Në Bruksel ngrihet flamuri i shtetit të 30-të anëtar fuqiplotë i NATO-s

Në Bruksel ngrihet flamuri i shtetit të 30-të anëtar fuqiplotë i NATO-s

21:45, 30/03/2020

Flamuri i Maqedonisë së Veriut u ngrit të hënën para selisë së NATO-s në Bruksel në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg dhe paralelisht para Komandës së Aleancës për operacione në Mons të Belgjikës dhe në Komandën e Aleancës në Norfolk të Virxhinisë, SHBA.  

Maqedonia e Veriut tashmë është shteti i tridhjetë anëtar fuqiplotë i NATO-s. Ceremoninë nga Shkupi e ndoqi Kryeministri Oliver Spasovski me kabinetin e tij, raporton VOA.  

Sekretari Stoltenberg tha gjatë një fjalimi të shkurtër se “tridhjetë flamuj tash do të valojnë së bashku si simbol i bashkimit dhe solidarizimit tonë. Ky është një çast historik për Maqedoninë e Veriut. Vjen pas vitesh këmbënguljeje, përkushtimi dhe zotimi mbi reformat. Në frymën më të mirë të Aleancës dhe guximit të vërtetë dhe përmes ambicjeve Maqedonia e Veriut dhe Greqia arritën një kompromis historik reth çështjes së emrit”, theksoi z. Stoltenberg.  

Në ceremoni në Bruksel mori pjesë kryesuesi i Komisionit ushtarak të Aleancës, mareshali Stuart Peach dhe ambasadori në deytyrë i Maqedonisë së Veriut.  

Ndërkohë, në Shkup, kryeministri i qeverisë teknike Oliver Spasovski u shpreh pasi ndoqi ceremoninë përmes videos se “Rruga ishte e gjatë por shpërblimi që arriti sot, me shikimin e flamurit të vendit tonë në selinë e NATO-s në Bruksel - e merituam! Bëhuni krenarë të nderuar bashkëqytetarë të mi, flamuri I Republikës së Maqedonisë së Veriut është simbol i të ardhmes së sigurtë dhe me prosperitet të vendit tonë. Vërtet ne sot bëjmë një betejë tjetër, betejë me koronën (virusin), por për një çast do t’ia lejojmë vetes që të gëzohemi. Të shkruhet se sot është një ditë për t’u mbajtur mend. Një ditë – histori”, u shpreh kryeministri maqedonas.  

Sekretari i NATO-s, Stoltenberg duke folur më pas për median maqedonase është shprehu se nuk pret reagim nga Moska për shkak të anëtarësimit të Shkupit në NATO. Ai ka shtuar se qëllimi i Aleancës nuk është që të nxisë konflikt ose problem me Rusinë, “e cila rregullisht sillet në mënyrë sulmuese si ndaj Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Tash Maqedonia e Veriut është pjesë e koalicionit të fuqishëm të sigurisë aq sa janë të sigurta edhe vendet tjera anëtare të NATO-s, sepse qëndrojmë përkrah njëri tjetrit”, është shprehur zoti Stoltenberg.  

Maqedonia e Veriut depozitoi të premten në Uashington instrumentin e NATO-s për anëtarësim. Një procedurë që shënonte hapin e fundit të bërjes aleate e NATO-s.  

Autoritetet maqedonase theksojnë se ceremonia modeste nuk e zvogëlon rëndësinë historike të këtij çasti. Autoritetet dhe një numër i madh i popullatës së Maqedonisë së Veriut gjithnjë e kanë dëshirur anëtarësimin në organizatën më të fuqishme ushtarake dhe të sigurisë në mbarë globin.  

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco