“Kosovo Theatre Showcase” - mbahet debati 'Kosovari në Kornizë'

“Kosovo Theatre Showcase” - mbahet debati 'Kosovari në Kornizë'

17:00, 03/11/2019

Në kuadër të edicionit të dytë të “Kosovo Theatre Showcase” është mbajtur diskutimi me temën 'Kosovari në Kornizë' organizuar nga Qendra multimedia që ka për qëllim promovimin e identitetit të kulturës së Kosovës.

Nita Luci antropologe në Universitetin e Kosovës ka folur nga perspektiva e nevojave sociologjike për nevojat e dialogut gjithëpërfshirës pas vitit 1999 dhe specifikat e Kosovës si vend unik në Evropën Juglindore.

“Të gjitha identitetet konsiderohen të jenë unike, por ato karakterizohen edhe nga mikset, dinamika dhe ndryshimet dhe ndërkomunikimet, por ka veçanti në disa situata për të gjetur  veçantitë, por edhe krahasimet. Mund të themi se ka veçanti. Nga perspektiva ime, identiteti është diçka e konstruktuar nga transformimi socio-politik, ekonomik, historik dhe nuk mendoj se identiteti është diçka që ndodhet atje, gjithmonë i gatshëm”, tha Luci.

Për më tepër, antropologia Nita Luci tha se identiteti gjithmonë krijohet përmes shoqërisë dhe se nuk është një gjë që kemi apo bëjmë, por identitetit njëkohësisht

“Mendoj se identiteti kosovar është i veçantë, sepse besoj se është një gjë e tillë në termat e gjeografisë, kulturës, historisë, në praktikat politike. Të gjitha këto formojnë një identitet”, tha Luci.

Për rolin e identitetit në fushën e kulturës dhe muzikës ka folur kompozitori Ilir Bajri.  Ai tha se unikja e identitetit në përgjithësi  është ana biologjike dhe se sipas tij filmi dhe muzika pavarësisht se kush i prodhon, duhet të jenë autentike.

Bajri ka përmendur rokun kosovar dhe xhazin, pasi sipas tij, ideja ka qenë që muzika të bashkojë njerëzit pavarësisht kulturave të tyre.

Në debat është folur edhe rreth humorit kosovar si pjesë e identitetit të tij përmes realizimit të serive televizive, të cilat kanë pasur sukses të madh sikurse “Tre gjermanët e trashë, “O sa mirë” e të tjerë.

Ndryshe, edicioni i dytë i “Kosovo Theater Showcase” përfundon nesër. Në këtë edicion janë shfaqur së paku 6 shfaqje të prodhuara nga grupe të ndryshme teatrore në Kosovë, duke përfshirë edhe premierën e shfaqjes “Armiku i vërtetë i popullit” prodhuar nga Qendra Multimedia në Prishtinë.

Përveç Prishtinës, showcase do të zhvillohet edhe në qytete tjera të Kosovës. Në këtë mënyrë, mysafirët ndërkombëtarë do të kenë mundësi të rrallë për të parë jo vetëm tendencat më të fundit të skenës së teatrit të Kosovës, por edhe të shijojnë mikpritjen e madhe dhe peizazhin e bukur të Kosovës.

Ky edicion gjithashtu ka sjellë disa programe plotësuese; diskutime, panele dhe mbrëmje muzikore.

Sivjet janë mirëpritur rreth 50 mysafirë ndërkombëtarë, duke përfshirë selektorë të festivaleve, kritikë të teatrit, gazetarë, shkrimtarë, drejtorë e admirues të teatrit nga e gjithë bota.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco