Radio Gjakova shënon 4 dekada punë

Radio Gjakova shënon 4 dekada punë

17:02, 09/11/2019

Gjakova sot kremtoi një jubile të rëndësishëm të themelimit të mediumit të parë të saj të informimit, 40-vjetorin e punës dhe të veprimtarisë së Radio Gjakovës.

Për katër dekada të veprimtarisë së kësaj radioje, sot në Pallatin e Kulturës “Adim Vokshi” në Gjakovë u organizua një akademi solemne ku u tha se radioja e këtij qyteti la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në informimin e drejtë dhe të gjithanshëm të qytetarëve por edhe në kultivimin e vlerave të mirëfillta kombëtare të kulturës, artit dhe muzikës.

Në fund të viteve të 70-ta kur Gjakova po përjetonte një zhvillim të gjithanshëm, mozaikut të strukturës së institucioneve, më 9 nëntor të vitit 1979, për herë të parë në historikun e Gjakovës nisi punën Radio Gjakova, dhe u dëgjua në etër “Ju flet Radio Gjakova”.

Nëntë punëtorët e parë të Radio Gjakovës, të udhëhequr nga drejtori dhe kryeredaktori i parë i saj Ali Saraqini, shënuan fillim të bujshëm të zhvillimit të këtij mediumi lokal të informimit, që u pasua me shtrirje dhe rritje të vazhdueshme programore si në cilësi ashtu edhe në sasi.

Drejtori aktual i Radio Gjakovës, Skënder Gola, në fjalën e tij në këtë akademi tha se mediumi që drejton ka kaluar në shumë sfida. Ai përmendi korrikun e vitit 1990 kur pushteti i atëhershëm okupues serb i dëboi dhunshëm nga puna.

Për 9 vitet pasuese ,Radio-Gjakova nuk foli shqip. Punonjësit e saj u nxorën në rrugë nga pushtuesit serbë dhe popullsisë me rreth 98% shqiptarë iu imponua radio-program në gjuhën serbe.

Megjithatë, më 14 qershor të vitit 1999, në ditën e çlirimit të Gjakovës nga okupimi serb, serish jehoi në eter fjala shqipe: “Ju flet Radio-Gjakova”. Për Golën, kjo ishte rilindja e dytë e Radio-Gjakovës.

Gola: Në katër dekada të veprimtarisë, Radio Gjakova arriti një stad të lakmueshëm të zhvillimit

 

“Puna e përditshme e punonjësve të Radio Gjakovës edhe në ditët e sotme, 20 vite pas çlirimit, është e përqendruar në informimin e kohshëm e të drejtë të qytetarëve në të gjitha fushat e jetës dhe të punës. Përmes emisioneve të përditshme, synohet të pasqyrohet realiteti, të arriturat dhe vështirësitë në ekonominë gjakovare, në fushën e shëndetësisë, arsimit, shkencës, kulturës e sportit. Njëkohësisht përmes emisioneve të rregullta, Radio Gjakova ka qenë dhe vazhdon të jetë derë e hapur për të gjithë të rinjtë që kanë synuar dhe synojnë të ushtrojnë profesionin e gazetarit. Një numër i tyre që kaluan shkollën e Radio Gjakovës, tashmë punojnë nëpër mediat qendrore në Kosovë. Në këto katër dekada të veprimtarisë, Radio Gjakova arriti një stad të lakmueshëm të zhvillimit, por ende jo të atillë çfarë e dëshiron dhe e synon stafi punues dhe redaksia e programit të radios”, tha ai.

Në dekadën e katërt të punës, synimet ambicioze të redaksisë së këtij mediumi janë që Radio Gjakovën ta shndërrojmë edhe në qendër televizive, por në mungesë të bazës së nevojshme materiale, u tha se synimet mbetet të presin ditë më të mira.

Në mungesë të kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emër të Kuvendit Komunal uroi drejtoresha e Kulturës, Saranda Hyseni, e cila tha se radio edhe pse ishte sfiduar në këto 40 vite nuk e ka tradhtuar misionin dhe dëgjuesin e saj besnik.

Ajo tha se Radio Gjakova është simbol i këtij qyteti dhe një vlerë të shtuar për komunën. Hyseni uroi që zëri i kësaj radioje të dëgjohet në tërë vendin dhe jo në rajonin e Gjakovës.

 

“Radio Gjakova të mos jetë vetëm në këto valë, të mos ketë vetëm këtë shtrirje territorial që ka, por shtrirja e saj e dëgjueshmërisë të jetë edhe më e gjerë sepse e meriton. Gjithmonë e kemi dëgjuar zëra të bukur e nuk meritojmë vetëm ne, por këta zëra të bukur të dëgjohen edhe më tutje sesa në territorin e komunës së Gjakovës”, tha Hyseni.

Në fund të kësaj akademie, Radio Gjakova nderoi të gjithë punonjësit e saj, ndërsa në skenën e pallatit të kulturës u panë edhe punëtorët e parë të cilët kishin nisur punën para 40 vitesh, një pjesë e të cilëve tashmë edhe në pension

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco