Nacionalizmi, shpëtim apo rrezik?!

Nacionalizmi, shpëtim apo rrezik?!

10:30, 29/11/2022 Nga Shkëlqim Ajdini
Nacionalizmi si term përdoret në kontekste të ndryshme, varësisht prej situatave dhe atyre që thirren në këtë emër. 
 
Dikush e interpreton pozitivisht, duke e ngatërruar shpesh me patriotizmin dhe kombin, e dikush e cilëson si ide të rrezikshme dhe jo adekuate me rrjedhat e kohës.
 
Të kthehemi së pari në origjinën e kësaj dukurie (kushtimisht po e quaj dukuri).
 
Shekulli XIX njihet si koha e artë e nacionalizmit, apo edhe koha e lindjes së nacionalizmit praktik. Në këtë shekull, nacionalizmi lulëzoi duke iu falënderuar atyre që konsiderohen autorë ose themelues të nacionalizmit. Në Amerikë ishin Tomas Xheferson dhe Tomas Pejn që i vendosën themelet e nacionalizmit amerikan. Në Itali ishte Xhyzepe Garibaldi, Viktor Hygo në Francë dhe Oto Bizmarku në Gjermani, ata që themeluan nacionalizmin e shteteve përkatëse.
 
Pyetja që të vjen vërdallë ka të bëjë me atë se për çka u desht të lindë nacionalizmi dhe çka i shtyri këto personalitete të marrin timonin e kësaj çështjeje.
 
Shkaktar kryesor i lindjes së nacionalizmit është vakuumi ideologjik që kishte mbretëruar në atë kohë, por shkaktar i tillë mbetet dhe sot në ato vende ku nacionalizmi është i theksuar.
 
Kur tek një popull mungon aspekti shpirtëror dhe mungesa e trajtimit të duhur të besimeve të ndryshme, atëherë pashmangshëm lind nevoja që populli përkatës të ketë diçka në të cilën mbështetet dhe identifikohet. Dihet botërisht koha dhe mënyra e ndarjes se fesë nga shteti, me ç’rast nacionalizmi zuri vendin e besimit dhe faktikisht u bë “religjion” në vete. E njëjta ndodhë edhe sot në disa vende, duke përfshirë edhe vendin tone, ku nacionalizmi radhitë shtetin, kombin, etninë para besimit fetar dhe çdo gjëje tjetër.
 
Njëri nga parimet themelore të nacionalizmit është flakja e prangave fetare dhe pranimi i një rendi sekularist.
 
Por, çka fshihet në të vërtetë nën petkun e nacionalizmit?
 
Nacionalizmi u bë vegël në duart e kapitalistëve të mëdhenj dhe të pronarëve të fabrikave, me qëllim të ruajtjes së tregut në vendin e tyre, me prodhimet e tyre.
 
Kapitalizmi botëror, objektivat e këtilla i përmbushi me zgjimin e ndjenjave nacionaliste, të cilat i inkurajonin masat e gjera që të blejnë vetëm prodhime të vendit e jo edhe mallra të importuara të cilësisë më të mirë.
 
A nuk ndodh edhe sot e njëjta gjë ne vendet me nacionalizëm të theksuar, e sidomos edhe në vendin tonë, ku në emër të nacionalizmit – duke “ngatërruar” me patriotizmin – përfitojnë një pjesë e konsiderueshme të individëve të caktuar.
 
Patriotizmi dhe nacionalizmi shpeshherë përdoren pa vend, ndonjëherë me qëllim e ndonjëherë edhe nga mosdija.
 
Patriotizmi është ndjenjë natyrore dhe instiktive e njeriut, kurse nacionalizmi nuk është ndjenjë, por ai paraqet një ideologji. I pari është sentimental, kurse i dyti është një pseudo-religjion, në të cilin mbështeten ndjenjat patriotike.
 
Shkolla e mendimit nacionalist është ndërtuar mbi dy instikte shtazarake të njeriut, të cilat ky i ka të përbashkëta edhe me krijesat tjera, e që janë: “instikti i grupit” dhe “dashuria për shtëpinë”.
 
Nacionalizmi fillon me këto dyja, e që më në fund të përfundojë në një pseudo-religjion, i cili shkakton që këto ndjenja të qeta të shndërrohen në një fanatizëm të rrezikshëm.
 
Për nacionalizmin, kombësia është vetëm një rastësi e natyrës, kurse në të vërtetë duhet të jetë zgjedhje dhe vullnet i ndërgjegjes së individit apo popullit që e determinon fatin e tij.
 
E keqja e kësaj është e tmerrshme, sepse insistohet në kombësi të paprekshme dhe të shenjta, duke mos toleruar lindjen e kombësive të reja që bazohen në kulturat e vendeve përkatëse, ku lind një komb i ri.
 
Amerikanët e kohës së Xhorxh Uashingtonit e kishin gjuhën dhe historinë e njëjtë me ata të Anglisë, por ata u veçuan nga Britania dhe u bënë popull i pavarur.
 
Austria dhe Gjermania kanë një gjuhë, një histori dhe kulturë, por ekzistojnë si dy kombe.
 
Në Zvicër kemi shumë etni dhe popuj të ndryshëm, por ata identifikohen në emërtimin e përbashkët zviceranë, si pjesëtarë të kombit helvetik.
 
Për fund…
 
Njëra nga veçoritë kryesore të nacionalizmit është mbivlerësimi i një populli dhe nënçmimi i popujve tjerë. Nacionalizmi e braktisë realizmin dhe lejon që në shoqëri të dominojë vizioni idealist dhe mitoman.
 
Shekulli XIX e shpiku nacionalizmin dhe i korruptoi të gjithë historianët. Çdo nacionalist vendin e tij e konsideron si vend të zgjedhur nga Zoti, ndërkaq bota tjetër është përplot djallëzi dhe barbarizëm.
 
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco