Botohet ‘Foresteria’, vepra më e re poetike e Akademik Kujtim M. Shala

Botohet ‘Foresteria’, vepra më e re poetike e Akademik Kujtim M. Shala

12:15, 07/06/2023

Shtëpia botuese "Onufri" ka ndarë me lexuesit shqiptar lajmin për botimin e vëllimit më të ri poetik, të Akademik Kujtim Shala, të titulluar "Foresteria".

Ky vëllim me titullin e veçantë, që ngjan se i referohet pyllësinë, në fakt, mban emrin e fjetoreve për studentët e huaj, në Itali, ku autori ka kryer studime pasuniversitare.

Me poezi për shenja të jetës e përjetimeve të atyre viteve, të një të huaji që mëton të konturojë kufijtë e kuptimit dhe të ekzistencës në një hapësirë të huaj e të panjohur, hapet cikli i parë i librit titulluar "Foresteria".

Cikli i dytë poetik, titulluar "Arkiv", me anë metaforash spikatëse evokon kujtimet familjare e personale, që kanë në qendër gjyshen e gjyshin, rrënjët e fisit dhe trajtat e tyre të pashlyera njerëzore. Poeti shkruan:

Natyra asht arkivi ma egër i jetës

lidh hijet në dosje të randa

rrëfime të ilustrueme me fytyra mjegulle

miliona vjet shtresue

ankthi ma i madh

tana të vërtetat hije

tym e hije

të humbuna apo të ruajtuna

Gjyshja u beson rranjëve

me jetue me kujtimet e trollit

kur humbin trajtat

mbeten rranjët

arkiv i qenies

Cikli tjetër poetik me emrin AD INFINITUM, ka bërë bashkë poezi dashurie, të cilat shenjohen nga koncepti i dashurisë deri në infinit. Përmes kontrastesh të forta dritë- hije, ngadhënjim- mposhtje, galdimi- pikëllimi, poetizohet relievi bukur i thyer i përjetimit dashuror, me të cilin lidhet kozmogonia e poezisë. Dashuria ndryshon formë, ndërsa finaliteti i saj në pafundësi dhe kujtimet, si gjurmë e pashlyer, jo.

Cikli i fundit poetik, titulluar "Trajtat", ka poezi të një natyre më filozofike, pasi këtu përjetimet poetike nuk janë për sende (si një vëllim i mëhershëm poetik i Kujtim Shalës), por për shenja, fytyra, emrqa shprehi më pak të prekshme, që diku-dikur mjegullohen, për të mbetur trajtë e pashlyer në frymëzim e në vargje:

Fytyra shkrihet ngadalë

pasqyrë e shfytyruar e ujanve

e lisave përmbys e dheut që djeg yjet

qiejt të përzier n’akujt e vejtër kozmikë

në hapësinën pa fillue jeta

fytyra kthen kohën prapa

zhbën hapësinën

qenia zhbëhet në nji pikë të zezë

errsue e dendun në nji grimë

pamja i zhbën tana gjanat

(fragment nga poezia Fytyra).

Vëllimi poetik "Foresteria" është shkruar me një gegërishte të latuar bukur, dhe do ta pasurojë horizontin letrar e estetik të lexuesve. "Foresteria" është e disata vepër poetike e Akademikut Shala dhe është përkthyer tashmë edhe në gjuhën rumune dhe pritet që së shpejti të shohë dritën e botimit edhe në italisht.

Zoti Shala ka një korpus personal të shumë të pasur veprash letrare e studimore me mbi 50 tituj dhe njihet edhe për angazhimin e tij politik në Kosovë, si ish-zëvendëskryeministët dhe ish-ministër kulture, ndërsa aktualisht mban pozicionin e nënkryetarit të Kuvendit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco