150 pjesëmarrës deri me 26 gusht do të mbajnë ligjërata e kurse në Seminarin e 40-të Ndërkombëtar

150 pjesëmarrës deri me 26 gusht do të mbajnë ligjërata e kurse në Seminarin e 40-të Ndërkombëtar

16:51, 15/08/2022

Sot në një ceremoni të veçantë, në Bibliotekën Universitare në Prishtinë, u hap edicioni i 40-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme vjetore në fushën e albanologjisë dhe ka për qëllim ngritjen e nivelit të studimit në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Seminari që organizohet nga Fakulteti i Filologjisë në Prishtinë, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë do të zgjasë deri më 26 gusht dhe do të ketë aktivitete përgjatë dy javëve, si kurse të gjuhës shqipe, vizita të ndryshme në asete të trashëgimisë kulturore në vend e tryeza të doktorantëve.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Bernard Dosti, kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, drejtorja e seminarit, Dhurata Shehri si dhe shumë profesorë, albanologë, studentë të Universitetit të Prishtinës.

Edicioni i 40-të i seminarit do të ketë mbi 150 pjesëmarrës të cilët do të mbajnë ligjërata e kurse të ndryshme për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco