilën udhëtonte Giovanni Falcone, e shoqja Francesca Morvillo e tre burrat e grupit të shoqërimit, Antonio Montinaro, Rocco Di Cillo e Vito Schifani.

Pas vrasjes së mallkuar, më 4 qershor u mblodh Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili doli me një rezolutë ku kërkonte forcimin e përkushtimit të grupit të punës italiano-amerikan, pjesëtar i të cilit ishte Falcone.

As dy muaj më vonë, më 19 korrik, i takonte një tjetër prokurori të binte nën goditjet e mafies. Paolo Borsellino vritej nga një autobombë në Palermo në rrugën D’Amelio. Ishte një nga periudhat më të errëta në historinë e Republikës Italiane.

Falcone ishte personazh i përfolur, nga disa shumë i urryer gjatë jetës dhe shumë i dashur pas vdekjes, një personazh dyshues e i mbyllur, i vendosur e ngulmues. Për sa mund të bënte një njeri, ai ka luftuar sy për sy e ballë për ballë, me të gjitha forcat për të arritur autonominë e tij si hetues në vijën e luftës kundër mafies, dhe sot konsiderohet me plot kuptimin e fjalës  simboli i luftëtarit pa kompromis, një histori që nuk duhet harruar.

Si u vra prokurori antimafie, Giovanni Falcone

Falcone u vra bashkë me gruan e tij Francesca Morvillo (gjithashtu prokurore) dhe tre policë: Rocco di Cillo, Antonio Montinaro, Vito Schifani në Capaci, në autostradën që lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Palermos me qytetin e Palermos, më 23 maj 1992. Makina me të cilën po udhëtonin u hodh në ajër nga një bombë, e cila përmbante 350 kg eksplozivm të vendosur në një pjesë të gërmuar thellë në anët e rrugës. Kur kaluan sipër bombës, Falcone po e ngiste makinën e tij me një shpejtësi prej 160km/orë.

Vrasja është organizuar nga Salvatore Riina si hakmarrje për dënimet e qindra gangsterëve që kishte firmosur Falcone gjatë “Gjurmëve të Mëdha”. Ndër masat më të rrepta të antimafias pasuese për vrasjen e Falcone dhe Borsellino, ishte edhe arrestimi i Riinas, i cili edhe sot është duke shlyer dënimin deri në vdekje për sanksionimin e vrasjes së dy prokurorëve, bashkë me shumë krime të tjera të rënda. Një mafioz tjetër i dënuar për vrasjen e Falcones është Giovanni Brusca, një nga shoqëruesit e Riinas, i cili dëshmoi se ishte personi i cili kishte shpërthyer eksplozivin.

Aeroporti i Palermos është i njohur edhe me emrin “Aeroporti Falcone-Borsellino” në nderim të Giovanni Falcones dhe Paolo Borsellinos. Aty gjendet gjithashtu edhe një memorial nga një skulptor i vendit, Tommaso Geraci.

Dallimet mes mafias, ku ndryshon “Kamorra” nga “Cosa Nostra”

“Kamorra” është një organizim kriminale që është krijuar nga qindra banda, që bashkohen, ndahen dhe bashkohen përsëri, pa asnjë rregull dhe pa asnjë disiplinë. Struktura e saj është e shpërndarë. Ka raste që strukturohet edhe në mënyrë hierarkike, duke kërkuar të imitojë mafian e fortë siçiliane. Këtë formë mori sidomos në periudhën kur udhëhiqej nga bosi Rafael Kutolo dhe u quajt “NCO” (“Kamorra” e re e organizuar). Më pas pati edhe një përpjekje tjetër, kur drejtohej nga treshja Bardelino-Nuovoleta-Alfieri, tre bosë të fuqishëm. Struktura hierarkike ishte e destinuar të zgjasë pak kohë, në një kontekst historik dhe social shumë më të ndryshëm se ai siçilian. “Kamorra” ka një shpërndarje të tipit konfederativ, duke bërë aleanca sipas interesave të çastit. Me fjalë të tjera, aleanca kur interesat dhe veprimtaritë në një çast të caktuar piqen në grupime të caktuara. Janë gjithashtu të mundshme kundërshtitë mes tyre, lindja e klaneve të reja. “Kamorra” e ka selinë kryesore në Kampina, Napoli. Ky organizim ka një strukturë të theksuar horizontale dhe të shpërndarë, duke u formuar nga grupime që bashkohen dhe ndahen lehtësisht nga njëri-tjetri. Aktualisht në të bëjnë pjesë 100 organizime të vogla me rreth 6700 anëtarë. Nuk ka një komusion rajonal apo provincial dhe nuk ka kryer vrasje të tilla si “Cosa Nostra”. “Kamorra” ka një kontroll të territorit të ndryshëm nga “Cosa Nostra”. Ajo e zhvillon kontrollin e saj në ekonominë e familjeve dhe klasave sociale më të varfra. Klanet e saj janë shumë të mbuluara, pasi futja në to nuk kërkon rregulla të veçanta. Nuk përdoren rite të karakterit shenjtor. Nga vetë mënyra se si është ndërtuar dhe si vepron, “Kamorra” nuk ka reaguar ndaj shtetit si një organizëm alternativ. Nga ana tjetër, pikërisht këto veçori, të konsideruara si dobësi në raporty me organizime të tjera kriminale, nuk lejojnë që ajo “të gëzojë” potencën e një padënueshmërie të tillë, të cilën, për shembull, e gëzon “Cosa Nostra”. Për rrjedhojë, ajo ka qenë vazhdimisht më e zbuluar.

Kodi i nderit për anëtarët e “Cosa Nostra”-s

Celula e parë është e përbërë nga “familja”, një strukturë me bazë territoriale që kontrollon një zonë të qytetit apo një qendër të tërë të banuar, nga ku merr dhe emrin.
Familja është e përbërë nga “burra nderi” ose “ushtarë” të koordinuar dhe udhëhiqet nga një shef i zgjedhur i quajtur edhe “përfaqësuesi”, i cili pasohet nga një “zv/shef” dhe nga një ose më shumë “këshilltarë”.

Nëse ngjarje të rastit bëjnë të pamundur zgjedhjen normale të shefit nga anëtaret e familjes, “komisioni” organizon emërimin e “anëtarëve të këshillit” që të administrojnë përkohësisht familjen deri në kohën e zgjedhjeve në normale.

Aktiviteti i familjeve koordinohet nga një organizëm kolegjial i quajtur “komisioni” ose “kupola”, ku bëjnë pjesë përfaqësuesit e tre a më shumë familjeve të afërta.
Komisioni drejtohet nga njëri prej përfaqësuesve të familjeve. Komisioni ka një rreze veprimi të gjerë, si dhe ka detyrën për të siguruar respektimin e rregullave të Cosa Nostra-s brenda secilës familjeje, e mbi të gjitha, të zgjidhë konfliktet ndërmjet familjeve.

Jo më pak të rëndësishme janë rregullat që disiplinojnë “rekrutimin” e “burrave të nderit” dhe çështjeve të sjelljes së tyre.
Kërkesat për rekrutim janë: dhuntia e guximit dhe mungesa e mëshirës; një situatë familjare transparente, e mbi të gjitha mungesa e lidhjeve të çdo lloji me policinë.

Prova e guximit nuk u kërkohet atyre personazheve që shërbejnë si përfaqësues. Sipas një shprehjeje të Salvatore Contorno-s, anëtar i penduar i Cosa Nostra-s, këtu bëjnë pjesë “fytyra e pastër” e mafies, pra profesionistët, administratorët publikë, sipërmarrësit, të cilët përgjithësisht nuk përfshihen në veprime kriminale.

Personi që të dhënat e përdorura më lart afrohet me kujdes për t’i testuar disponueshmërinë për t’u bërë pjesë e shoqërisë. Me të marrë pëlqimin, anëtarësimi i rishtarit kryhet në një vend në natyrë. Në prezencën e të paktën tre burrave të familjes, ku do të bëjë pjesë, zhvillohet ceremonia e betimit për besnikëri ndaj Cosa Nostra-s.

Personi në fjalë mban në duar një imazh të shenjtë, e spërkat me gjakun e një prej gishtave të tij, i vendos zjarrin dhe më pas e mban në duar deri sa fiket duke përsëritur formulën e betimin që përmbyllet me frazën: “U djegsha si kjo figurë e shenjtë nëse tradhtoj betimin tim”.

Statusi i “burrit të nderit” me t’u përftuar përfundon vetëm në vdekje; mafiozi, cilado qofshin rrethanat e jetës së tij, a kudo të banojë, në Itali a jashtë, mbetet gjithnjë i tillë.
“Burri i nderit”, pasi të ketë mbaruar betimin, fillon të njohë sekretet e Cosa Nostra-s dhe të hyjë në kontakt me anëtarët e tjerë. Vetëm familja Korleone e dhe ajo e Resuttana-s nuk ua kanë bërë të ditur asnjëherë zyrtarisht emrat e anëtarëve të tyre, shefave të familjeve të tjera.

Në çdo rast, njohja e “burrit të nderit” me faktet e Cosa Nostra-s, varet rrënjësisht nga grada që ai do të ketë në organizatë, në kuptimin që sa më lart të jetë aq më të mëdha janë mundësitë që ai të mësojë fakte dhe të hyjë në konkakt me “burra nderi” të familjeve të tjera.

Çdo “burrë nderi” është i detyruar të respektojë “barrën e heshtjes”: nuk mund t’i zbulojë të huajve anëtarësinë e tij në mafia dhe aq më pak sekretet e Cosa Nostra-s; ky është mbase rregulli më i hekurt i Cosa Nostra-s.

Brenda organizatës, llafet e tepërta zakonisht nuk çmohen: qarkullimi i lajmeve është i reduktuar në minimumin e domosdoshëm dhe “burri i nderit” duhet të përmbahet për të mos bërë pyetje të tepërta sepse kjo është shenjë e kuriozitetit të pavend dhe çon në lindjen e dyshimeve ndaj personit në fjalë.
Kur burrat e nderit flasin mes tyre për çështje që kanë të bëjnë me Cosa Nostra-n kanë detyrim absolut për të thënë të vërtetën dhe kur bëhet fjalë për “burra nderi” të familjeve të ndryshme është mirë që të asistojë në bisedë një i tretë që mund të konfirmojë përmbajtjen e bisedës.

Kush nuk thotë të vërtetën pëson sanksione të rënda që variojnë nga përjashtimi e deri në vdekjen e personit në fjalë.
Këto koncepte janë të një rëndësie themelore për të vlerësuar deklaratat e kryera nga “burrat e nderit”, pra nga anëtarët e Cosa Nostra-s dhe për të interpretuar sjelljet dhe bisedat.

Formula e betimit të “Cosa Nostra”-s

Personi që kërkon të anëtarësohet mban në duar një imazh të shenjtë, e spërkat me gjakun e një prej gishtave të tij, i vendos zjarrin dhe më pas e mban në duar deri sa fiket duke përsëritur formulën e betimin.

“Betohem se do të respektoj “barrën e heshtjes”. Nuk do të zbuloj para të huajve anëtarësimin tim dhe as sekretet e “Cosa Nostra”-s. Nuk do të bëj pyetje të tepruara dhe nuk do të bëhem kurrë kurioz për asgjë. Do të mjaftohem me ato që di vetë dhe ato që më thoni ju. Do të them gjithmonë të vërtetën për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me “Cosa Nostra”-n. Nuk kam dhe nuk do të kem asnjëherë lidhje me policinë. U djegsha si kjo figurë e shenjtë e spërkatur me gjakun tim, nëse tradhtoj betimin tim”.

Fjalori i mafias

MAFIA – Bashkimi i fshehtë i njerëzve të ccdo shkalle dhe ccdo lloji, që i japin ndihmë njeri-tjetrit në interesa të ndërsjellta pa respektim të ligjit dhe të moralit

OMERTA – Kodi i heshtjes

FAMILJA – Një strukturë me bazë territoriale që kontrollon një zonë të qytetit apo një qendër të tërë të banuar, nga ku merr dhe emrin

KUPOLA – Quhet ndryshe edhe komision, dhe koordinon aktivitetin e familjeve. Në të bëjnë pjesë përfaqësuesit e tre a më shumë familjeve të afërta

ULTIMO – Është quajtur kapiteni i skuadrës speciali, Serxhio De Kaprio, i cili bëri të mundur arrestimin e bosit të bosëve, Toto Riina-s

PERFAQËSUESI – Shefi i zgjedhur që udhëheq një familje mafioze

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco