Hapet Panairi i Librit në Prishtinë

Hapet Panairi i Librit në Prishtinë

08:04, 06/06/2023

Sot hapet Edicioni i 23-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Organizatorët e këtij panairi kanë bërë të ditur së në këtë edicion pritet të marrin pjesë mbi njëqind (100) shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e më gjerë. Në panair do të prezantohen mbi dymijë botime të reja me mbi 2 mijë tituj. 

Me moton “Libri triumfon”, sot do të hapet edicioni i 23-të i Panairit të Librit i cili mbahet në ambientet e Pallatit të Rinisë i organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Organizatori i këtij panairi, Edon Zeneli, i tha  Radio Kosovës se në këtë panair do të prezantohen botimet e mbi 100 shtëpive botuese me mbi dymijë tituj të rinj.

“Janë mbi 80 ekspozues që prezantojnë botimet e mbi njëqind (100) shtëpive botuese, duke e bërë kështu panairin më të madh në termat e botuesve pjesëmarrës. Kemi mbi dymijë tituj të rinj nga panairi i vitit të kaluar të cilët do të jenë të gatshëm për lexuesit”, tha ai.  

Po ashtu, Zeneli tha se shkrimtari shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare, do të jetë prezent në këtë edicion të Panarit dhe vepra e tij do të jetë kryefjala e Panairit të 23-të të Librit në Prishtinë “Prishtina 2023” , ku do të botohet  kompleti i veprës së Kadaresë në 7 vëllime .

“Ismail Kadare do të jetë prezent që nga dita e parë që në hapje të Panarit të 23-të. Por pashmangshëm krye-ngjarja e këtij Panairi është botimi i kompletit të veprës së tij dhe prania e tij. Ismail Kadare ka vendosur që veprën e vet letrare në 7 vëllime  ta kurorëzojë pikërisht në Prishtinë në Panairin e 23-të të Librit”, tha ai.

Sipas Zenelit në këtë edicion  do të jenë dhjetëra promovime librash në Sallën e Promovimeve, dhjetëra autorë në stenda që bashkëbisedojnë dhe nënshkruajnë librat e tyre për lexuesit; takime ndërmjet përkthyesve, redaktorëve, botuesve e të gjithë profesionistëve të librit.

Edicioni i 23-të i këtij panairi do të mbahet nga data 6 deri më 11 qershor në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco