Për dy ditë Rozhaja u bë qendra e promocionit kulturor shqiptarë

Për dy ditë Rozhaja u bë qendra e promocionit kulturor shqiptarë

12:58, 09/12/2019

Rozhaja është komunë në Malin e Zi me 35 mijë banorë, shumë e shtrirë për sa i takon sipërfaqes, në 431, 6 km katrorë . Kjo komunë është e  vendosur në anë të lumit Ibri dhe në faqe të bjeshkëve  dhe maleve me pisha, pikërisht në trekëndëshin Serbi-Kosovë-Mali i Zi.

Në ditët tona, në komunën e Rozhajës, shqiptarët jetojnë në tetë vendbanime, si: Dacaj, Bukel i Sipërm, Bukel i Poshtëm, Husaj, Peshkaj, Boxhov, Plluncaj, dhe Bralaj(kolen). Sipas statistikës zyrtare të regjistrimit të popullsisë në vitin 1948, qyteti i Rozhajës kishte 1.464 banorë, ndërsa Bashkësia Lokale e Dacajve, si qendër e Malësisë se Rozhajës, ku bënin pjesë fshatrat: Dacaj, Bukel i Sipërm e i Poshtëm, Husaj e Peshkaj pa Boxhov, kishte 370 shqiptarë, kurse në Boxhov, që trajtohet si vendbanim i veçantë në statistikën zyrtare, kishte 73 shqiptarë, ndërkaq Plluncajt kishin 192 banorë. Tani, thuhet, se në këtë komunë jetojnë rreth 1.300 shqiptarë, rreth 900 serbë etj.

Kjo komunë jo e vogël, me një histori të madhe, e përbërë nga popullsi shqiptare, malazeze, serbe dhe boshnjake, prej 11 vitesh është bërë qendra shqiptare e promocionit kulturor me anë të manifestimit të përvitshëm kulturor “Ora e Maleve”, si të thuash,   kryeqyteti i artit e kulturës shqiptare.

Organizator i kësaj veprimtarie të bukur, mbresëlënëse dhe me karakter të theksuar kombëtar, është Ali Daci.

Edhe këtë vit, në edicionin e 11-të të manifestimit kulturor mbarëshqiptar, Rozhaja u bë qendra e promocionit të artit dhe të kulturës së kombit shqiptar.

Erdhën këtu poetë, piktorë, regjisorë, analistë, shkrimtarë, historianë, gazetarë, këngëtarë e instrumentistë  për të manifestuar artin dhe kulturën shqiptare dhe për të ndarë së bashku emocionet, nga të katër viset shqiptare: Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Falë Zotit, lëvizja e lirë mes këtyre katër shteteve është një realitet i prekshëm për këdo. Sot, vetëm me një ID, pa asnjë kufizim dhe barrierë, jo vetëm  shqiptarët lëvizin lirshëm. Kjo është një urë shumë e fortë e miqësisë dhe e bashkëjetesës mes popujve të këtyre shteteve. Ndërkohë, është dhe mënyra më e mirë e bashkëpunimit të ndërsjellë. Por, në këtë kuadër, nuk ka urë më të fuqishme bashkëpunimi se arti, i cili përhapet si rrufeja dhe depërton thellë në zemrat dhe në shpirtin e njerëzve.

Ndaj, kjo veprimtari shumë e rëndësishme kulturore dhe artistike e organizuar aq mirë nga organizatorët dhe mikpritësit, është një garanci më shumë për miqësi mes vetit dhe me të tjerët, si dhe për fqinjësi të mirë. Do të ishte e udhës, dobiprurëse dhe me shumë interes që veprimtari të tilla promovuese të organizoheshin edhe në mes nacionalitetesh, në mes popujsh e kombesh të ndryshëm. Si p.sh: sa mirë do të ishte që të tilla veprimtari kulturore e artistike të organizoheshin të përbashkëta edhe në mes shqiptarëve dhe malazezëve, në mes shqiptarëve dhe serbëve, në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, mes shqiptarëve dhe grekëve dhe mes shqiptarëve dhe italianëve.

Në këtë manifestim të rëndësishëm u përurua arti i fjalës, përmes paraqitjes dhe recitimit të poezive nga secili poetë e poete. U përurua piktura, me paraqitjen e  ekspozitës. U përurua libri, përmes paraqitjes së librit të diplomatit Shaban Murati. U përurua filmi, duke shfaqur filmin e regjisorit Saimir Kumbaro.

Dita e  parë të manifestimit kulturor u hap me himnin kombëtar dhe u pasua me fjalën përshëndetëse të organizatorit, z.Ali Daci. Gjithashtu, po këtë ditë u çel edhe ekspozita e piktorit Pjetër Marku, me 30 piktura të realizuara shumë mirë, u propagandua libri, duke bërë dhurata librash nga të gjithë autorët e ndryshëm për qendrën  “Ora e Maleve’.

Në ditën e  dytë u përurua vepra “Bosnja, një pikëpamje nga Tirana” të autorit Shaban Murati, Mjeshtër i Madh, libër për të cilin folën autori dhe redaktori i tij, publicisti i njohur Çerçiz Loloçi.

Më pas, u vijua me orën letrare, ku përshëndetën dhe recituan krijimet e tyre shumë poetë e poete, njerëz të letrave, të botës së medies, aktivistë të shquar shoqëror, si: Rreze Samiu, Ejup Ajdini, Azgan Haklaj, Elinda Dibra, Ramiz Lushaj,  Ekrem Ajruli, Zise Pepshi, Hodo Katal, Olimbi Velaj, Burbuqe Aliu, Fatos Daci, Rovena Koçi, Sazan Guri, Anton Gjurafqaj etj., të cilët u duartrokitën dhe u nderuan nga organizatorët me çmime dhe vlerësime të ndryshme.

Që të gjithë i dhuruan qendrës “Ora e Maleve dhe disa nga botimet e tyre.

Në këtë takim kulturor, edhe Alban Daci, anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave, edhe pse nuk ishte i pranishëm, për shkak të angazhimeve të tij në Itali, dhuroi   librat: ”Evropa në marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe “KuqeZi”.

Kësisoj nuk mund të mos vëmë në dukje se ishte një veprimtari e mirëfilltë kulturore edhe promocioni, e organizuar me aq kujdes e merak nga drejtuesit e “Ora e Maleve”.

Në drekën e  shtruar bujarisht,  përsëri u fol për art e kulturë, u kërcyen valle popullore, u kënduan këngë dhe u dëgjua me mjaft interes mjeshtri i instrumenteve popullore Tonin Haxhia, me meloditë e bukura të  çiftelisë dhe fyellit.

Vërtetë ishte një aktivitet shumë mbresëlënës, i dobishëm dhe me emocione të mëdha për pjesëmarrësit, të cilët u ndanë  me premtimin, se do të kthehen sërish vitin e ardhshëm, në edicionin e 12-të të manifestimit kulturor të artit shqiptar nga qendra “Ora e Maleve”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco