Simfonia shqiptare e orientuar nga folklori

Simfonia shqiptare e orientuar nga folklori

11:43, 08/06/2023

Nga Dr Armira Kapxhiu,pedagoge ne Universitetin e Arteve

Dalja në dritë në vitin 1956 e “Simfonisë nr.1, në a-moll”, e kompozitorit Çesk Zadeja, shënon dhe nisjen e një rruge të re për muzikën tonë kombëtare, rrugën e përsosjes profesionale dhe drejtimin e saj drejt rrjedhave zhvilluese bashkëkohore. Është pikërisht kjo vepër që do të orientonte nevojën për kualifikime më të thelluara të kompozitorëve të rinj shqiptarë të kohës. Kështu, krahas Zadesë, mes viteve ‘50-’61, të shekullit të kaluar, kryen studimet jashtë vendit kompozitorët Tish Daija, Simon Gjoni, si dhe disa vite studimi, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi e Kozma Lara, të cilët do t’i përfundonin ato në Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Kualifikimi i tyre ndikoi në rritjen shkallë - shkallë të standardit profesional të muzikës sonë të re, si dhe në përgatitjen e kompozitorëve të rinj në vend. Periudha 1960-1990 do të ishte koha kur në muzikën tonë kombëtare nisën zhvillime serioze e të profesionalizuara, të cilat do të pasonin, jo vetëm me shumimin e krijimtarisë, por edhe me prurje të rëndësishme kualitetesh krijuese.

Është pikërisht kjo periudhë kur, krahas Prenk Jakovës, Çesk Zadesë, Rexho Mulliqit, Lorenc Antonit, Tish Daisë, Nikolla Zoraqit, Tonin Harapit e Kozma Larës, nisin e shfaqen individualitete të reja, të cilët, me krijimtarinë e tyre do të hapnin një epokë të re në muzikën profesioniste shqiptare, duke pasuruar gjuhën e saj shprehëse dhe duke përsosur e përdorur mjete e teknika kompozicionale bashkëkohore. Është kjo koha kur nisin kërkime për gjetje të reja, të cilat pasqyrohen e zënë vend në veprat simfonike të Akil Kocit, Feim Ibrahimit, Zeqirja Ballatës, Thoma Gaqit, Rafet Rudit, Aleksandër Peçit, Sokol Shupos, Mendi Mengjiqit, Thoma Simakut, Ermir Dergjinit apo Vaso Toles etj. Përgjatë kësaj periudhe zhvilluese muzika shqiptare definoi profesionalizmin kompozicional, frymën popullore e tiparet kombëtare të saj. Këto tipare u shfaqën simetrikisht, në mënyrë të veçantë në gjininë e simfonisë, si forma më e madhe e më përfaqësuesja e muzikës së madhe artistike.

Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar në Shqipëri u kompozuan mbi 20 simfoni, prej të cilave veçohen simfonitë e Çesk Zadesë (1956), Abdulla Grimcit (1962), Kozma Larës (1965), Limos Dizdarit (1969), Simon Gjonit (1972 & 1981), Gjon Kapidanit (1972), Aleksandër Peçit (1981, 1985, 1988), Nikolla Zoraqit (1985), Sokol Shupos (1987, 1988), Thoma Gaqit (1988), Feim Ibrahimi (1990), Thoma Simakut (1990), Ermir Dergjinit (1996, Lejla Agolli (1973), Besa Aliaj (1983), Gjon Simoni (1990) etj.

Krahas në Shqipëri, gjinia e simfonisë u lëvrua dhe nga kompozitorë të tjerë shqiptarë, që punonin e jetonin në trojet shqiptare jashtë kufijve administrativë, sidomos në Kosovë. Mes tyre veçohen simfonitë e Rexho Mulliqit ,Rafet Rudit ,Vincenc Gjinit, Esat Rizvanollit, Gjon Gjevelekajt, Bahri Mulliqit e Baki Jasharit.

Në vijim të shtjellimit të,“Simfonia shqiptare e orientuar nga foklori”, më poshtë do të sjellim ne vemendje tri simfoni, të cilat përfaqësojnë periudhat më të rëndësishme të lëvrimit të kësaj gjinie, si dhe përfaqësuesit e tri brezave krijues të muzikës shqiptare.

“Simfonia nr 1”, në a-moll e kompozitorit Cesk Zadeja

Të dhëna të përgjithshme:

- Viti i krijimit të veprës: 1956.

- Vendi: Rusi (ish-BRSS).

- Premiera absolute e veprës: Orkestra simfonike e Radio Moskës.

- Dirigjent: G. Terian.

- Interpretime të tjera: Orkestra e TOB, Orkestra e RTSH, Filarmonia e Tiranës, Orkestra e A. A., etj.

Simfonia shtjellohet në katër kohë.

Limos Dizdari, “Simfonia nr.1”, h-moll

“Simfonia nr.1”, në h-moll, e kompozitorit Limos Dizdari, është gjinia më e madhe, për nga përmasat dhe më përfaqësuesja e opusit krijues muzikor të tij. Ajo në tërësi dallohet për qartësinë e ndërtimit organik të ciklit, gjuhën e thjeshtë, sensin inspirues e cilësinë komunikuese të saj me dëgjuesit. Edhe pse punë diplome, në përfundim të studimeve të larta muzikore, ajo do të ishte vepra që do të përcaktonte rrugën nëpër të cilën do të orientohej e formohej individualiteti krijues i kompozitorit. Thjeshtësia e qartësia e artikulimit të shprehjeve gjuhësore muzkikore, harmonitë, kryesisht tonale diatonike, të xhveshura nga alternimet e disonancat, lirizmi me sens thellësisht romantik e optimist dhe, në veçanti, inspirimi prej muzikës së kënduar popullore krahinore të Jugut të vendit, me shoqërim instrumental, që përshkojnë simfoninë përgjatë gjithë shtjellimit, kanë ndikuar ndjeshëm në karakterin thellësisht realist e kombëtar të veprës.

Muzika e Dizdarit në përgjithësi dallohet për frymëzim të thellë, spontanitet krijues, sinqeritet e shkallë të lartë këndueshmërie. Prirja e kompozitorit për nga muzika e zhanrit vokal shfaqet pothuaj në të gjithë krijimtarinë e tij, pa përjashtuar edhe simfoninë nr.1, në h-moll. Është pikërisht kjo prirje që e bën dhe muzikën simfonike, instrumentale, të filmit, apo dhe të dhomës, të realizuar nga kompozitori, mes viteve ‘66-’90, të shekullit të kaluar, thellësisht demokratike e të kërkuar nga dëgjuesit.

Simfonia, edhe pse ka një zhvillim dramaturgjik të logjikshëm, nuk mund të thuhet se është e pasur me mjete simfonizuese e teknika kompozicionale bashkëkohore. Ajo vjen e orientuar si stil krijues, kryesisht nga romantizmi i gjysmës së dytë të shek. XIX e neoklasicizmi i fillimit të shekullit të XX që, me sa duket, kompozitori i njeh e preferon. Orientimi i krijimtarisë së kompozitorit prej këtyre stileve vjen natyrshëm, nga temperamenti e formimi i tij.

Sokol Shupo, “Simfonia nr.1.”,“Katër këngë për Shqipërinë”

Vepra u kompozua në vitin 1987 dhe po këtë vit u ngjit në skenën e koncerteve të majit, e interpretuar nga orkestra simfonike e ILA, në drejtimin e dirigjentit BujarLlapaj. Që në daljen e parë të saj në skenë, simfonia u prit me mjaft interes nga qarqet muzikore e kritika. Vepra u vlerësua me çmimin e parë të dekadës së majit dhe me çmimin kombëtar“Tefta T. Koço”.

Vepra është pjesë e muzikës me program. Ajo përmban një program të qartë, i cili mbështetet në vepra të caktuara letrare.

Simfonia“Katër këngë për Shqipërinë” është e para në llojin e vet, që përshtatet në mënyrë direkte me elemente jashtë muzikore reale dhe, në rastin e saj, me elemente letrare. Shkrirja e përmbajtjes së veprës letrare, në tërësinë tingullore të veprës, ka bërë të mundur përcaktimin e saj si një produkt artistik i qartë, i inspiruar, i perceptueshëm nga dëgjuesi dhe thellësisht kombëtar. Realizimi i veprës është shprehje e thellimit të mëtejshëm në proceset bashkëvepruese të muzikës me elemente jashtë muzikore.

* Pedagoge ne Universitetin e Arteve

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco