Akademik Rexhep Ferri nderohet me Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” për vitin 2021

Akademik Rexhep Ferri nderohet me Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” për vitin 2021

19:09, 15/06/2022

Çmimin ia ndau ministri, Hajrulla Çeku, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku morën pjesë personalitete të shumta nga jeta akademike e kulturore, ndër të tjerë, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja dhe përfaqësues tjerë të ASHAK-ut, Këshilli Drejtues dhe Menaxhmenti i Galerisë Kombëtare të Kosovës, artisti Jakup Ferri, profesorë universitarë dhe artistë nga fusha e artit pamor.

“Jam shumë i nderuar që sot duke kujtuar dhe respektuar Muslim Mulliqin, po respektojmë artistin tonë Rexhep Ferri. Besoj që ky vlerësim është më e pakta që institucionet shtetërore mund të bëjnë për figurat e shquara të vendit”, ka thënë ministri mes tjerash. 

Ndërsa Rexhep Ferri u shpreh i lumtur që po shpërblehet puna dhe vepra e dikurshme që dikur ka pasur vlerë më tepër se në ditët e sotme. 

Në kuadër të ceremonisë u dhanë disa pika artistike të cilat i interpretoi Kori i Fakultetit të Arteve të Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja, nën drejtimin e prof. Hysen Nimanit. Gjithashtu, u dha edhe një dokumentar i shkurtër që iu dedikua profesor Rexhep Ferrit.

Komisioni i cili ka vlerësuar nominimet për këtë çmim ka qenë në përbërje nga Mehmet Behluli, Lorik Sylejmani, dhe Lirije Bulliqi. 

Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi”,  Ministria e Kulturës e ndanë për personalitete të shquara që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e artit pamor, për arritje profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e artit pamor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco