I erdhi dita fshatit: Kriza COVID-19 rrit kërkesën për produkte

I erdhi dita fshatit: Kriza COVID-19 rrit kërkesën për produkte

07:33, 28/03/2020

Çmimet e larta dhe përqendrimi i konsumit në ushqime rrisin perspektivën për fitime më të larta në bujqësi. Fermerët në të gjithë vendin kanë vijuar mbjelljet dhe furnizimin e tregut normalisht. Fshati, më pak i rrezikuar nga epidemia, mund ta shndërrojë krizën në favor të tij. Si po përshtatet sektori

Nga Monitor

Ndërkohë që shumë biznese të shërbimeve dhe shitjeve po përjetojnë krizën që krijoi emergjenca e Covid-19, duket se bujqësia dhe prodhimet e saj do të jenë një biznes i mirë në këtë situatë. Për shkak se kërkesat për shërbimet e argëtimit dhe veshjet do të jenë të limituara përkohësisht, buxhetet familjare, sa do të vogla, po orientohen për ushqime dhe kryesisht prodhime të freskëta vendi.

Kërkesa e lartë, për artikuj si limoni, brokoli, hudhra, qepa ka rritur çmimet për këta artikuj, duke lajmëruar të ardhura më të mbara për fermerët shqiptarë, të cilët përballen në rutinën e tyre me kosto të larta të prodhimeve. Situata e re është nuhatur nga fermat shqiptare, ndaj pandemia e COVID-19 nuk po i pengon punët dhe fushatën e mbjelljeve në bujqësi. Kudo në Shqipëri kanë përfunduar krasitjet dhe shërbimet për pemëtarinë dhe vreshtat. Tani po vijohet me mbjelljet e stinës.

Ilir Mile, një fermer i cili kultivon fidanë në Verri të Fierit, zona më prodhuese e vendit, pohoi se punët në bujqësi po vijojnë normalisht. Mile u shpreh se furnizimi i tregut me perimet e stinës, si presh, lakër, qepë dhe hudhër e njomë, spinaq, po bëhet normalisht, teksa vijojnë mbjelljet në sera për trangull e domate. Kungulli del në treg së shpejti. Fushata e mbjelljeve vijon, por bujqit janë të trembur se shitjet do të bien, për shkak të rënies së fuqisë blerëse.

Mbjelljet dhe punët në bujqësi vazhdojnë me të njëjtin ritëm edhe në qarqet e tjera. Nevion Telha, agronom në Rrethin e Korçës, pohoi se mbjelljet kanë vijuar. Ai tha se këtë vit, mbjelljet kanë qenë intensive në kulturat tradicionale, fasule, patate dhe qepë, dhe se ka përfunduar krasitjet dhe shërbimet në frutikulturë. Ditët e ngrohta të pranverës janë të favorshme për mbjelljet, duke sinjalizuar prodhime më të hershme në treg.
Fermerët në të gjithë vendin aktualisht janë në normalitet, por dilemat e tyre lidhen me probleme që do të kenë me shitjen e prodhimeve bujqësore.

 

Fermat shqiptare, të copëzuara, nuk e favorizojnë përhapjen e pandemisë

Mënyra se si është e organizuar bujqësia shqiptare me ferma të vogla nuk e rrezikon infektimin e tyre e për pasojë, prodhimi në bujqësi mund të vijojë me ritmin e njëjtë. Epidemiologu Alban Ylli ka një studim të posaçëm për profilin e pandemisë në Shqipëri, ku referon se, zonat më të thella dhe popullatat më të izoluara nuk ekspozohen ndaj infeksionit njësoj si popullatat urbane me kontakte të ngushta sociale. Është e natyrshme që në një popullatë përgjithësisht urbane, si Lombardia, të ketë një qarkullim me intensiv dhe kurbë më të shprehur epidemike se në Shqipëri, pohoi Ylli.

Aktualisht, bujqësia shqiptare, sipas të dhënave të INSTAT, është e organizuar në 350 mijë ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave, në një mesatare të përgjithshme, nuk i kalon të 1.2 hektarët. Sipërfaqja e parcelave të mbjella me një kulturë nuk i kalon të 0.2 hektarët.

E organizuar më shumë si ekonomi familjare, jo në plantacione, por në parcela të vogla, fshati në Shqipëri dhe fermat janë më pak të ekspozuara ndaj pandemive. Altin Prenga, i cili drejton njësinë e agropërpunimit “Mrizi i Zanave”, pohon se fermerët shqiptarë duhet të rrisin sipërfaqet e mbjella, pasi çmimet premtojnë rritje dhe fitimet e tyre do të jenë më të larta.

 

Emergjenca e Covid-19, rriten çmimet e prodhimeve bujqësore

Çmimet e agrumeve dhe kryesisht portokallit dhe limonit kanë kapur nivele të çmendura këto ditë, thuajse duke u dyfishuar në disa raste në raport me një javë më parë. Në dyqanet e lagjeve, një kilogram limon mund ta gjesh për 200-250 lekë ndërkohë që te shumica, është tërhequr së fundmi me 160 lekë. Tregtarët e pakicës pohojnë se me 250 lekë po shesin limonët që kanë pasur gjendje, ndërsa me marrjen e furnizimeve të reja të hënën, çmimet mund të jenë edhe më të larta.

Portokalli, nga ana tjetër, që tërhiqej me shumicë në nivelet 60-70 apo 80 lekë për kilogram, të premten u shit me 120 lekë tek shumica, ndërsa në dyqanet e Tiranës rreth 200 lekë. Situata ka lidhje direkte me atë që po ndodh me koronavirusin, ku është theksuar një rritje e përdorimit të Vitaminës C apo frutave dhe agrumeve që e përmbajnë atë. Kur i pyet tregtarët se çfarë ndodh me këto çmime dhe pse gjithçka ndryshoi në pak ditë, secili ngre supet duke shpjeguar se ka qenë efekt në gjithë zinxhirin ku kalon malli.

Importuesit pretendojnë se u është sjellë më pak sasi sesa ajo që kishin planifikuar, ndërkaq që iu është dhënë me një çmim më të lartë sesa më parë. Të njëjtën gjë deklarojnë edhe tregtarët e shumicës, të cilët thonë se rritja ka ardhur nga dora e parë, ndërsa konsumatori fundor paguan çmimin më të kripur të gjithë kësaj mungese.
Tendenca për të blerë dhe për të konsumuar më shumë agrume nisi prej dy javësh kur qytetarët nisën të blinin masivisht jo më me kilogramë, por me arka, kryesisht portokallin nga alarmi i koronavirusit fillimisht në vendin fqinj e më pas në fillim të javës edhe në vendin tonë, kurse sasia e disponueshme ishte disa herë më e vogël se kërkesa.

Prodhimi bujqësor nuk plotëson kërkesën, importojmë nga jashtë

Shqipëria, pavarësisht prodhimit të saj të portokallit apo limonit, nuk arrin që të plotësojë të gjithë kërkesën dhe një pjesë të mirë e importon nga vende si Italia apo Turqia. Të dhënat zyrtare nga Doganat tregojnë se vendi ynë importoi në vitin 2018 një sasi prej 16 milionë kilogramë, me një ekuivalente në lekë prej 8.1 milionë dollarë. Në vitin 2017, importi ishte 13.2 milionë kilogram, me një vlerë prej 6.2 milionë dollarë.

Sa i takon limonit, të dhënat e Doganave tregojnë se u importuan në vitin 2018 rreth 3.9 milionë kilogramë, me një vlerë 2.9 milionë dollarë, ndërsa që në vitin 2017, këto importe ishin 3.8 milionë kilogramë me një vlerë 2.6 milionë dollarë. Sipas statistikave të bujqësisë, publikuar nga Instituti i Statistikave, prodhimi i agrumeve kryesisht mandarina dhe portokall në vendin tonë për vitin 2018 ishte 45.4 tonë.

Agroturizmi përshtatet me krizën, nga shërbimet nte shitjet

Disa biznese po ndërtojnë strategji të zgjuara për të mbajtur gjallë aktivitetin. Njësia e agroturizmit “Mrizi i Zanave” e kaloi këto ditë aktivitetin nga shërbimet te shitjet. Magazinat të cilat ishin të mbushura me prodhime po shpërndahen te konsumatorët në Tiranë, Durrës në Lezhë.

Zoti Altin Prenga, i cili drejton biznesin, tha se “zgjodhëm këtë mënyrë për të mbajtur disi në këmbë aktivitetin dhe për të siguruar të ardhura për familjet fermere që e furnizonin ‘Mrizin’. Nga 70 punonjës gjithsej, 60 janë në shtëpi, kryesisht stafi i kuzhinës dhe shërbimit, kurse 10 punonjës vijojnë të jenë në punë. Këta janë shoferë dhe punonjës të tokës”.

Prenga tha se, po i grumbullojnë prodhimet nga fermerët si qumësht, vezë, etj., dhe po shpërndahen në familje sipas kërkesave. Është shumë e rëndësishme që fermerët të punojnë, shtoi ai, pasi kjo krizë e rëndë, sidoqoftë është në favorin e tyre. Çmimet e prodhimeve bujqësore kanë nisur të rriten dhe bujqit janë para një perspektive mirë. Ai u bën thirrje fermerëve në të gjithë vendin se tregu dhe çmimet këtë vit janë të sigurta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco