Dëmtohet Deklarata e Pavarësisë

Dëmtohet Deklarata e Pavarësisë

22:23, 19/11/2022

Ka 14 vjet që Deklarata e Pavarësisë ruhet në kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Por, metoda e ruajtjes së saj po vlerësohet që nuk është më e mira. Kjo pasi vetëm 14 vjet pas shpalljes se pavarësisë, pergamena ka filluar të dëmtohet, ndërsa kjo e ka befasuar edhe vet shkruesin e tekstit në deklaratën e pavarësisë, Shyqri Nimanin.
Është dokumenti më i rëndësishëm në historinë e Kosovës.

Por, kushtet në të cilat po ruhet Deklarata e Pavarësisë, po vlerësohet që nuk janë të duhurat.

Nga viti 2008, ajo po qëndron e konservuar, në kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa kur kanë kaluar 14 vjet nga dita e shpalljes së pavarësisë, ajo ka filluar të dëmtohet.

Kjo metodë e ruajtjes së saj, ka befasuar edhe vet atë, që mbi këtë pergamenë e shkroi tekstin, përmes të cilit Kosova u bë shtet i pavarur.

“Jam befasuar për shumë keq, se ata i kanë marrë dy pjesët e deklaratës edhe i kanë mbyllur hermetikisht me xhama, edhe ata që e kanë prek pergamenën, u dashtë patjetër me pas dorëza”, thotë shkruesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, Shyqri Nimani.

Nimani thotë se pasi e shkroi tekstin në deklaratën e pavarësisë, u tregoi edhe si të ruhet pergamena.

“Kur e kam dorëzu e kam pasur të parapërgatitur një kartele, ku është ruajtur pergamena brenda. Ajo ka dashtë me qenë e ruajtur, mos me u ekspozu, të prekurit me gishta, sepse gishtat kanë yndyrë”, shtoi Nimani.

Se deklarata e pavarësisë mund të dëmtohet edhe më shumë e thonë edhe inxhinierët e kimisë.

“Deklarata e Pavarësisë ruhet në kushte jo të mira, duhet të ketë kushte specifike pergamena për ruajtje. Edhe në Agjencinë e Arkivave të Kosovës nuk ka kushte për ruajtjen e saj”, deklaroi inxhieri i kimisë, Gjon Gegaj.

Gegaj ka 6 vjet që merret me restaurimin e letrës në Arkivin e Kosovës.

Por ky shton se Kosova nuk ka specialistë, që mund ta restaurojnë pergamenën.

“Fatkeqësisht mundësitë që të restaurohet në Kosovë nuk ka, sepse nuk ka specialist që e restaurojnë pergamenën, kemi vetëm specialistë që merren me restaurimin e letrës”, potencoi ai.

Sipas Gegajt, pergamena mund të restaurohet vetëm në shtetet me arkivin shtetëror të zhvilluar, si Franca apo Turqia.

Deklarata e pavarësisë së Kosovës u nënshkrua nga 109 deputetë, në një seancë të jashtëzakonshme të dielën e 17 shkurtit 2008.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco