Luhatjet e humorit - Çka është çrregullimi bipolar?

Luhatjet e humorit - Çka është çrregullimi bipolar?

11:11, 13/09/2022 Nga Sh.A.

Çrregullimi bipolar është një lloj gjendjeje e shëndetit mendor që shkakton luhatje të shumta të humorit që përfshin ngritje emocionale (mani ose hipomani) dhe rënie (depresion). Quhet bipolar sepse i ka dy pole, pra, polin hipomanik dhe polin depresiv.

Psikologu klinik, Kreshnik Avdiu, ka treguar se çfarë lloje manifestohen nga ky çrregullim.

"Poli depresiv – Gjatë gjendjes depresive mund të ndiheni të trishtuar ose të pashpresë dhe të humbni interesin ose kënaqësinë në shumicën e aktiviteteve.

Poli hipomanik – Kur humori juaj kalon në hipomani mund të ndiheni euforikë, plot energji ose jashtëzakonisht nervoz. Këto ndryshime të humorit mund të ndikojnë në gjumin, energjinë, aktivitetin, gjykimin, sjelljen dhe aftësinë për të menduar qartë", ka treguar Avdiu, shkruan Syri.net Kosova.

Episodet e ndryshimeve të humorit – mund të ndodhin ose rrallë ose shumë herë në vit, thotë në vazhdim ai.

Megjithëse, sipas tij, çrregullimi bipolar është një gjendje e përjetshme, ndryshimet e humorit dhe simptomat e tjera mund të menaxhohen duke ndjekur një plan trajtimi. Në shumicën e rasteve, çrregullimi bipolar trajtohet me medikamente dhe këshillim psikologjik (psikoterapi).

SIMPTOMAT DHE DISA SQARIME SHTESË MBI ÇRREGULLIMIN BIPOLAR

Psikologu klinik, Avdiu, ka treguar për simptomat, ndërsa ka dhënë edhe disa sqarime.

"Ekzistojnë disa lloje të çrregullimeve bipolare. Ato mund të përfshijnë maninë ose hipomaninë dhe depresionin. Simptomat mund të shkaktojnë ndryshime të paparashikueshme në humor dhe sjellje, duke rezultuar në shqetësime dhe vështirësi në jetë", tregon Avdiu, shkruan Syri.net Kosova.

"Çrregullimi bipolar I – përfshin të paktën një episod të manisë që mund të paraprihet ose pasohet nga episode hipomanike ose depresive madhore. Në disa raste, mania mund të shkaktojë një shkëputje nga realiteti, e që quhet psikozë.

Çrregullimi bipolar II – përfshin të paktën një episod të madh depresiv dhe të paktën një episod hipomanik, por por pa ndonjë episod të manisë

Çrregullimi ciklotimik – përfshin të paktën dy vjet, ose një vit tek fëmijët dhe adoleshentët, të shumë periudhave të simptomave të hipomanisë dhe periudhave të simptomave depresive (edhe pse më të lehta se depresioni madhor)", ka sqaruar Avdiu.

Ndërsa, ai ka radhitur edhe llojet e tjera.

"Këto përfshijnë, çrregullime bipolare dhe të lidhura me to, e që janë të shkaktuara nga droga të caktuara, nga alkooli, ose për shkak të një gjendjeje mjekësore, si sëmundja e Cushing-ut, skleroza e shumëfishtë ose goditja në tru".

MANIA DHE HIPOMANIA

Mania dhe Hipomania janë dy lloje të ndryshme episodesh, por ato kanë të njëjtat simptoma.

"Mania – është më e rëndë se hipomania dhe shkakton probleme më të dukshme në punë, shkollë dhe aktivitete shoqërore, si dhe vështirësi në marrëdhënie. Mania gjithashtu mund të shkaktojë një shkëputje nga realiteti (psikozë) dhe të kërkojë shtrimin në spital. Si një episod maniak ashtu edhe një hipomanik përfshijnë tre ose më shumë nga këto simptoma: optimizëm i paarsyeshëm, hiperaktivitet, energji ose agjitacion, eufori, rënie e nevojës për gjumë shpërqëndrim, vendimmarrje e dobët, si dhe të tjera si për shembull: blerje zbavitjesh duke përfshirë edhe ato seksuale me rrezik të lartë për sëmundje të ndryshme, investime të pamenda, hargjime të stërtepruara, etj", njofton Avdiu.

POLI DEPRESIV (Episodi depresiv madhor)

Një episod i madh depresiv përfshin simptoma që janë mjaft të rënda që shkaktojnë vështirësi të dukshme në aktivitetet e përditshme, si puna, shkolla, aktivitetet sociale ose marrëdhëniet. Kjo përfshin pesë ose më shumë nga këto simptoma: gjendje depresive si ndjenja e trishtimit, boshllëkut, mungesa e pashpresës, të qarët.

Te fëmijët dhe adoleshentët, poli depresiv mund të shfaqet si nervozizëm, e që përfshin humbje të theksuar të interesit ose pakënaqësi në pothuajse të gjitha aktivitetet, humbje të konsiderueshme në peshë ose shtim në peshë, ulje ose rritje të oreksit (tek fëmijët, dështimi për të shtuar peshë siç është pritur mund të jetë një shenjë e depresionit), pagjumësinë ose gjumin e tepruar, shqetësimin ose sjelljen e ngadalësuar, lodhje ose humbje energjie, ndjenja të pavlefshmërisë apo fajit të tepruar, aftësi të zvogëluar për të menduar ose për t’u përqëndruar, pavendosmëri, e për më keq, mendime, planifikime ose tentime vetëvrasjeje.

Përdorimi i alkoolit, drogave dhe materieve të tjera psikotropike mund ta rëndojnë gjendjen e një personi që vuan nga ky çrregullim, duke i shtuar dhe përkeqësuar simptomat.

Në momentin që e vereni dikënd tuajin herë pas here me pole të kundërta emocionale, këshillojeni të vizitohet te profesionisti i shëndetit mendor.

TRAJTIMI

Siç thotë Avdiu, çrregullimi bipolar është gjendje e përjetshme dhe trajtohet e mirëmbahet me medikamente dhe psikoterapi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco